Mbyll punimet konferenca ndërkombëtare në Kamëz

Home » Aktualitet » Mbyll punimet konferenca ndërkombëtare në Kamëz

By Redaksia on May 11, 2014. No Comments

1001966_759175324133827_6850280231860245946_n

Mbyll punimet konferenca ndërkombëtare në Kamëz, me pjesëmarrjen e pesë njësive vendore nga katër shtete evropiane

Kryebashkiaku Mziu, thirrje bashkive pjesëmarrëse që bashkëpunimi të mos mbyllet me këtë konferencë, por ky të jetë vetëm fillimi

Ka mbyllur punimet konferenca ndërkombëtare që u zhvillua në Kamëz, me pjesëmarrjen e pesë njësive vendore nga katër shtete evropiane. Kjo konferencë ishte e dyta, në kuadrin e projektit JOGGLE – JOin Generations for Getting Legality in Europe” (Breza të bashkuar për marrjen e ligjshmërisë në Evropë), projekt i financuar nga programi “Evropa për qytetarët” i Këshillit të Evropës.
Në këtë ditë përmbyllëse të punimeve të konferencës, kanë përshëndetur përfaqësuesit e njësive vendore partnere të projektit për organizimin e shkëlqyer të saj. Të gjithë janë shprehur për një vijim të bashkëpunimit të mëtejshëm midis tyre, duke bërë realitet edhe marrëveshjen e nënshkruar në ditën e dytë të konferencës.
Ndërkaq, në përfundim të konferencës, ka mbajtur një fjalim përmbyllës edhe kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, si organizator i saj.
Fillimisht ai ka falënderuar Këshillin e Evropës për këtë projekt, gjithashtu edhe koordinatoren e projektit, znj. Gabriella Bigatti, jo vetëm për mundësinë që i dha Kamzës për të qenë pjesë e këtij projekti, por edhe për mundësinë për të organizuar këtë konferencë në qytetin e Kamzës, një rast i veçantë për qytetet e vendeve jashtë Bashkimit Evropian.
“Organizmi i kësaj konference është një arritje e jashtëzakonshme, është një mundësi më shumë për eliminimin e hendeqeve midis qyteteve dhe shteteve dhe besoj se kjo konferencë i ka vlejtur shumë veçanërisht qytetit të Kamzës, jo vetëm Bashkisë, por edhe komunitetit dhe mund të themi me plot gojën se ka vënë një tullë më shumë, nëse do ta quanim kështu, për qytetin e Kamzës në murin e saj të integrimit të mëtejshëm”, – është shprehur z. Mziu, i cili ka deklaroi se në këto tri ditë intensive ka pasur një angazhim total, por kryesorja është se kulmi i kësaj konference përkonte me 9 majin, Ditën e Evropës, një ditë mjaft e ngjeshur.
“Gjatë konferencës ndoqëm lektorë nga katër shtete të ndryshme, por edhe personalitete të larta që kanë përshëndetur konferencën dhe që e lartësuan edhe më tej këtë atë. Jam i sigurt që ata jo vetëm kanë sjellë një eksperiencë të tyren, por i kanë bërë edhe një jehonë këtij aktiviteti. Me këtë rast gjej momentin për t’i falënderuar për këtë kontribut të jashtëzakonshëm që kanë dhënë për konferencën, por sidomos për qytetin e Kamzës”, – vijoi fjalën e tij kryebashkiaku i Kamzës.
Z. Mziu falënderoi moderatorët e ditëve të konferencës,z. Agim Kukeli, z. Ylli Asllani, si dhe z. Avenir Peka. Gjithashtu, ai falënderoi edhe z. Liberato Santaniello, kryetarin e Komunës Quindici të Italisë, si dhe delegacionin italian për kontributin e dhënë gjatë konference, ashtu si edhe për organizmin e konferencës së parë, që u zhvillua në Quindici në nëntor të vitit të kaluar. Po ashtu, ai ka falënderuar edhe delegacionet nga bashkitë e tjera: të Dorohoit nga Rumania, të Berkovitsës nga Bullgaria si dhe Bashkinë Kuçovë, duke i përgëzuar për materialet e shpalosura gjatë ditëve të konferencës, të cilat, sipas z. Mziu, ishin të një standardi të lartë.
Kryebashkiaku Mziu ka falënderuar edhe organizatorët e konferencës të Bashkisë Kamëz, drejtoritë dhe të gjithë sektorët që bënë të mundur realizimin me sukses të kësaj konference, duke qenë se zhvilloheshin dy veprimtari të rëndësishme njëherazi, si konferenca dhe festivali multikulturor.
“Po e mbyll këtë fjalë, duke qenë më se i sigurt se konferenca do të jetë një tjetër hap më shumë për integrimin e mëtejshëm evropian, – tha në përfundim të fjalës së tij z. Mziu. – Kjo konferencë, ky projekt nuk do të jetë i fundit dhe gjej rastin për t’u bërë thirrje specialistëve të të gjitha bashkive të pranishme që të aplikojnë në të tjera projekte të Bashkimit Evropian. Unë u bëj thirrje bashkive dhe znj. Gabriella Bigatti që bashkëpunimin të mos e mbyllim me këtë konferencë të dytë, madje as me të tretën, por kjo të jetë A-ja, vetëm fillimi, sepse kemi nevojë, por ata që kanë më shumë nevojë janë qytetet tona, sidomos qytetet e Shqipërisë, në mënyrë që të gjithë të ndihmojnë që këto qytete të bëhen pjesë e BE-së.
Edhe një herë falënderime të përzemërta për të gjithë ata të cilët ndikuan në mbarëvajtjen dhe mbylljen me sukses të kësaj konference! Faleminderit!”

 

Leave a Reply