Replikë në lidhje me shkrimin e Eshref Ymeri me titull “Ribashkimi i trojeve shqiptare! 17-02-2014- (Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)”

Alban-Daci-300x217Alban Daci

 I nderuar profesor z. Ymeri, së pari të falënderoj që ke bërë një shkrim të tillë ku me zell e me shumë pasion e ke shkruar për mua dhe Frontin Demokristian Shqiptar. Dua të japin versionin e vërtetë të fakteve dhe jo iluzione apo pasioni të orientuar nga të tjerët. I nderuar profesor z. Ymeri ju thoni në shkrimin tuaj se: “Në këtë material, zotëria Alban Daci, prezantohej si Këshilltar politik i këtij formacioni të ri politik. Kjo na qenka një parti e re që qenka themeluar në Diasporë”. I nderuar profesor, unë nuk prezantohem si Këshilltar Politik i FDSH, pasi unë jam i emëruar si i tillë nga Kryesia. Ndërsa, Fronti Demokratik Shqiptar që ju përpiqeni ta ironizoni me një ironi të trash aspak gjentile, nuk është Parti, por është lëvizje politike dhe kështu është përmendur edhe në shkrimin tim që ju e keni quajtur “Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje”.
Gjithashtu, i nderuar profesor meqë siç duket keni shumë kohë të lirë, mund të hysh në faqen zyrtare të facebook të Frontit Demokristian Shqiptar, ose në web-site www.fdsh.info e do e kuptoni duke e verifikuar vetë se Fronti Demokristian Shqiptar (FDSH) është themeluar në Diasporë. Jo vetëm kaq, por si asnjë lëvizje tjetër politike, ose parti politike shqiptare do të shikoni se FDSH, ka mbi 50 degë, të cilat kanë një shtrirje gjeografike nga Kanada, SHBA, vendet europiane dhe thuajse të gjitha qytetet e Italisë. Madje, në Amerikë deri tani ka dy degë.
I nderuar profesor është e vërtetë që unë kam qenë figurë e rëndësishme e Aleancës Kuq e Zi dhe ndjehem krenar për çdo aksion apo mendim që kam dhënë gjatë kohës që kam qenë i angazhuar tek AK. Gjithashtu, meqë siç duket, ju nuk qenkeni në dijeni, unë, menjëherë pas zgjedhjeve kam dhënë dorëheqjen time nga çdo forum drejtues i AK duke dhënë edhe shpjegimet e mia.
Ju falënderoj se ju më keni ndjekur në shkrimet, intervistat e mia dhe në opinionet që kam shprehur. Unë, për çdo gjë që kam thënë, kam bërë e kam shkruar jam plotësisht i vetëdijshëm, ndjehem krenar dhe nuk heq asnjë presje, pasi ato janë mendimet e mia origjinale që vijnë nga formimi im familjarë, një ndër familjet më patriotike e fisnike në Shqipëri si dhe nga formim intelektual perëndimor.
Në shkrimin tim kam bërë edhe  pyetje në se është Fronti Demokristian lëvizje politike lokaliste? Dhe përgjigja ime është: “Fronti Demokristian Shqiptar duke qenë se në gjirinë e tij ka shumë shqiptarë nga Diaspora e duke poseduar një shtrirje që cek tre kontinente, është lëvizje politike kombëtare. Megjithatë, ajo është në koherencë me proceset e globalizimit. Kështu, misioni i Frontit Demokristian Shqiptar është të mbrojë e të nxjerrë në pah vlera lokale, të cilat për shkak të anarkisë sociale që po kalon vendi, shumë herë janë harruar e ndonjëherë janë edhe asimiluar”.
Ju keni shkruar si më poshtë: “Hajde ta kuptosh përgjigjen e zotërisë Alban Daci se Fronti Demokristian Shqiptar na qenka një lëvizje politike kombëtare, por na qenka edhe në koherencë me proceset e globalizimit! Çdo të thotë kjo përgjigje? Kjo, me sa duket, do të thotë: do të hyjmë në Evropë të globalizuar dhe s’është nevoja të mendohet për problemin më jetik që qëndron para kombit shqiptar: ribashkimin e trojeve etnike që Evropa na i copëtoi padrejtësisht në vitin 1913. Kur ishte në strukturat drejtuese të “Aleancës Kuq e Zi”, zotëria Alban Daci kishte përqafuar platformën kryesore të saj: ribashkimin e trojeve tona etnike, duke nisur nga ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Tani ky zotëri e paska kthyer pllakën dhe, si këshilltar politik i Frontit Demokristian Shqiptar, fillon të propagandojë globalizimin, ashtu siç deklaron Tirana zyrtare, sipas së cilës ribashkimi i trojeve tona etnike do të bëhet në Bruksel! Idenë e globalizimit, zotëria Alban Daci e përforcon edhe më shumë në përgjigjen e pyetjes së mëposhtme”.
Prof. Ymeri tani në lidhje me këtë përgjigje që keni dhënë ju ka dy mundësi. Së pari, ndoshta ju shtireni e ju pëlqejnë të bëni sikur nuk kuptoni. Së dyti, ndoshta u ka mbetur aq mbrapa ora sa nuk jeni më të vërtetë në gjendje ta kuptoni. Megjithatë, profesor, mos u mërzisni, sepse ne jemi njerëz dhe nuk mund t’i kuptojmë dhe ti dimë të gjitha. Të gjitha i dinë vetëm Perëndia. Profesor në këtë botë jo çdo gjë, çdo proces apo fakt jetësor lidhet me  dilemën nëse shqiptarët duhet të bashkohen së pari e pastaj të hynë në Europë, ose të hynë në Europë e kështu janë të bashkuar sipas modelit të BE. I nderuar profesor ajo që më çudit është tek disa shqiptarë që kanë vite që jetojnë jashtë, ku ndoshta bëni pjesë edhe ju, është fakti se nga larg japin leksione, shkruajnë mendime të bukura, por kurrë nuk preferojnë të trazojnë jetën e tyre për çështje të përbashkëta kombëtare. Meqë, ju me keni ndjekur e më keni lexuar ju i dini qëndrimet e mia në lidhje me këto tema. Jo vetëm kaq, por ndryshe nga ju e tjerë të ngjashëm si ju, unë në shi, në baltë, në këmbë, nën presione, kam punuar ditë e natë në terren si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Diasporë për çështjen e bashkimit kombëtar dhe për çështjen kombëtare. Ajo që duhet të nënvizohet është se gjithçka që kam bërë  e kam për bërë shqiptarizëm, për idealizëm dhe pa marrë as edhe një kacidhe. Përkundrazi, kam harxhuar lekët nga xhepi im. Lekët të ndershme të nxjerra nga ushtrimi i profesionit dhe lekë të familjes time të ndershme intelektuale.  Kështu, do ju lutesha të mos jepni më leksione për çështje kombëtar, sepse persona si ju as nuk i kam marrë për bazë e as nuk kam për ti marrë për bazë. Unë, vlerësoj e bashkëbisedoj me të gjithë ata që për çështjen kombëtare kanë dal në “mejdan” duke luftuar edhe me politikën antikombëtare shqiptare që ju ndoshta ndonjëherë e kur ju leverdis e lavdëroni, duke luftuar edhe kundër forcave të policisë që përdoren nga politika antikombëtare shqiptare.
Në shkrim kam drejtuar pyetjen: “Kush është pozicioni i Frontit Demokristian Shqiptar në raport me BE?”. Kësaj pyetje i jam përgjigjur si më poshtë: “Fronti Demokristian Shqiptar ka të njëjtin qëndrim me atë që ka familja e madhe demokristiane europiane. Për Frontin Demokristian Shqiptar edhe nëse nuk do të ekzistonte BE, do ta kishim krijuar një të ngjashëm për të jetuar të bashkuar, në harmoni dhe për të menaxhuar më mirë e së bashku kontinentin tonë, ku ne si popull shqiptar kemi lënë ndoshta gjurmët e para si banorë të tij”.
Ju në lidhje më këtë keni bërë këtë koment: “Vajmedet ç’na gjeti! Edhe sikur të mos ekzistonte Bashkimi Evropian, këtë do ta shpikte Fronti Demokristian Shqiptar, për hir të të ashtuquajturit globalizim! Domethënë, t’i largohemi sa më shumë ëndrrës shekullore të kombit shqiptar për ribashkimin e trojeve tona etnike dhe të shkrihemi në globalizimin evropian! Nga nëntë pyetjet dhe nga nëntë përgjigjet e zotërisë Alban Daci, nuk preket absolutisht Çështja Kombëtare Shqiptare: ëndrra e ribashkimit të trojeve tona etnike.
Nga intervista e lartpërmendur, paçka se deklarohet që Fronti Demokristian Shqiptar qenka themeluar në Diasporë, nuk thuhet asgjë se kush janë nismëtarët e krijimit të tij, cila është qendra e këtij Fronti. Sepse vetvetiu lind pyetja: si qenka e mundur që këtyre nismëtarëve të themelimit të Frontit në fjalë në Diasporë, nuk iu interesuaka absolutisht Çështja e Ribashkimit Kombëtar, ndërkohë që Diaspora Shqiptare, sidomos Diaspora Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe vazhdon të mbetet vatër e pashuar e Çështjes së Ribashkimit Kombëtar? Sipas këndvështrimit tim, Federata “Vatra” është ylli i karvanit i Diasporës Shqiptare, e cila ribashkimin e trojeve tona etnike e ka në themelin e veprimtarisë së vet patriotike. Prandaj e quaj të arsyeshme t’u përmend lexuesve të nderuar një fakt konkret për qëndrimin e Federatës “Vatra” ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare: “Në intervistën për gazetën “Shqiptare” në mars 2012, kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, interpreton mendimin: “Fjala nacionalizëm tek ne nuk ka kuptimin e ekstremizmit, por është sinonimi i shqiptarizmit të kulluar…Zgjidhja e çështjes çame dhe bashkimi kombëtar, janë dy fillime ende të paarritura!..” (Citohet sipas: Neki Babamusta. “Çamëria, problem ndërkombëtar që kërkon zgjidhje”. Gazeta “Dielli”. 14 shkurt 2014).
I nderuar profesor, unë jam pjesë e Lëvizjes Federaliste Europiane, e cila kërkonte e kërkon të krijoi një federatë europiane që do të kishte për qëllim të krijonte Shtetet e Bashkuara të Europës. Ajo që kam shkruar unë se edhe nëse nuk do të ekzistonte Bashkimi Europian, do të kishim krijuar një të ngjashëm. Kjo është një ndër filozofit e Lëvizjes Fedarliste Europiane dhe nuk e kam shpikur unë. Përkundrazi, ju në mënyrë të pa skrupull keni shpikë diçka që nuk e kam thënë unë. Nuk ka asnjë frazë apo fjalë të shkruar nga unë në atë tekst ku shprehem se Fronti Demokristian Shqiptar do të shpikte BE dhe këtë për hir të globalizimit. Kësaj i thonë me të vërtetë profesor vajmedet për atë që ju thoni e shkruani. BE nuk është globalizim, por është një përgjigje europiane e globalizimit. Ndërsa për sa i përket faktit se nuk prek çështjen kombëtar, këtë nuk e kam bërë, sepse ashtu e kam munduar dhe nuk u jap juve llogari si dhe nga fakti se tashmë mendimet e mia janë të publikuara në lidhje me atë çështje.
Gjithashtu, ju hidhni aludime për faktin se Fronti Demokristian Shqiptar është themeluar në Diasporë. Së pari, ju si profesor përderisa jeni pjesë e rëndësishme e Diasporës, duhet të jeni të lumtur që Diaspora shqiptarë më në fund po tenton të riorganizohet. Madje, në emër të Kryesisë të FDSH dhe të forumeve ju bëj thirrje të bëheni pjesë e jona dhe të jepni kontributin tuaj. Gjithashtu, meqë ju keni dyshime, e shpresoj të jenë tuaja, që dalin nga logjika juaj racionale, ju ftoj përsëri të hyni në faqen zyrtare Frontit Demokristian Shqiptar në facebook dhe do të gjeni emrat dhe mbiemrat e personave që përfaqësojnë FDSH nga Kanadaja, SHBA, Europa dhe Shqipëria. Për shembull z. Eduart Ndocaj, Kryetari i FDSH  rrjedh nga një familje që ka 400 vjet shpi plaku e bajraku në njëjtën kohë. Stërgjyshi i tij, Gjok Deda ka vdekur në Tuz duke luftuar heroikisht kundër serbo-malazezëve. Nga këto djem e vajza është i formuar Fronti Demokristian Shqiptar.
Gjithashtu, ju në shkrim tuaj shkruani: “Nuk ishte e rastësishme fjala e Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili, pikërisht në kohën e duhur, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Shkup dhe në Vlorë, si edhe në disa qytete të tjera, deklaroi botërisht për domosdoshmërinë e ribashkimit kombëtar, brenda kufijve natyralë të Shqipërisë Etnike”.
I nderuar profesor, sinqerisht nuk arrij ta kuptoj se çlidhje ka këtu Berisha dhe çfarë keni dashur të thoni. Nëse keni gjera me Berishën apo kundër Berishës, adresojani atij dhe PD. Kur flasim për Frontin Demokristian Shqiptar flasim për diçka tjetër dhe të re për nga forma dhe sostanca.
Gjithashtu ju në shkrimin tuaj shkruani se:”Prandaj më vjen keq që Çështjen Kombëtare Shqiptare, Fronti Demokristian Shqiptar nuk e paska absolutisht në rendin e ditës. Ky fakt të bën të dyshosh se Fronti në fjalë duhet të jetë krijuar me frymëzime jashtëshqiptare. Këtë dyshim ma përforcon më shumë fakti që Vatikani, sipas faqes së internetit të zotit Feliks Taho të datës 29 tetor 2013, ka deklaruar botërisht: “Kosova, djepi i Kishës Ortodokse Serbe”.
Profesor në Shkenca nuk ka hamendësim, por çdo gjë që shkruajmë duhet të kalojë nga ajo që quhet harku i koshiencës, nga metoda empirike në atë inteligjibile. Prandaj, juve nuk u tolerohet të nxirrni përfundime pa pasur asnjë fakt apo provë. Fronti Demokristian Shqiptar deri më sot nuk ka dhënë opinione në lidhje me Bashkimin Kombëtar, jo se është kundra, por thjeshtë akoma nuk ka ardhur momenti për shkak se është në fazë organizimi.
Gjithashtu, për fat të mirë profesor, unë i përkas një brezi tjetër e nuk shikoj ëndrra natën se armiku është majtas, është djathtas, lart apo poshtë. Mos u bëni me fobi i nderuar profesor duke para kudo vetëm armiq. Po e ritheksoj edhe njëherë se nuk ka një rresht apo deklaratë ku FDSH shprehet kundër Bashkimit Kombëtar. Gjithashtu, ju shpifni në mënyrë të turpshme, jo profesionale e nuk e di se për çfarë arsyesh dukë thënë se: “Tani nuk është çudi që nesër, pasnesër, me frymëzime dhe nxitje jashtëshqiptare, të na dalin në skenë formacione të tjera politike, me emrin Fronti Ortodoks Shqiptar, Fronti Mysliman Shqiptar, Fronti Protestant Shqiptar, Fronti Bektiashian Shqiptar e ku ta di unë se çfarë frontesh të tjera. S’ka asgjë për t’u çuditur. Nuk është hera e parë që armiqtë tanë tradicionalë, interesat kombëtare shqiptare janë munduar t’i varrosin me përçarjen ndërshqiptare edhe me duart e vetë shqiptarëve antishqiptarë”. Kjo i nderuar profesor është e turpshme për ju. Po ku e shikoni se FDSH qenke me frymëzim antishqiptar? FDSH ka brenda saj djem e vajza që vijnë nga familjet më patriotike shqiptare që kanë dhënë edhe jetën për Kombin. Gjithashtu, mos u përpiqni në mënyrë të dështuar të bëni aludime mes Fronti Demokristian Shqiptar dhe shumë fronteve të tjera që ju qenkeni në dijeni se ekzistojnë. Ndërsa, me faktin se ju e mbyllni shkrimin me vargjet e një kënge labe, unë do e mbyll me një thënie dibrane: Mos fol me gojë para mendjes i nderuar profesor.