Kamza 2014- Përfundon me sukses Festivali Multikulturor

Home » Aktualitet » Kamza 2014- Përfundon me sukses Festivali Multikulturor

By Redaksia on May 10, 2014. No Comments

14-fest (2) 14-fest (1) 14-fest (8)Është përmbyllur me sukses mbrëmë Festivali Multikulturor Kamza 2014. Edicioni i dytë i këtij festivali njohu edhe fituesin e tij, grupin e shoqërisë kulturore artistike “Xheladin Zeqiri” Tetovë. Megjithatë, interpretimet e artistëve nga të gjitha trevat shqiptare kanë qenë të mrekullueshme, duke i dhënë emocione publikut që e ndoqi me kërshëri për tri net me radhë festivalin.

Si ngjarja kulturore më e rëndësishme për qytetin, ky festival po kthehet në traditë. Këtë e ka treguar edhe interesimi i qytetarëve të Kamzës, të cilët kanë pasur mundësi të shohin interpretimet e artistëve edhe në skenën e ndërtuar në ambientet jashtë Pallatit të Kulturës, duke qenë se salla e teatrit ka qenë e mbipopulluar.
Organizimi i festivalit nga Qendra Kulturore Kamëz, nga Bashkia dhe në kujdesin e veçantë të kryetarit të saj, z. Xheal Mziu, ishte një tjetër sukses, pasi tregoi edhe një herë se Kamza është e aftë të organizojë veprimtari të përmasave mbarëkombëtare, madje edhe ndërkombëtare. Kujtojmë se krahas festivalit, zhvillon në Kamëz punimet e saj edhe konferenca ndërkombëtare e projektit JOGGLE, me pjesëmarrjen e bashkive nga Italia, Rumania dhe Bullgaria, delegacionet e të cilave kanë ndjekur natën finale të festivalit multikulturor.
Nata finale e festivalit përcaktoi edhe grupet më të mira. Juria e festivalit shpalli fitues grupin e shoqërisë kulturore artistike “Xheladin Zeqiri” të Tetovës. Në vendet e dyta grupi i Kamzës dhe ai i Drenasit, ndërsa në vendet e treta u shpallën grupi i Librazhdit, grupi i Prizrenit dhe grupi artistik “Zëri i Trebeshinës”.

Leave a Reply