Pushtet i katërt kërkon pavarësi të plotë nga politika…

Home » Aktualitet » Pushtet i katërt kërkon pavarësi të plotë nga politika…

By Redaksia on May 8, 2014. No Comments

Pushtet i katërt kërkon pavarësi të plotë nga politika…

Nga Leon QAFZEZI 
Zhvillimi i medias, qoftë ajo e shkruar apo elektronike, ka marrë një zhvillim profesional të paimagjinuar për nga hapësira e lirisë së një vendi, gjithnjë duke u krahasuar me vitet e diktaturës. Në këto vite, për ti rënë shkurt, izolimi i vendit dhe i qytetarëve për 46 vjet u karakterizua edhe nga një izolim sinkron i mediave, kryesisht ato të shkruara se ajo elektronike doli shumë më vonë duke u përfaqësuar nga ATSH-ja, RTSH-ja që ishin zëri i partisë krahas Radio –Tiranës që ishte që në fillimet e pasluftës… Media në atë periudhë ishte absolutisht nën një trysni dhe kontroll të rreptë e radikal të PPSH-së, pra të një politike, të një partie të vetme, që bënte ligjin si në gjithë jetën e izoluar shqiptare me ideologjinë e saj të huazuar nga lindja. Por kohët evoluan në dobi të medias shqiptare, e cila fitoi një dimension të ri në këtë lloj pavarësie relative në demokraci, por jo pa risk në kohë dhe hapësirë, në këto vite tranzicioni tronditës… Një vend dhe një popull pa media është në errësirë të plotë, sepse media është syri dhe veshi… Media shqiptare nisi në demokraci rrugën e gjatë dhe problematike me atavizmat e censurës së vjetër të cilat donin ta keqpërdornin për synimet e tyre të errëta, duke e manipuluar politikisht, por nuk mundën t’ja dilnin dot pavarësisht nga pushteti që gëzonin. Tashmë masmedia shqiptare ishte rreshtuar krahas organizatave ndërkombëtare të masmedias, ku mund të përmendim: “International Federation of Jornalist”, “Reporter Sans Frontieres”, “Jornalist Safety Service”, “International Freedom of Expresion e Xchange”, “Euroimage” etj., etj.
Nga këto masmedia të një niveli botëror dhe me një eksperiencë të gjatë në fushën e gazetarisë botërore, gazetaria shqiptare mësoi që detyra e saj e parë ishte të respektonte të vërtetën dhe të drejtën në raport me publikun që ajo i drejtohej… Ajo mësoi të mbronte principet e lirisë dhe ndershmërisë në publikimet, komentet dhe kritikat e saj. Ajo do ishte në rakordim të plotë me faktet, duke njohur origjinën dhe larg një falsifikimi të dokumentacioneve që ajo zotëronte në rastet e një detyre investiguese. Mjetet e kësaj medie ishin; lajmi, fotografia dhe dokumenti si dhe ruajtja e sekretit profesional dhe konfidencial… Këto, si dhe shumë principe të tjera të një gazetarie të lirë dhe profesionale nisi dhe i absorboi gradualisht masmedia shqiptare në kohë dhe hapësirë… Duke folur në Washington DC në mbledhjen vjetore të Lektorëve Harold W.Andersen për çështjen e Komunikimit Global (1989) Stefan Bratkowski (President i Shoqatës Polake të Gazetarëve) kërkoi një “Plan Mareshall Intelektual” për shtypin e lirë të Polonisë dhe të pjesës tjetër të Europës Lindore. Shumë organizata perëndimore iu përgjigjën kërkesave të tij për lektorë, këshilltarë, konsulentë, manuale, salla leximi, shtëpi botuese. Apelit të z. Bratkowski iu kushtua vëmendje si nga sektorë publikë edhe nga ata privatë të Perëndimit.
Ballafaqimi i medias shqiptare me lirinë nuk kaloi pa probleme. Ajo u shoqërua sidomos mbas daljes në pah të mediave të pavarura me fenomene të shëmtuara si shtimi i presionit të pushtetit politik mbi këto media si dhe mungesat e theksuara të profesionalizmit në radhët e gazetarëve. Përpjekjet e para me karakter legjislativ për rregullimin e funksionimin e mediave në Shqipëri u konsuamuan në vitin 1992, kur Kuvendi Popullor (Sot Kuvendi) miratoi Ligjin nr 7756, datë 11.10.1993 “Për Shtypin”. Gjithsesi, procesi legjislativ që shpuri me adoptimin e Ligjit 7756 u karakterizua nga deficite të rëndësishme duke qenë se grupe të interesit, pronarë të mediave të shtypura e gazetarë mbetën jashtë procesit legjislativ, duke u privuar nga mundësia për të kontrolluar në hartimin e ligjit. Si rrjedhim i kësaj, njerëzit e medias shumë shpejt u ballafaquan me realitetin e pakëndshëm të një ligji represiv. Me kalimin e viteve, Ligji 7756 u abrogua në tërësinë e tij nga legjislatura pasardhëse, ligje të tjera me rëndësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë për mediat si Ligji për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë, Ligji për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentat Zyrtare, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligji për Informacionin e Klasifikuar, etj., janë miratuar nga Kuvendi në përfundim të një procesi legjislativ më gjithëpërfshirës. Por fenomeni i fundit që po vihet re në këtë evoluim të medias në vendin tonë, pavarësisht intensitetit të spikatur të reformës legjislative me krahshmëri europiane, ka dalë në pah simptoma e mosnjohjes dhe për pasojë të mos zbatimit të ligjeve. Kjo është më e dukshme dhe problematike në sektorin e mediave elektronike, të cilat janë bërë fakt në tregun shqiptar në një kohë që veprimtaria e tyre është larg standarteve programore, etike e profesionale të vendosura nga Ligji nr.8410 i vitit 1998 “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”.
Në këto vite demokracie dhe të një media relativisht të lirë nga thundra e politikës, nuk kanë munguar edhe rastet e presioneve dhunës ndaj gazetarëve, por shembulli më tipik dhe flagrant i kësaj dhune ishte në 2 mars 1997 djegia e redaksisë së gazetës “Koha jonë” dhe keqtrajtimi i gazetarëve që punonin aty. Dhe në vitet e mëvonshme edhe keqtrajtimi i gazetës “Tema”. Në raste protestash paqësore, përsëri nuk kanë munguar rastet e dhunës ndaj gazetarëve apo reporterëve deri në plagosjen e tyre me armë zjarri. Këto të gjitha, fatkeqësisht janë një shembull tipik që tregon qartë se sa e ndërlikuar dhe e vështirë ka qenë rruga e lirisë së kësaj medie, dikur të burgosur… Kostoja e lirisë ka qenë shpesh herë e lartë, por kjo nuk ka bërë gjë tjetër veçse ia ka ngritur asaj më lart personalitetin, prestigjin dhe duke e renditur jo më kot, si pushtetin e katërt.

 

Leave a Reply