Konfirmohet vërtetësia e eshtrave të Isa Boletinit

isa_913738746Analizat gjenetike-molekulare në Strazburg e kanë dhënë përgjigjen e tyre përfundimtare se mes eshtrave të dërguara për analiza janë edhe ato të heroit kombëtar Isa Boletini dhe djalit të tij, të cilët tashmë i janë dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se për shkak të vjetërsisë së eshtrave do të duhen analiza të mëtejshme sepse deri tani nuk është arritur të nxirret profili gjenetik në mënyrë sa më të sigurt. Analiza në Institut do të përcaktojnë dhe vërtetojnë detaje të tjera, si mosha dhe gjinia.

“Sa i përket ekzaminimit antropologjik, nuk është kryer në atë kohë dhe tani do e bëjmë me ekspertët e EULEX-it për të përcaktuar moshën dhe gjininë”, tha Gërxhaliu. Gazmend Boletini, stërnipi i heroit kombëtar është shprehur për Top Channel se kanë nisur përgatitjet për një varrim madhështor të eshtrave të Isa Boletinit.

Sipas tij, rivarrimi do të bëhet me datën 30 qershor, datë kjo e shënuar, pasi për herë të parë në vitin 1912 Isa Boletini kishte ngritur flamurin në Veskovcë të Shalës së Bajgorës në veri të Mitrovicës, nga ku Isa Boletini kishte origjinën e tij.

Isa Boletini u vra së bashku me tetë luftëtar të tjerë në vitin 1916 në Podgoricë, pasi ishte i internuar në këtë shtet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Austro-hungarezët e varrosën në varrezat e myslimanëve dhe mbi varr i vendosën një gur me emrin Isa Boletinac. 98 vjet nga vrasja më në fund duket se eshtrat e heroit do të pushojnë në varrin që është në oborrin e kullës në Boletin të veriut të Mitrovicës.