Komplikohet situata në Ukrainë, trupat ruse në Krime

Home » Aktualitet » Komplikohet situata në Ukrainë, trupat ruse në Krime

By Redaksia on February 26, 2014. No Comments

largea_image-663970-galleryv9-xpsp1393419556Grupe rivale protestuesish janë mbledhur jashtë parlamentit të Krimesë.

Qindra aktivistë pro-rusë janë duke protestuar kundër qeverisë së re të Ukrainës, e cila ka ardhur në pushtet pas protestave antiqeveritare që kanë rrëzuar presidentin Viktor Yanukovych, të shtunën.

Protestuesit kërkojnë rikthim në Kushtetutën e Krimesë të vitit 1992, e cila i ka dhënë gadishullit më shumë autonomi.

Në protesta janë ngritur edhe qindra tatarë të Krimesë që mbështesin udhëheqjen e re në Kiev dhe kundërshtojnë ndarjen e mundshme të Krimesë nga Ukraina.

Parlamenti i Krimesë pritet të diskutojë sot krizën në një seancë të jashtëzakonshme.

Tension në Ukrainën jugore, hidhet poshtë flamuri rus

(E plotësuar)Flamuri rus është rrëzuar poshtë nga ndërtesa zyrtare në Simferopol, kryeqyteti i Krimesë. Ajo ishte vendosur atje për një periudhë të shkurtër nga protestuesit të cilët kërkojnë në vazhdimësi një referendum për “statusin” e rajonit autonom. Protestuesit konsiderojnë të paligjshëm rimarrjen e pushtetit në Kiev dhe kërkojnë rivendosjen e Kushtetutës së Krimesë të vitit 1992, sipas të cilit rajoni ka presidentin e vet.

Krime, është një gadishull në jug të Ukrainës, i cili i takonte Rusisë (Bashkimit Sovjetik), përpara se t’ia linte Ukrainës në vitin 1954. Autoritetet vendore kanë sugjeruar, në fillim të shkurtit, ndryshimin e kushtetutës lokale ku Rusia shërben si “garanci” për këtë autonomi përballë pjesës tjetër të Ukrainës, duke rinisur kështu shqetësimet rreth tendencave separatiste.

Ndërkohë, ministri i Përkohshëm i Punëve të Brendshme të Ukrainës Arsen Avakov njoftoi të martën në mbrëmje, nëpërmjet një mesazhi të postuar në Facebook, se policia anti-revoltë “Berkut” u tërhoq (me urdhër nr. 144 më 25 shkurt 2014 i cili parashikon heqjen e njësive speciale të policisë dhe të sigurisë civile), bëjnë të ditur mediat ukrainase.

Komplikohet situata në Ukrainë, autoblinda rusë në Krime

Kiev, 26 shkurt – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë të ditur se Ukraina nuk duhet të përfshihet në betejën mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo nuk është lojë me shumë zero nga pas, për përfitime, tha Kerry, teksa bëri thirrje ndaj të gjitha kombeve të punojnë së bashku për të rivendosur stabilitetin në Ukrainë.
Administrata e re në Kiev po përballet vazhdimisht me kundërshtimin e rajoneve rusisht-folëse të Ukrainës. Rusia, e cila mbështet presidentin e rrëzuar, Viktor Yanukovych, ka paralajmëruar shtetet e huaja perëndimore kundër sigurimit të “avantazheve të njëanshme” në Ukrainë.
Gjithsesi, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “politika e mosndërhyrjes” së Rusisë do të vazhdojë. Të martën, Kerry u takua me homologun e tij britanik, sekretarin për marrëdhëniet me Jashtë të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, në Uashington, për të biseduar mbi situatën në Ukrainë.
“Të dy jemi të angazhuar për të bërë pjesën tonë në mbështetje të përpjekjeve të popullit ukrainas, të cilët kanë thënë fjalën e tyre me pasion, si dhe kanë treguar aftësitë për të pasur një të ardhme demokratike”, tha Kerry pas takimit.
“Kjo nuk është një lojë me shumë zero, nuk është as një betejë e Perëndimit kundër Lindjes. S’ka të bëjë me rivalitetin Rusi-SHBA, por gjithçka bëhet për Ukrainën dhe ukrainasit, të cilët kërkojnë të bëjnë zgjedhjen e tyre për të ardhmen, ndaj dhe duam të punojmë me Rusinë dhe vendet e tjera, cilido që do të jetë i disponueshëm, për të siguruar se ky proces do të jetë paqësor nga ky moment e në vazhdim”.
Më herët, presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Olexander Turchynov, shprehu shqetësimin në lidhje me atë, që ai e quajti kërcënim serioz për ndarjen e vendit, pas rrëzimit të Yanukovych.
Duke folur në Parlament, ai tha se do të takohej me agjencitë e zbatimit të ligjit, për të diskutuar rreth rrezikut të ndarjes së rajoneve me shumicë të theksuar të etnisë ruse. Separatizmi është një “kërcënim serioz”, tha ai.
Shumë rezidentë rusisht-folës në jug dhe në lindje të Ukrainës kanë protestuar kundër veprimeve të autoriteteve të përkohshme. Në qytetin-port të Krimesë, Sevastopol, gjatë së martës, disa persona ndërruan flamurin ukrainas në ndërtesat e pushtetit lokal me flamurin rus, ndërkohë që është vënë re një prezencë e shtuar e luftanijeve dhe autoblindave rusë, lëvizje që rrezikojnë përsëritjen e skenarit gjeorgjian me Osetinë Jugore.
Ndërkaq, Parlamenti në Kiev shtyu krijimin e një qeverie uniteti deri ditën e enjte, në mënyrë që të lejohej koha e nevojshme për konsultime të tjera, siç tha Turchynov, i cili theksoi se “duhet zgjedhur një qeveri e besimit kombëtar”.
Autoblinda ruse kanë mbërritur në sheshin “Nakhimov”, në qendrën e Sevastopolit, në Krime, ku ndodhet baza e flotës ruse në Detin e Zi. Luftanije të Moskës po lëvizin në rajon, teksa Kremlini vazhdon të refuzojë njohjen e administratës së përkohshme në Kiev.
Më të qarta janë raportet e zhvendosjes së aeroplanmbajtëses “Nikolai Filchenkov”, me të paktën 200 ushtarë në bord. Katër anije të tjera, me një numër të pazbardhur forcash speciale, nisën lundrimin nga porti rus i Anapas drejt Sevastopolit.

Leave a Reply