Limaj e Krasniqi zyrtarizojnë nesër partinë e re

Home » Kryesore » Limaj e Krasniqi zyrtarizojnë nesër partinë e re

By Redaksia on February 27, 2014. No Comments

 

krasniqi-limaj_400956Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” ka folur për nevojën e një qeverisje të mirë, të lirë e të përgjegjshme.

Për ish sekretarin e përgjithshëm të PDK-së, qeverisje të mirë ka aty ku ka përgjegjshmëri, aty ku jepen orientimet strategjike të zhvillimit, aty ku planifikohen perspektivat e vendit, aty ku objektivat e planifikuara përmbushur në tërësi, aty ku rreziqet e mundshme për siguri e stabilitet të vendit menaxhohen mirë, dhe kanë dhënë rezultate të pritshme, aty ku të gjitha burimet që i kanë pasur në pronësi janë përdorur në mënyrë të përgjegjshme, efikase e në bazë të rregullave të qarta ligjore.

 

“Qeverisja e mirë kujdeset që të respektojë e mbrojë interesat qytetarëve dhe të bëj të mundur që zërat e tyre të dëgjohen në drejtimin e punëve të shtetit. Qeverisja e mirë mbështetet në disa trekëndëshe apo shtylla mbi të cilat duhet të mbështetet qeveria, po i japim disa sosh”, ka shkruar Krasniqi, teksa ka nisur numërimin.

 

1. Transparenca, që nënkupton lirinë e qasjes në dokumentacionin zyrtar, lirinë e informacionit pa pengesa burokratike, garancinë e një drejtësie administrative si dhe lirinë për të pasur qasje në mënyrën se si janë marr vendimet e ndryshme që varen nga paraja publike. ( A e dimë ne, si janë marr vendimet për privatizimin e objekteve më vitale ekonomike të vendit tonë, hisja jonë e përbashkët?)

 

2. Përgjegjshmëri në vendimmarrje, vendosja e kontrollit mbi administratën publike, mbi tregjet publike dhe mbi administrimin e parasë publike, etj. Sa Kuvendi ynë, kontrollon qeverinë dhe institucionet e pavarura të shtetit me nivelin përfaqësues, politik, kombëtar dhe intelektual që ka institucioni më i lartë përfaqësues i shtetit?

 

3. Pjesëmarrja e të gjithë aktorëve në procesin e zhvillimit të vendit. Sa i dimë dhe a i dimë ne aktorët e zhvillimit të vendit? Si dhe kush i merr ato vendime prej të cilave varet e ardhmja jonë si vend e komb?

 

Kreu i Kuvendit, ka thënë se qeverisje të mirë apo të përgjegjshme ka aty ku qeveria përmes procedurave transparente e ligjore krijon mundësi për rritjen e qëndrueshme ekonomike e cila pastaj ndikon në kualitetin e jetës dhe të mirëqenies se qytetarëve, aty ku qeveria merr vendime të drejta politike e ligjore në favor të zhvillimit, të privatizimit, të arsimit, të shëndetit dhe të punësimit etj., dhe aty ku qeveria vendose një drejtësi shoqërore dhe paqe të qëndrueshme për të gjithë e pa asnjë dallim njerëzor, kombëtar, gjuhësor e kulturor.

Tri janë shtyllat që duhet t’u përmbahemi me seriozitet nëse dëshirojmë të kemi qeverisje të mirë, ka shkruar Krasniqi.

“Demokraci reale që buron nga vullneti qytetarë i pa tjetërsuar, qeverisje të lirë, efikase, profesionale dhe të pa korruptuar dhe zhvillim ekonomik afatgjatë, privatizim transparent me drejtësi shoqërore dhe me shfrytëzim të kapaciteteve njerëzore (profesionale e intelektuale, pa nepotizëm rrënues), ja rruga moderne (koherente) drejt së cilës duhet të ecim pa hezituar dhe me vendosmëri ne, në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Çdo hezitim, cenim, mospërfillje apo mosrespektim i njërit prej këtyre faktorëve relevant të përmendur, padyshim që do të na përkthehet në mos avancim të demokracisë, në mos zhvillim ekonomik, në prapambetje shoqërore e kulturore dhe këto do të na kushtojnë të gjithëve, sot e nesër. Janë këto gjëra që na pamundësojnë të ecim në rrugën e integrimeve euroatlantike, thotë Krasniqi.

“Prandaj, ne, në Kosovë na duhet domosdo qeverisja e mirë dhe e lirë (e lirë në përputhje me standardin e qytetarëve të vendit tonë dhe me mundësitë buxhetore të vendit). Qeveria jonë me 20 ministri, me 5-6 zëvendëskryeministra e mbi 40 zëvendësministra e më shumë se 33 institucione të pavarura etj., sa mund të jetë e lirë (në aspektin e shpenzimeve të parasë publike), dhe efikase kur aty nuk e ‘njeh qeni të zonë’?! Nuk ka dhe nuk mund të ketë qeverisje të mirë pa dije, pa drejtësi, pa dashuri e pa përkushtim për vendin e kombin”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë miku i tij, Fatmir Limaj, përmes ”Facebook” ka bërë thirrje për t’iu bashkuar subjektit të ri politik që do të themelojnë nesër me Krasniqin.

“Të nderuar miq, përkrahës dhe qytetarë, dëshiroj të ju njoftoj se nesër, e premte, me datë 28.02.2014, duke filluar nga ora 17:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, do të mbajmë tubimin e zyrtarizimit të subjektit tonë të ri politik”, ka shkruar Limaj.

Leave a Reply