Një furtunë frike

Home » Aktualitet » Një furtunë frike

By Redaksia on February 26, 2014. No Comments

ElifShafak_Ask_EbruBilun_Wiki_croppedNga Elif Shafak/New York Times

Megjithëse fjala trazirë (ang.turbulence) nuk ekziston në gjuhën turke, ajo është e vetmja fjalë që paraqet përshkrimin më të mirë të gjendjes së politikës në Turqi në ditët e sotme. Por ne kemi shumë fjalë të tjera që tregojnë “tension”, “maskilizëm” dhe “polarizim”, e që të gjitha janë shqetësuese në shtetin e Turqisë. Turqia është vend i ujshëm, një rrjedhë uji e konflikteve dhe kundërthënieve. Humori ndryshon çdo javë, ndonjëherë edhe çdo ditë. Deri më tani vendi është parë si kombinim i suksesshëm i islamit dhe demokracisë perëndimore dhe vend me ndikim rajonal në Lindjen e Mesme. Kjo pikëpamje po zbehet shpejt, dhe lumi që është Turqia po ecën më shpejtë se kurrë. Me zgjedhjet lokale, presidenciale dhe të përgjithshme që do të mbahen, ky është një vit i polemikave të mëdha dhe shqetësimeve të heshtura. Qytetarët kërkonin nëpër faqet e internetit dhjetëra herë në ditë për të parë se çfarë tjetër ka ndodhur. Gjatë një votimi që i dha qeverisë kontroll më të madh mbi gjyqësorin, anëtarët e Parlamentit u grushtuan dhe një hundë e gjakosur ishte testamenti për demokracinë tonë të shtypur. Asgjë nuk e reflekton më mirë stuhinë sesa shtimi aktual i teorive konspirative. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan disa herë i ka akuzuar të huajt se kanë dorë në protestat në Gezi Park verën e kaluar, gjatë të cilave u vranë 6 vetë dhe u plagosën 8 mijë të tjerë. Disa zyrtarë qeveritarë patën hedhur insinuata se forcat e errëta po operonin në prapaskenë, përfshirë diasporën hebreje, agjencinë CIA, pastaj rrjetet BBC, CNN dhe lobistët e interesit, fjalë që përdoret për komplot të bankave vendëse dhe të huaja, për të cilat zyrtarët besojnë se dëshirojnë ta dëmtojnë Turqinë për përfitime të mëtejshme për interesat e tyre. Një reporter turk i BBC-së hapur është akuzuar se është spiun i jashtëm. Protestuesit në sheshin “Taksim” janë quajtur terroristë. U tha gjithashtu se kompania ajrore gjermane, “Lufthansa” po përpiqej të shkatërronte me qëllim një aeroport të ri, të rëndësishëm, në Stamboll. Në mediat sociale këtu ka thashetheme të pafundme për “shtet të thellë brenda shtetit të thellë”. Shkallë-shkallë, Turqia po shndërrohet në një vend të mbërthyer në paranojë. Ka dyshime publike në rritje se lajmet janë të filtruara ose të manipuluara.

Incizimet që kanë dalë në shesh së fundmi, kanë zbuluar se hulumtimet e opinionit të publikuara në gazetën kryesore, ndoshta kanë qenë të kurdisura për ta kënaqur qeverinë. Gazetarët kanë marshuar për të protestuar kundër shtypjes së lirisë së shtypit. Në vendin ku liria e të shprehurit është zvogëluar, ndërsa diversitetet në media janë rrudhur, mediat sociale janë e vetmja alternativë e komunikimit, informimit dhe keqinformimit. Një ligj i ri që ka kaluar në Parlament e ka  kërcënuar lirinë e shprehjes, edhe pse presidenti Abdullah Gul, që tha se do ta nënshkruajë atë, ka pranuar se disa pjesë të tij janë problematike. Nëse trazirat në Gezi kanë nxitur teori konspirative, hetimet aktuale të korrupsionit i kanë fryrë zjarrit. Zyrtarët qeveritarë vazhdimisht flasin për komplot të jashtëm. Turqia ka lëvizur shumë mirë, thonë ata, dhe tani aktorët e fshehur dëshirojnë ta ndalin atë nga rritja e mëtejshme. Këto akuza rezonojnë mes disa segmenteve të shoqërisë. Përse ne kemi nevojë për të shpikur teori konspirative? Një pjesë e përgjigjes qëndron në faktin se Turqia ende nuk është demokraci e pjekur dhe politikat e saj janë maskiliste, agresive dhe të polarizuara. Polarizimi i Turqisë e prek çdo shtresë të jetës shoqërore, kulturore dhe ekonomike. Kur kontrolli dhe balanca, ndarja e autoriteteve dhe liria e mediave janë në rrezik, atëherë ata në qeveri bëhen shumë të fuqishëm.

Një pjesë e përgjigjes qëndron edhe në frikërat e vjetra, që shkojnë shumë larg në edukimin tonë. Njëra nga këngët e fëmijërisë sime ishte “Një, dy, tre, rrofshin turqit… katër, pesë, gjashtë, Polonia ka rënë, shtatë, tetë, nëntë, rusët janë tradhtarë”. Fëmijët i kanë kënduar këto këngë pothuajse gjithkund në rrugë, duke brohoritur se italianët ishin dhelpra, e gjermanët derra…

Ne u rritëm duke besuar se Turqia në tri anë është e kufizuar me ujë, ndërsa në anën e katërt me armiq. Grekët kishin aspiruar të ripushtonin Stambollin dhe ta bënin Kostandinopojë. Arabëve nuk u zihej besë. Rusët kishin bërë komplot për të pushtuar Bosforin. Çdokush dëshironte një pjesë të Anatolisë, toka jonë, ndërsa i vetmi mik i një turku ishte një tjetër turk. Në të kaluarën, njëra nga anët e fuqishme e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të drejtuar nga Erdogan, ishte politika e jashtme me “zero probleme me fqinjët”. Por kjo politikë nuk ka qenë e qëndrueshme. Kjo qeveri, të cilën intelektualët liberalë e mbështetën me shpresën se do ta shtyjë Turqinë të anëtarësohet në Bashkimin Europian, që do të kufizojë rolin e ushtrisë dhe do të miratojnë reforma demokratike, në ditët e sotme ka ringjallur retorikën e vjetër. Kur zoti Erdogan flet, ai i drejtohet nënndërgjegjes së kombit. Ai flet për frikën tonë të moçme dhe ksenofobinë. Dhe pa e kuptuar, ne, miliona prej nesh, bëhen fëmijë përsëri, duke pritur në oborrin e shkollës për drejtor shkolle e baba për të na treguar se sa keqdashës është çdo i huaj dhe se si ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër botës. Sidoqoftë, në të njëjtën kohë, ky mentalitet i deformuar nuk arrin të joshë më. Kohët kanë ndryshuar. Të rinjtë janë shumë më të hapur ndaj botës sesa gjeneratat e mëparshme, dhe njerëzit janë një hap para politikanëve të tyre. Sa më shumë që ne “i kapërdijmë” teoritë e konspiracionit, turqit nga ana tjetër ndihen shumë, shumë të lodhur nga ato.

Leave a Reply