Fitore rutinë e Skënderbeut, ndjekin Laçi e Partizani

Vllaznia arrin të dalë me një barazim nga Kukësi

Lojtaret e Skenderbeut, duke festuar shenimin e nje goliSkënderbeu ka bërë formalitet luftën për titullin kampion në Kategorinë Superiore, pasi korçarët as që kanë ndër mend të ulin ritmin e tyre. Kur kanë mbetur vetëm 10 javë deri në fundin e kampionatit, diferenca prej 11 pikësh me Laçin e vendit të dytë, si dhe lehtësia me të cilën korçarët kalojnë çdo kundërshtar, bën që kurioziteti i vetëm të mbetet java kur matematika do të çojë titullin e katërt radhazi në Korçë.

Kryesuesit e kampionatit kanë fituar dje lehtësisht me rezultatin 3-1 përballë Kastriotit, skuadrës që aktualisht mbyll tabelën e klasifikimit. Diferenca cilësore mes dy ekipeve ishte e dukshme dhe kjo tregohet nga lehtësia me të cilën korçarët kanë shënuar në portën krutane, falë kombinimeve të njëpasnjëshme që nxorën të vetëm përpara portierit krutan me radhë Muzakën, Pejiçin dhe Ribajn. Goli i Semiran Çelës në pjesën e dytë shërbeu vetëm si statistikë personale, pasi për Kastriotin nuk ndryshon asgjë në luftën për mbijetesë.

Në vendin e dytë në renditje vazhdon të mbetet Laçi, që ka siguruar fitoren e shtatë sezonale me rezultatin 1-0, duke mposhtur këtë radhë Lushnjën. Goli i shpejtë i Julian Malos ishte ai që siguroi tri pikët për laçianët, të cilët dominuan në lojën e tyre, por nuk transformuan këtë epërsi territoriale në gola të shënuar në portën kundërshtare. Megjithatë, skuadra e Nicës vazhdon të ruajë vendin e dytë në klasifikim, me shpresën që nëpërmjet kampionatit të sigurojë një tjetër pjesëmarrje në Kupat e Europës.

Vendi i tretë vazhdon t’i përkasë Partizanit, që ka fituar me rezultatin 2-0 ndaj Bylisit në “Qemal Stafa”. Të kuqve u kanë mjaftuar dy gola të shënuar me penallti nga Memelli dhe Nexhipi në pjesën e parë për të marrë tri pikët, përballë ballshiotëve që larg fushës së tyre thuajse as nuk përpiqen më të luajnë futboll. Ekipi kryeqytetas ka dominuar në lojë dhe në raste të krijuara, duke goditur shtyllën me Nexhipin në pjesën e dytë, por pa arritur të përmirësojë bilancin e golave të shënuar në portën kundërshtare pavarësisht tentativave të shumta.

Sfida më e shumëpritur e ditës së djeshme ishte ajo që luhej në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit, ku vendasit viheshin përballë Vllaznisë, dy skuadra që kërkojnë pikë në kampionat pavarësisht objektivave krejtësisht të ndryshëm që kanë. Zërat për tolerim të kuksianëve ndaj ekipit shkodran kishin bërë që sfida të pritej me skepticizëm dhe për shumë minuta, parashikimi është respektuar. Ishte Vllaznia që kaloi në avantazh që në minutën e 13-të me anë të Dibrës, ndërsa Kukësi krijoi lojë, por jo raste për t’u shënuar para katërkëndorit të mbrojtur nga Vujadinoviç. Por në pjesën e dytë, vendasit zgjohen nga gjumi dhe pas insistimit të vazhdueshëm, gjejnë golin e barazimit kur mbeteshin edhe 10 minuta lojë. Ndonëse të dy ekipet kishin raste të tjera për të shënuar në këto 10 minuta të mbetura, rrjetat mbetën të paprekura, duke bërë që dy skuadrat të ndajnë nga një pikë që shërben shumë pak në objektivat që këto skuadra i kanë caktuar vetes deri në përfundimin e kampionatit.

Kategoria Superiore

Java 23 / Rezultatet

Skënderbeu-Kastrioti 3-1

20’ Muzaka, 33’ Pejiç, 75’ Ribaj / 84’ Çela

Laçi-Lushnja    1-0

10’ Malo

Kukësi-Vllaznia 1-1

82’ Hysa / 13’ Dibra

Partizani-Bylis 2-0

5’ (p) Memelli, 45’ (p) Nexhipi

Sot

Besa-Flamurtari

Teuta-Tirana

 

Renditja

Skuadra    Nd.  P.

Skënderbeu 23   48

Laçi 23   37

Partizani  23   36

Kukësi     23   34

Teuta 22   31

Besa 22   30

Flamurtari 22   30

Vllaznia   23   26

Tirana     22   26

Bylis 23   24

Lushnja    23   23

Kastrioti  23   22