Një popull që shet votën s’ka moral të kërkojë llogari

Home » Aktualitet » Një popull që shet votën s’ka moral të kërkojë llogari

By Redaksia on May 29, 2014. No Comments

mentor kikia

Nga Mentor Kikia

Këto zgjedhje ishin më të mira se të kaluarat. U shënuan disa incidente, por ato nuk e dëmtojmë standardin e tyre në tërësi”. Kështu shkruhet thuajse në çdo raport të institucioneve monitoruese dhe vlerësuese të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Por çfarë nënkuptohet me standarde këtu? Dmth., që nuk kishte të shtëna me armë (masivisht), nuk kishte akte dhune, nuk kishte vjedhje masive të votës, me makina ushtrie si në vitin 1996, etj. Në dukje njerëzit shkojnë të qetë në votime, nuk e rrahin apo vrasin njëri- tjetrin para qendrave të votimit, nuk ka bomba si në Irak e Afganistan, votat numërohen me korrektesë dhe çdo parti krahas vëzhguesve zyrtarë, krijon edhe ekipet e të fortëve për garantimin e votës. Edhe në Rusi kështu votohet ku fiton vetëm Putin, edhe në Azerbajxhan, edhe në Kazakistan…
Me gjithë vlerësimet pozitive për standardet që përmirësohen, ka një standard që jo vetëm nuk po përmirësohet, por po degradon nga njëri proces zgjedhor në tjetrin dhe që po e shkatërron mu në qelizë demokracinë. Kjo është mënyra se si dhe përse votojnë shqiptarët. Sondazhi më i fundit i organizatës IDRA, bërë publik të mërkurën, ishte vërtet shokues. Një në tre shqiptar ka pranuar se ka shitur votën në zgjedhjet e fundit parlamentare. Jo se shitja e votës është një fenomen që na përmendet për herë të parë nga ky sondazh, porse kur të ofrohen të dhëna mbi përmasat, atëherë alarmi bëhet edhe më i fortë.
Ka tri kategori pazaresh me votën:
Shitje e votës për të mbajtur vendin e punës, pra dikush voton ashtu siç voton, jo sepse mendon që ajo është alternativa më e mirë, porse kështu mendon se do të mbajë vendin e punës.
Shtije për të siguruar një vend pune pasi partia që ai voton të vijë në pushtet. Edhe ky sërish nuk voton ashtu siç voton, sepse mendon që kjo është alternativa më e mirë, por sepse këtu mendon se do të gjejë një vend pune.
Shitje me para në dorë, ose me klering. Pra, një natë para zgjedhjeve, sekseri i kandidatit për deputet, kryetar bashkie a kryetar komune, shkon derë më derë dhe paguan para.
Kjo mënyra e fundit është edhe më tragjikja sa i përket standardit të demokracisë reale. Gjatë fushatave elektorale, jo vetëm asaj të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, kandidatët për deputetë dhe kryetar bashkie shkonin nëpër dyqanet e ushqimoreve në fshatra e qytete dhe grisnin në mënyrë demonstrative fletoret e borxheve, ku pronarët e tyre kishin shënuar listën e banorëve që nuk kishin paguar ushqimet, duke shlyer kështu detyrimet nga xhepi i tyre. Ndërsa prapavija elektorale shpërndante nëpër shtëpi pako me ushqime e thasë me miell dhe të tjerë sekserë shpërndanin para në dorë. Në varësi nga zona, pazari i blerjes së votës varionte 30 mijë lekë të vjetra në lagjet normale deri në 5 mije lekë të vjetra në lagjet e varfëra të fshatrave dhe kasollet e romëve në periferi të qyteteve.
Ky fenomen nisi si gjysmë ilegal dhe gradualisht u legalizua, derisa tani është bërë përcaktues në fitoren e zgjedhjeve. Paralelisht me përhapjen e fenomenit të blerjes se votës, u shtua numri tregtarëve të miellit (të të gjithë llojeve të miellrave), ndërtuesve, tregtarëve të karburanteve, skafistëve, e gjithfarësoj biznesmenësh, formalë e informalë, të cilët u futën në parlament apo morën drejtimin e pushtetit vendor. Ata nuk kishin asnjë ide dhe asnjë projekt për të ofruar, por thjeshtë kishin para dhe blenë votat. Në gjithë këtë politike këta thuhet se “bëjnë vota”. Kjo metodë bëri që një numër i madh kryetarësh bashkish e komunash që ishin biznesmenë, u bënë më të pasur nga sa ishin duke i shndërruar qytetet dhe fshatrat në prona të tyre, ose u bënë të tillë pasi morën pushtetin. Përmes blerjes së votës, ata prodhuan mekanizmin: vidh paratë e popullit dhe me një pjesë të tyre riblej pushtetin.
Edhe pse në dukje kjo është forma më flagrante e shitjes së votës, edhe ai nëpunësi që voton partinë X për të ruajtur vendin e punë, e ka shitur votën. Në prag zgjedhjesh partitë bëjnë listat e të punësuarve në administratë, zyra, shkolla, spitale, me kunetër, kunata, baxhanakër, vëllezër e motra, vjehërr e vjehrra…. Çdo i punësuar duhet të jetë një votë. Një presion i tmerrshëm mbi njerëzit bën që askush të mos veprojë siç mund të mendojë. Në fund të fundit qëllimi i vetëm i jetës së një njeriu të thjeshtë sot është të ketë një vend pune të ushqejë fëmijët. E përse t’i bjerë të mirës me shkelm? Dhe kështu të gjithë shkojnë të votojnë të qetë dhe të lirë, ashtu siç shprehen në sondash edhe 93% e votuesve të shitur. Ca nga varfëria e ca nga mosbesimi, votuesit e thjeshtë e konsiderojnë (kështu shprehen edhe në sondazh) një gjë krejt normale ta shesin votën. “Të gjithë njësoj janë, të gjithë do të vjedhin dhe askush nuk do të bëjë gjë, më mirë t’i marr ato para që më japin”, – me këtë logjike demokracia shqiptare ka dalë në pazar pa i drejtuar mirë këmbët. Dhe, me logjikën e tregut, të cilën ata që blejnë vota e njohin shumë mirë, ai që e blen pushtetin e konsideron pronë të tijën dhe si të tillë e trajton më pas. Ndërsa ai që shet votën, e ka shitur pushtetin e tij dhe nuk ka më asnjë të drejtë morale të kërkojë llogari tek i zgjedhuri i tij për çfarë nuk ka bërë. Kjo është marrëdhënia e re që po zyrtarizojnë shqiptarët me pushtetin e tyre. Kjo është varrosja e demokracisë.
Në fakt, fushatat elektorale për zgjedhjet vendore dhe parlamentare janë një garë për shpalosjen e ideve dhe projekteve. Por duket se këtu nuk ka vend për të tilla gjëra “koti”. Nuk kanë vlerë as projektet e as idetë, gjithnjë e më shumë ka vlerë vetëm ai që siguron më shumë vota. Nuk ka rëndësi si i siguron, me lista të punësuarish, me lista premtimesh për t’u punësuar, me para në dorë, me miell, makarona e vaj, me shlyerjen e borxheve në dyqane apo çfarë. Siç tha edhe Shpëtim Idrizi, “ç’ta bëja profesorin e universitetit unë për kandidat, vura tregtarin aty dhe u bë deputet. Kush do e votonte profesorin?”.
Ky degjenerim i politikës, po bën që nga njëri mandat në tjetrin, parlamenti të jetë më i dobët intelektualisht, më i degraduar dhe më harbut, pasi ata që e popullojnë janë të tillë, sepse gjithnjë e më shumë, shumica e anëtarëve të tij nuk vijnë nga shtresa e inteligjencës, por nga tregtarët e miellrave.
Në këto kushte nuk mund të flitet për standarde zgjedhore, sado festive të jetë dita e zgjedhjeve. Madje duhet të vëmë kujën se ku po shkojmë. Një popull që shet votën, pushtetin e tij, meriton t’i punojnë qindin, ashtu siç po ia punojnë. Por nëse ka vërtet njerëz që mendojnë (unë mendoj se ka) se ky vend mund të meritojë një tjetër të ardhme, duhet të ngrenë krye për t’i vënë fre këtij fenomeni. Përndryshe partitë të shpallin hapjen e tenderit për zgjedhjet vendore menjëherë pas përcaktimit të hartës së re vendore, pasi gara do të jetë e fortë dhe pazari do të jetë i majmë dhe tregtarët e votave që do të kandidojnë për bashkitë duhet të bëjnë gati paratë. Ndërsa shqiptarët votues të mos e shesin kaq lirë, të paktën t’ia vjelë barra qiranë.

Leave a Reply