Strategjia për punësim, Rama: Nuk vuajmë për ligje, por për zbatimin e tyre

Home » Aktualitet » Strategjia për punësim, Rama: Nuk vuajmë për ligje, por për zbatimin e tyre

By Redaksia on February 26, 2014. No Comments

str“Shqipëria nuk ka vuajtur asnjëherë për strategji, por për jetësimin e tyre. Problemi ynë kryesor nuk ka qenë mungesa e legjislacionit, përshtatja me legjislacionin e BE-së apo mungesa e planeve, por mënyra e zbatimit të tyre”. Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, përgjatë prezantimit të “Strategjisë Kombëtare për Punësim e Aftësi 2014-2020”, të ndërmarrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale.

Kreu i qeverisë theksoi se reforma kryesore e qeverisë mbetet ajo territoriale, për të cilën qeveria është angazhuar në mënyrë të veçantë për zbatimin e saj.

Më tej duke folur për strategjinë e punësimit, Rama tha së ajo është mjet dhe jo qëllim në vetvete.

“Ajo që dua të theksoj sot është se jemi në kushtet kur një ministri e rëndësishme për kohën që jetojmë prezanton një strategji që është mjet dhe jo qëllim. Është një fillim dhe jo fundi i një rruge të parashikuar për t’u përshkuar si një stafetë me arritje konkrete, në lidhje me qëllimin që është madhor, rritja e punësimit. Besoj se kjo strategji është mjet dhe jo qëllim, ndaj bën edhe diferencën në një kohë kur është mbyllur një kapitull i historisë sonë, të rritjes ekonomike pa punësimin, kur më shumë se asnjëherë tjetër kemi një ekonomi prodhuese që rigjeneron vende pune, kur shifrat e rritjes nuk mbeten kode të pakuptueshme për ata të cilët kërkojnë një vend pune. Hapja e vendeve të punës mbetet prioriteti ynë më i madh”,  -deklaroi kryeministri Rama.

Ndërsa Ministri Erjon Veliaj ka theksuar se qëllimi i kësaj strategjie është nxitja e vendeve të punës cilësore, rritja e cilësisë së shkollave profesionale, përfshirja e grupeve në nevojë në strategjinë e punësimit, si dhe transformimi i shërbimeve dhe programeve të zhvillimit.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi një fuqi punëtore të pakualifikuar dhe kualifikimi i tyre nuk i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të kohës. Ajo që gjetëm është se kishim zyra pune për të cilat duhej mik vetëm për ta gjetur zyrën e punës, dhe jo për të marrë shërbime dhe ndërmjetësime në punë. Sistemi i punësimit që menaxhonte një fond për nxitje të punësimit nuk ishte i tillë, dhe çdo biznes i rrinte larg, sepse kuptonte se ky fond ishte gjithçka por jo i ndershëm. Qendrat e arsimit profesional janë industria e vanitetit”, -tha Veliaj.

Leave a Reply