Ben Blushi shpërthen kundër Ramës: La në dorë të Erjon Veliajt reformën në arsim, ministrat marrin kompetenca sipas muskujve

Home » Aktualitet » Ben Blushi shpërthen kundër Ramës: La në dorë të Erjon Veliajt reformën në arsim, ministrat marrin kompetenca sipas muskujve

By Redaksia on June 18, 2014. No Comments

Ben Blushi shpërthen kundër Ramës: La në dorë të Erjon Veliajt reformën në arsim, ministrat marrin kompetenca sipas muskujve

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka përshkallëzuar dje sulmet dhe kritikat e ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrave të tij dhe ndaj linjës së “MJAFT-it” në selinë rozë. Konkretisht, në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Integrimit, gjatë diskutimeve për arsimin e lartë që kalon arsimin profesional nga Ministria e Arsimit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, deputeti Blushi deklaroi se ky kalim ishte i dyshimtë, dhe nuk do të kryhej në kushte të tjera. Deputeti Blushi vijoi më tej duke thënë se dizenjohen kompetencat e ministrive sipas muskujve të ministrave. Blushi shigjetoi ministrin Veliaj, ndërsa hodhi poshtë draftin. “Nevoja që ka tregu për të gjetur profesionistë të shkallës së mesme nuk besoj se justifikon nevojë për të zhvendosur arsimin profesion nga Ministria e Arsimit te Ministria e Mirëqenies. Për shkak se ju thatë që kjo reformë në arsimin profesional ka dështuar me sukses, mund të jem dakord deri në njëfarë mase, por sepse mund të ketë pasur dështime në sistem. Dyshoj, jua them sinqerisht se kjo lëvizje do të ishte bërë në kushte të tjera. Dhe them këtë, dua të them që të mos i dizenjojmë ministritë sipas muskujve të ministrave”, tha Blushi. Sipas tij, nëse Veliaj do të ishte Ministër i Arsimit nuk do të kishte lejuar kalimin e arsimit profesional në Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Kjo, sipas deputetit socialist është e padrejtë, duke shtuar më tej se, sistemi arsimor është unitar. “Po ta shohim, në fakt ju të Ministrisë së Mirëqenies, merrni vetëm përgjegjësin e emërimit të drejtorëve të shkollave. Erjon nëse do të ishte ministër i arsimit, dyshoj se do ta lejonte këtë gjë. Është e padrejtë sipas mendimit tim. Sistemi arsimor është unitar”, theksoi ai.
Bregu: Nuk do e votoj ligjin në parlament
Kryetarja e Komisionit, Majlinda Bregu, duke folur në emër të deputetëve të PD-së, tha se është kundër miratimit në seancën e së enjtes. “Besoj se ky ligj për sa kohë që vjedh kompetenca nga Ministria e Arsimit, ashtu sikurse përcaktohen në nenin 2 pika 9, ku ndryshimi i ligjit e përjashton tërësisht Ministrinë e Arsimit nga pjesëmarrja në përcaktimin e standardeve apo në përcaktimin e kritereve të pranimit për shkollat e formimit profesional , e bën këtë projektligj problematik. Për mendimin tim besoj që jep një zgjidhje të gabuar. Në emër të opozitës ne nuk jemi dakord që të kalojë të enjten në seancë plenare në këtë formë”, tha Bregu.
Veliaj: Ja ndryshimet e nismës së re
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, shpjegoi ndryshimet e nismës së re, ndërsa theksoi se modeli i përzgjedhur për zhvillimin e arsimit profesional është ai gjerman. “Ne kemi pasur një bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ku sigurisht do të ruhet ende varësia e dyfishtë, ku kompetenca për hartimin e kurrikulave të përgjithshme do të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit kurse kurrikulat specifike, atashimi me vendin e punës, politikat pro aktive të tregut të punës etj, do të kenë vëmendjen më të madhe të Ministrisë sonë. Pra bëhet fjalë vetëm për një balancim të peshës ku do të mbetet varësia e dyfishtë, por Ministria e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë do të ketë rolin kryesor dhe pro aktiv në çështjet profesionale”, theksoi Veliaj. Joana Tafa

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/ben-blushi-shp%C3%ABrthen-kund%C3%ABr-ram%C3%ABs-la-n%C3%AB-dor%C3%AB-t%C3%AB-erjon-veliajt-reform%C3%ABn-n%C3%AB-arsim-ministrat#sthash.umfB27Is.dpuf

Leave a Reply