Arsimi shqiptar ne Udhekryq

Home » Aktualitet » Arsimi shqiptar ne Udhekryq

By Redaksia on May 8, 2014. No Comments

10178043_629251167156176_2152074709482095022_nAlban Daci

Marrja e titujve të ndryshëm akademik në Shqipëri është bërë më shumë se një domosdoshmëri për të rritur vlerat personale akademike dhe për të rritur nivelin akademik në shërbim të vendit, një modë e shëmtuar. Në Shqipëri, me përjashtim të çdo vendi të Botës Perëndimore, të duhet apo nuk të duhet, e justifikon apo nuk e justifikon, një master apo një doktoraturë duhet ta kesh, se ndryshe nuk je gjë, dhe nuk futesh në grupin e “elitës” intelektuale.

Në Perëndim, duke qenë se i gjithë sistemi arsimor është bazuar vetëm mbi principin e meritokracisë, për çdo titull që merr duhet të djersitësh shumë. Për këtë arsye, çdo diplomë e marrë ka vlerësimin dhe respektin e saj maksimal.

Gjithashtu, jeta në Perëndim është shumëdimensionale, si në aspektin e fushave të veprimit jetësor, ashtu edhe në faktin, se është shumë e vështirë që të gjithë të arrijnë të kryejnë studimet universitare, apo pasuniversitare.

Në Europë, për shembull, jo të gjithë arrijnë të kryejnë studimet e larta dhe jo të gjithë e kanë të domosdoshme kryerjen e studimeve të larta. Profesionet e mesme janë shumë të domosdoshme dhe efikase.

Në Itali, shumë të rinj mbarojnë shkolla të mesme për shef kuzhine, për turizëm dhe hoteleri, për mekanik, hidraulik, elektricist dhe gjeometër. Të gjithë, që mbarojnë këto profesione të mesme, jo vetëm ndjehen krenar për titullin e përfituar me djersë e mundë, por arrijnë të sigurojnë një jetë të garantuar profesionale, të respektuar nga qytetarët dhe të mirë paguar nga punëdhënësit.

Në Perëndim jo të gjithë duhet të jenë doktorë shkencash për të siguruar një jetë të mirë dhe për të qenë të respektuar në shoqëri. E kundërta ndodh vetëm në Shqipëri, ku shumë persona në letër bëjnë një, dy ose më shumë universitete të larta, të cilat, të gjitha së bashku nuk kanë vlerën as sa një diplomë e vetme me rezultate të dobëta të mbrojtur në një  universitet perëndimor. Duke qenë se mbrojtja e një diplome universitare në Shqipëri është bërë qesharake për nga serioziteti akademik dhe për faktin se mjafton pak para për ta blerë, atëherë plot injorantë të pasuruar në mënyrë të paqartë në periudhën e tranzicionit kanë filluar të marrin një, dy, tre diploma dhe t’i vendosin në muret e shtëpive dhe zyrave si trofe të pamerituara.

Çdo njeri matet sigurisht për diplomën që ka marrë me meritë, por më shumë matet nëse ai arrin të lë gjurmë në shërbim të komunitetit në fushën në të cilën ka marr diplomën universitare. Si mund t’i quash njerëz që kanë lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare, persona që kanë titull akademik dhe nuk kanë shkruar asnjë rresht dhe nuk kanë trajtuar asnjë temë të nxehtë të shoqërisë ose të komunitetit për t’i gjetur një zgjidhje pozitive dhe në shërbim të gjithëve.

Ka shumë të rinj shqiptarë që kanë kryer studimet universitare dhe pasuniversitare në Perëndim dhe e dinë shumë mirë se sa e vështirë është dhe sa punë e djersë duhet për të marrë një diplomë të çdo niveli qoftë.

Niveli arsimor shqiptar është jashtë çdo standardi dhe krejtësisht informal. Arsimi i lartë shqiptar, si privat ashtu edhe shtetëror, është krejtësisht jashtë çdo standardi. Për shembull, në disa universitete private, në kundërshtim me Kartën e Bolonjës, pedagogët dhe studentët detyrohen nga administratorët të bëjnë botime shkencore si dhe të paguajnë para për çdo botim të realizuar.

Si mund të tolerohet një gjë e tillë. Njeriu, pavarësisht nga profesioni që bën, duke përjashtuar rastet e punës vullnetare të vullnetshme, duhet të paguhet për punën që bën dhe jo të paguaj. Gjithashtu, po në universitetet private, dihet tashmë fakti, se të gjithë diplomohen kundrejt pagesave.

E mjerueshme është situata edhe në universitet publike, të cilët janë të mbushur me korrupsion. Shumë studentë duhet të paguajnë shuma parash për të kaluar provimet. Problem tjetër i madh është rekrutimi i stafit akademik, i cili është krejtësisht jo profesional, por bëhet mbi bazën e parave, nepotizmit si dhe emërimeve politike ose klanore.

Në renditjen e fundit të universiteteve botërore, këta tanë ishin në pozicionimet e fundi (si Universiteti i Tirana në vendin e 8735) etj. Mbrapa universiteteve tona ishin vetëm ato   të Haiti, Etiopisë, Kamboxhias, Beninit.

Prodhim akademik i profesorëve apo pedagogëve është në limitet e zeros. Kemi plot njerëz që mbajnë mbi supe për vite me radhë tituj akademik dhe që nuk kanë shkruar asnjë libër, asnjë punim shkencor.

Problem, tjetër i madh është fakti se shumë persona, të cilët punojnë në mësimdhënie në universitet private ose publike, jo vetëm nuk e meritojnë në bazë të kritereve akademike, por nuk kanë as respektin më të vogël për profesionin e shenjtë që bëjnë. Mungojnë në shumicën e ligjëratave, nuk janë të disponueshëm për konsulenca me studentët. Profesorët në Europë shquhen për horizonte të larta akademike, për thjeshtësinë njerëzore dhe për dashurinë e madhe që kanë për dijen. Ndërsa një pjesë pedagogësh ose profesorësh në Shqipëri, të ngjajnë me rrugeçër të vërtetë, që nuk kanë as etikë e as pamje prej personi që përfaqëson dhe shpërndan dije.

Problem madhor në sistemin arsimor parauniversitar mbetet mungesa e ambienteve të mjaftueshme (klasave), ku nxënësit mund të zhvillojnë mësimin. Për shkak të mungesës së mjediseve, shumë nxënës janë të detyruar të zhvillojnë mësimin me turne,

Ka vite që kjo problematikë ekziston duke përfshi edhe shkollat e kryeqytetit. Gjithashtu, kemi një mbipopullim të klasave, sipas normativës një klasë nuk duhet të ketë më shumë se 25 nxënës, në të vërtetë nuk mungojnë rastet, kur një klasë ka edhe mbi 40 nxënës.

Kjo jo vetëm se është kundër çdo normative europiane, por në të njëjtën kohë bën të mundur zhvillimin e mësimit ashtu si duhet. Berisha mburret me ndërtimin e shkollave. Jo vetëm që kjo nuk është e vërtetë, por edhe sikur të ishte e vërtetë nuk e zgjidh problemin e zhvillimit të mësimit me turne.

Kriteri i vënë nga Ministria e Arsimit është se si njësi matëse është klasa dhe jo shkolla. Pra, nëse një shkollë e re ndërtohet me tre klasë, kur për numrin e nxënësve duhen 5 klasë. Atëherë shkolla e ndërtuar nuk justifikon investimin dhe nuk zgjidh problematikën. Këtë metodë ka ndjekur Qeveria Berisha, sepse nuk shton numrin e mësuesve, sepse buxheti që është në dispozicion për arsimin është shumë i vogël dhe nuk mjafton për të paguar mësuesit.

Problem tjetër janë tekstet alternative (siç quhet ndryshe me termin alterteksit), të cilët janë të pakontrolluara dhe në shumicën e rasteve nuk plotësojnë standardet e kërkuara. Reforma e altertekstit është kthyer në një mekanizëm në miratimin e teksteve të klientëve të pushtetit. Më dukshme kjo reformë në përzgjedhjen e teksteve, ku procedurat e shkruara nuk zbatohen fare. Drejtorët e DAR/ZA përdorin presionin për të zgjedhur tekstet e porositura nga njerëzit e lidhur me pushtetin. Nuk ka procedura të qarta në zgjedhjen e vlerësuesve të teksteve.  Nuk ka transparencë për procesin. Nuk ka prindër në komisione për të vëzhguar edhe pse jo dhe për te ndihmuar në këtë proces. Nuk ka mekanizma që funksionojnë për të përmisuar cilësinë e teksteve shkollore.  Në rastet  kur librat (rastësisht) të klientëve të pushtetit nuk janë miratuar janë ngritur komisione të tjera, të cilat porositen për t’i miratuar.

Problem tjetër është fakti, se tekstet që i përkasin gjuhës shqipe, nuk përputhen me metodikën shkencore. Në shumicën e rasteve tekstet janë shumë të vështira dhe nuk përputhen me moshën dhe klasën.  Është shumë i dobët niveli i ilustrimeve, nuk ka asgjë tjetër veçse figurave të deformuara që nuk përcjellin asnjë mesazh.  Ja car shkruan në tekstin e Gjuhës Shqipe në faqen 35 për klasat e dyta Cikël i Ulët.

….Stërgjyshi lekë jetonte krejt i vetëm në një fshat të vogël në mes të një livadhi. Herë pas here e vizitonin dy stërnipat, Marta dhe Martini. Gjatë udhëtimit me makinë, i bënin njëmijë pyetje babait të tyre, që ishte nipi i stërgjyshit Lekë.  Kush e di si do të jetë bërë stërgjyshi?! A do t’i jetë rritur mjekra? Mos është bërë si babagjyshi i Krishtlindjes?! A do na njohë vallë? Teksti vazhdon kështu. Ajo që vihet re se gjuha e përdorur është shumë e vështirë, fjalitë janë të thata e të pakuptimta. Gjithashtu teksti mbyllet pa dhënë asnjë mesazh…

Gjithashtu në shumicën e shkollave aplikohet një metodik e gabuar, ku nxënësi shihet si objekt që vetëm duhet të marr të dhëna dhe jo të jap mendime. Pra, mes mësuesit dhe nxënësve nuk kërkohet inter-aksion. Madje, disa mësues shkojnë më tej, duke e cilësuar vetën të suksesshëm nëse në klasën e tij të gjithë heshtin. Kjo është një metodë klasike që nuk i përgjigjet më kohës. Sot ora e mësimit të duhet të jenë shembull inter-aksioni mes nxënësve dhe mësuesve. Duhet të prodhoj debat, kreativitet dhe alternativë mendimi.

Një problem tjetër i rëndësishëm që lidhet edhe me mënyrën se si punësohet punonjësit civil, ka të bëj me emërimet që bëhen në Ministrinë e Arsimit si dhe në Drejtoritë e Rretheve. Sipas informacione të dhëna nga disa specialistë ish të punësuar në Ministrinë e Arsimit, sot kjo ministritë është në ditët e saj më të vështira që nga Shpallja e Pavarësisë. Kjo ka ndodhur për shkak se shumica e emërimeve janë nepotike dhe nuk pasqyrojnë aspak profesionalizëm, por edhe për faktin se ato pak specialistë që janë mbulojnë sektorë me të cilët nuk kanë asnjë lidhje profesionale.

Për shembull: Ministria e Arsimit është e mbuluar me juristë, ku nevojë reale ka vetëm për një të tillë. Është mbushur gjithashtu me ekonomist, kur të domosdoshëm ka vetëm një të tillë. Ka fare pak ose aspak të punësuar në administratën e kësaj ministrie mësues. Gjithashtu lëvizjet brenda për brenda bëhen sipas ekuilibrave, kur largohet një drejtor automatikisht ndryshon i gjithë stafi i tij, duke mos respektuar eksperiencat profesionale. Ekonomistët shkojnë të mbulojë politikat juridike e juristët të mbulojnë politikat ekonomike. Këto emërime të lidhura ngushtë me ekuilibrat e brendshëm të administratës dhe jo me eksperiencat profesionale, bëjnë të mundur që edhe suksesi i Ministrisë së Arsimit në fushën e arsimit të jetë miopik.  MASH ka bërë që asnjëri prej specialistëve të saj në vendin ku është kualifikuar. Të gjithë janë në ato vende, ku nuk janë  profesionistë. Edhe në Drejtorinë Rajonale (DAR) dhe të Zyrave të Arsimit (ZA) strukturat janë ineficiente. Në DAR ka 3 mësues, 3 juristë (seç duhen tre një zot e di, një do të mjaft do të ishte, ka 4 financier pa kuptim, pra një strukturë totalisht, jashtë çdo lloj logjike profesionale).

Rishikimi i reformave së Maturës Shtetërore, e cila është kthyer në një garë se kush mund të kopjoj më shumë, ku vetë Drejtorët e DAR/ZA krijojnë klasa për nxënës të veçantë dhe i favorizojnë për të kopjuar. Mungesa e transparencës në sistemin e përpunimit të të dhënave të Maturës është një problem që duhet ndryshuar. Në të duhet të ketë akses i gjithë publiku i interesuar. Sistemi meritë-preferencë ka dështuar, sepse askush nuk merr sipas meritës, sepse shumica kopjon, dhe një pjesë e madhe e nxënësve nuk marrin sipas preferencës për shkak të mungesës së informacionit në mbushjen e formularëve.

Problem madhor si për sistemin universitar dhe në atë parauniversitar mbeten korrupsioni, i cili është i pranishëm si në formën pasive ashtu edhe në atë aktive.  Në sistemin parauniversitar, kemi plot raste, ku personat për t’u punësuar si mësues kanë paguar shumë të caktuara parash.  Gjithashtu, nuk mungojnë rastet, ku pedagogët marrin para nën dorë për të kaluar studentët.

Mungesa e një transparence, problemet e korrupsionit si dhe fakti se buxheti i vënë në dispozicion për arsimin është i vogël, kanë bërë të mundur që analfabetizmi të rritet në shifrat 15%. Këto janë të dhëna zyrtare të USAID-it.

 

Leave a Reply