DASH- Korrupsioni problemi kryesor i Shqiperise

download (1)Departameti amerikan i Shtetit thekson në një raport të botuar sot, se problemet kryesore në Shqipëri në fushën e të drejtave të njeriut,  kanë të bëjnë me korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht në sistemin e drejtësisë.

Në raportin e tij të përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, Departamenti i Shtetit thekson se ndër problemet e tjera kryesore në Shqipëri gjatë vitit 2013 kanë qënë bllokimi i reformave, veçanërisht bllokimi i luftës kundër korrupsionit, ndërsa partitë politike e përqëndruan vëmendjen në zgjedhjet e qershorit.

Pandëshkueshmëria, thuhet në raport, është një tjetër problem. Përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarë që kanë kryer shkelje kanë qënë sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, si dhe gjykatësit dhe ata me interesa të fuqishme biznesi, shpesh i kanë shpëtuar drejtësisë.