Detaje nga jeta private e intelektuale e enciklopedistit Sami Frashëri

Home » Aktualitet » Detaje nga jeta private e intelektuale e enciklopedistit Sami Frashëri

By Redaksia on June 15, 2014. No Comments

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

 

Në këtë syzim figura e Sami Frashërit do të vështrohet e shqyrtohet më shumë në optikën e biografit se sa të historianit. Sepse dihet që historia dhe letërsia biografike-dokumentare qëndrojnë në simbiozë më njëra tjetrën. Jeta e personaliteteve bëhet pjesë e historisë dhe historia s’mund të kuptohet pa rolin e tyre ne zhvillimin e saj. Nga kjo pikëpamje, Sami Frashëri është një figurë tipike, si nga vendi dhe roli që luajti në historinë tonë e më tej, ashtu dhe nga kontributi i vyer që dha në fushat e ndryshme të dijes, të shkencës dhe letërsisë. Në këto hapësira, ai u shfaq dhe bëri emër të pavdekshëm si enciklopedist dhe erudit i rrallë për kohën e zymtë që jetoi, gjuhëtar e poliglot, shkrimtar e përkthyes, mendimtar e sociolog, publicist e gazetar, dijetar i përmasave euroaziatike.
Për hir të së vërtetës, Sami Frashëri nuk kreu studime universitare, por ishte një autodidakt i shkëlqyer, që i mori bazat e formimit të tij, kryesisht klasike, në gjimnazin “Zosimea”, për të hedhur pastaj brenda një kohe relativisht të shkurtër staturën e një intelektuali me germa të mëdha. Dhe kjo falë inteligjencës dhe etjes së pashuar për dije, talenteve dhe dhuntive të gjithanshme, zellit dhe vullnetit të pashoq, mendjes së hapur dhe vështrimit vizionar, të gjitha këto të lidhura ngushtë me atdhedashurinë e shpirtin liridashës, sensin e progresit dhe frymën demokratike.

Ndryshe nuk mund të merret me mend madhështia e personalitetit të tij, majat e larta që arriti brenda 54 vjetëve të jetës relativisht të shkurtër. Aq më tepër, ai u shfaq dhe u afirmua si një figurë e dyfishtë intelektuale dhe qytetare me kontribute të jashtëzakonshme sa në historinë dhe kulturën shqiptare, aq dhe në atë turke. Por në kushtet e robërisë e të prapambetjes në të cilën ndodhej vendi ynë, kur hapësirat e punës intelektuale qenë gati të pamundura, ai nuk do të kufizohej vetëm me disa libra shkollore (si “Abetarja” dhe “Dheshkronja”), por do të ngrihej në lartësinë e detyrës historike duke u dhënë shqiptarëve veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, programin e Lëvizjes kombëtare, gurin e themelit për ngritjen e një Shqipërie të lirë e të përparuar. Me këtë vepër, ai u bë ideologu i Rilindjes sonë Kombëtare, në një kohë kur ishte zgjedhur dhe kryetar i “Shoqërisë të të shtypurit të shkronjave shqip” dhe kryeredaktor i revistës së parë shqipe “Drita”, duke bashkëpunuar me figura të shquara si P. Vasa, K. Kristoforidhi, I. Qemali, J. Vreto etj.

Por bashkatdhetari ynë, si një intelektual i madh, me aftësitë dhe vlerat që kish, nuk do të qëndronte brenda kufijve të kulturës së tij kombëtare. Ai do të shfaqej e do të afirmohej si një nga korifenjtë e kulturës, shkencës dhe letërsisë moderne turke. Kështu Turqia u bë atdheu i tij i dytë dhe emri Shemshedin Sami hyri njëherë e përgjithmonë në historinë mendimit, gjuhësisë dhe kulturës së vendit ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së vet.
Samiu erdhi në Stamboll 22 vjeç djalë dhe vendos në Yskidar, ku jetoi dhe punoi plot 32 vjet. Ai e nisi punën si publicist, në fillim në zyrën e botimeve, dhe pas një viti u bë kryeredaktor i revistës kulturore “Hadika” (Kopshti). Të tërheq vëmendjen miqësia që lidh me vëllezërit Shinasi dhe Namik Qemali, dy figura të shquara të letërsisë dhe publicistikës turke, të njohur për mendimet e lira dhe progresiste.

Dy vjet më vonë Samiu, për pikëpamjet e tij liberale, internohet në Tripoli (1874), ku nxjerr gazetën “Tarabullus” në turqisht dhe arabisht. Në 1879, i kthyer në Stamboll, boton e drejton gazetën e parë të përditshme turke “Sabah”, ku parashtron një varg idesh të guximshme për të drejtat themelore të shtypit serioz. Emri i Samiut tani bëhet i njohur në rrethet e lexuesve e sidomos të intelektualëve jo vetëm për aftësitë dhe mendimet e përparuara, por dhe për faktin se për afro dhjet vjet themelon dhe drejton gati dhjetë organe. Shemshedin Samiu integrohet kështu në jetën publike dhe intelektuale turke, lidhet me disa nga personalitetet e shquara të kohës, si me gazetarin Elmaz Tefikun, poetin Tefik Fiqreti apo me figura përfaqësuese të letërsisë turke si Haki Pasha, Saim Mehmeti etj. Aq i njohur u bë Samiu për mendimet dhe botimet e tij të përparuara sa do të tërhiqte vëmendjen e Portës së Lartë dhe do të përndiqej e do të internohej rishtazi në Rodos dhe Tarabulluz. Në këto kushte Samiu iu përkushtua letërsisë artistike.

Ai hap shtigje të reja në letërsinë turke duke shkruar e botuar romanin e saj të parë “Dashuria në mes Talatit dhe Fitnetit”. Një gjini kjo krejt e panjohur për lexuesin vendas, ku trajtohet një temë e mprehtë sociale me frymë romantike, e cila u mirëprit nga opinioni. Ky sukses e nxiti autorin të shkruajë dhe dy romane të tjerë, por që për fat të keq mbetën në dorëshkrim.
Për hir të së vërtetës, Shemshedin Samiu do të njihet jo vetëm si themelues i romanit turk, por dhe një nga pionierët e parë të dramaturgjisë të këtij vendi. Kështu, ai do të shkruajë dramën “Besa”, një vepër me subjekt shqiptar, e cila u shfaq në Teatrin Kombëtar dhe i bëri jehonë të gjerë popullit të tij, karakterit dhe virtyteve të shqiptarëve. Kontributi i Samiut në këtë fushë do të pasohet dhe me tri drama të tjera. Kësisoj, autori shqiptar do të hyjë historinë e dramaturgjisë turke dhe veprat e tij do të bëhen pjesë e repertorit të teatrit osman.

Veprimtaria letrare dhe botuese e Samiut do të zgjerohet dhe përsoset kur, në vitin 1883, nis serinë e disa veprave letrare, kulturore e shkencore në kuadrin e kolanës “Biblioteka e xhepit”, ku i jep lexuesit vepra të zgjedhura, të përkthyera nga letërsia e kultura botërore, si një Antologjia e poezisë persiane dhe arabe apo Antologjia tjetër me tregime të Lindjes dhe Perëndimit, midis të cilëve shquhen emrat e Volterit, Rusoit, A. Dymait etj. Por puna kryesore në fushën e përkthimeve për Samiun do të jetë përkthimi në turqisht i romanit “Të mjerët” të V. Hygoit, “Robinson Kruzo” i D. Defoes, “Tre musketjerët” i A. Dymait, pa harruar një varg dramash e romancash të autorëve minorë francezë si dhe “Historia e Francës”. Të gjitha këto vepra e të tjera të “Bibliotekës së Xhepit”, do të qenë dritare që Samiu i hapte lexuesit turk për nga bota perëndimore në kushtet e një pushteti obskurantist dhe të një censure të rreptë.

Është rasti këtu të përmendim faktin që Shemshedin Samiu, sipas historianëve të letërsisë turke, ishte i njohur dhe i çmuar si kritik letrar me emër autoritar , gjykimet e të cilit i kanë qëndruar kohës. Të tilla janë studimet letrare “Poezia dhe poetët”, “Thelbi dhe e vërteta e poezisë”, studimet mbië gjendjen e poezisë orientale, vështrimi historiko-kritik mbi shkrimtarët e mëdhenj nga mesjeta në kohët moderne, apo “Gjuha dhe letërsia e jonë”. Këto studime janë një dimension tjetër i personalitetit intelektual të Samiut që dëshmojnë për erudicionin e pasur, gamën e gjerë të problemeve dhe nivelin shkencor të autorit.

S’ka dyshim se kulmin e staturës së tij shkencore-kulturore Samiu e arriti me hartimin e Fjalorit enciklopedik “Kamus-al-alami”, një vepër madhore me 6 vëllime, me 4830 faqe, për të cilën punoi 12 vjet. Përmbajtja tepër e gjerë, problematika komplekse, pasuria e jashtëzakonshme e informacionit, metodologjia dhe serioziteti shkencor, e bëjnë Fjalorin enciklopedik një vepër unikale në kulturën turke, me vlera të gjithanshme, që i ka përballuar të gjitha sfidat e kohës. Për ne shqiptarët dhe për kulturën tonë ky fjalor ka rëndësi të veçantë për vendin që zë në të Shqipëria dhe populli i saj, historia dhe kultura jonë, figurat e tyre, informacioni deri dhe për fshatrat dhe jetën zakonore etj., për të cilat autori shkruan jo vetëm me saktësi dhe objektivitet, por dhe me dashuri e dashamirësi.

Shemshedin Samiu është dhe një gjuhëtar i madh me merita dhe kontribute të pazëvendësueshme për gjuhë dhe kulturën turke. Sipas studiuesit Hasan Kaleshi, ai ka luajtur një rol madhështor në thjeshtësimin dhe krijimin e gjuhës letrare turke. Veprat e para në studimet gjuhësore i hodhi me artikujt për gjuhën, botuar në shtyp, për t’u paraqitur më pas me librin “Gjuha”, ku përmblidhet mendimi i tij shkencor dhe zbulohet formimi i tij linguistik modern, si dhe njohja e thellë e zhvillimit historik të gjuhës turke. Një përgatitje e tillë e bëri atë të guxojë ë të dalë publikisht me mendimin se alfabeti arab që përdorej për gjuhën turke ishte i papërshtatshëm, ashtu siç vuri në dukje dhe vërshimin pa kritere të arabishtes dhe persishtes në gjuhën e tyre. Mendimi shkencor linguistik i Samiut është aq i pasur, sa s’ka mbetur fushë e gjuhës turke pa u trajtuar e studiuar : nga alfabeti te drejtshkrimi, nga gramatika te sintaksa, nga etimologjia te historia e gjuhës. Ky nivel i lartë dhe formimi solid i tij e bëri atë një autoritet të madh, një gjuhëtar vizionar, mendimet e të cilit nuk ishin vetëm për të tashmen, por dhe për të ardhmen. Ndaj nuk është e rastit që në Turqinë republikane ato u bënë aktuale aq sa udhëheqësi i saj Q. Ataturku, në programin e reformave për gjuhën vuri në themel idetë dhe tezat e Shemshedin Samiut, duke filluar nga zëvendësimi i alfabetit arab me alfabetin latin.

Samiu nuk u tregua vetëm një gjuhëtar-mendimtar me njohuritë dhe pikëpamjet shkencore që shfaqi e argumentoi, duke u bërë një nga etërit e gjuhësisë turke, por dhe autori i parë i veprave kapitale leksikografike të gjuhës turke. Ai hartoi të parin Fjalor të turqishtes, me 45.000 fjalë-rrënjë dhe me 1575 faqe, që shënon një ngjarje të rëndësishme për kulturën turke. Nga ana tjetër, Samiu hartoi disa fjalorë dygjuhësh si Fjalorin turqisht-frengjisht, me 50.000 fjalë dhe që njohu 4 botime brenda 20 vjetësh dhe më pas Fjalorin turqisht-freengjisht me 35.000 fjalë. Një kontribut tjetër në fushën e leksikografisë është dhe Fjalori arabisht-turqisht, të cilin e ndërtoi sipas sistemit evropian, por për shkaqe ekonomike nuk e botoi dot të plotë, por në fashikuj.

Sikur të mos mjaftonte tërë kjo punë e gjithanshme shkencore-letrare, Samiu do të botonte dhe dy libra për lexuesin e gjerë, siç janë “Fjalë të urta” dhe “Anegdota”. Ndërsa vitet e fundit të jetës ai do të habiste opinionin me idenë dhe projektin për të hartuar një Enciklopedi në 15 vëllime, por shëndeti i dobët dhe lodhja e madhe nuk e lejuan ta realizonte, me përjashtim të vëllimit të parë.

-2-
Bilanci i punës intelektuale të Sami Frashërit, i shpërndarë në disa fusha të dijes, është i jashtëzakonshëm, një ndërmarrje gjigande, që lypte jo vetëm aftësi dhe talent, kulturë dhe përgatitje profesionale, vullnet e përkushtim, ndërgjegje të lartë shkencore e qytetare, por dhe energji, punë të pafund mendore e fizike. Ishte ky një martirizim i vërtetë i vetes, që do t’i rrënonte shëndetin e do ta privonte nga gëzimet e jetës, bile do ta paralizonte pjesërisht. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, shteti obskurantist i Sulltan Hamitit do ta “shpërblente” me izolim shtëpiak. Në kushte të tilla atij do t’i shkurtoheshin vitet dhe në kulmin e burrërisë do të jepte frymën e fundit në krahët e së bijës, duke shqiptuar të vetmet fjalë: “Shqipëri” dhe “Allah!’ Këputej kështu në mes para kohe jeta e një savanti, mendja universale e të cilit kishte akoma aq shumë për të krijuar e studiuar. Vërtetë linte trashëgim 57 vepra, por ikte më pengun e madh që nuk arriti të nxirrte në dritë 100 të tilla nga sa kish projektuar.

Portreti i tij i vitit të fundit na e sjell Samiun para syve një plak të mpakur, i gjithi i zbardhur, me mjekrën e gjatë të thinjur, me trup të drobitur, por me sytë depërtues të njeriut që s’di të dorëzohet. Ishte plakja e parakohshme fizike, por jo shpirtërore e mendore, e djalit të tretë të Emine dhe Halit Frashërit, që kish zbritur nga malet e Dangëllisë në moshën 15 vjeçare për të marrë rrugët e botës e për të mos u kthyer më kurrë në vendlindje. Vrapin ai e mbajti në Stamboll, në një nga metropolet e mëdha të botës së atëhershme. Ishte atëherë në lulen e rinisë, plot ëndrra dhe plane, i veshur me kostum të modës së kohës, por me feste të zi mbi kokë dhe me një libër të hapur në duar. Në kujtimet e bashkëkohësve, ai përshkruhet shtatgjatë, me sy të zinj, ballëgjerë e me një mjekër të sapodirsur. Sado natyrë serioze, ai mbahet mend në shoqërinë e tij si njeri i dashur, buzagaz e fjalëmbël. Kish një sjellje të hijshme, ishte i thjeshtë dhe më shumë dëgjonte se sa fliste. Në raportet shoqërore kish takt dhe dinjitet. Fjalët i kish të matura dhe me vend, të mençura dhe të shprehura modestisht.

Vendi i tij më i dashur e më i preferuar do të ishte biblioteka vetjake, me përmbi 20.000 vëllime. Rrethuar nga raftet e librave qëndronte një tavolinë e rrumbullakët rrotulluese, ku vendoste librat e punës ditore, që e lëvizte sipas nevojave. Një praktikë e tillë iu bë e domosdoshme sidomos vitet e fundit, kur sëmundja e kockave e pengonte të lëvizte. Nga kujtimet marrim vesh për kujdesin dhe merakun e madh që kish për fëmijët, duke u përpjekur t’u japë një edukatë qytetare e duke u interesuar sistematikisht për formimin e tyre intelektual. Ai jo vetëm i çoi ata në shkollat më të mira të Stambollit, por që të vegjël u vuri mësues të posaçëm për të mësuar arabisht dhe frëngjisht.

Nga ana tjetër, ata do të merrnin dhe edukatë artistike, duke ndjekur kurse muzike dhe pikture, siç do të merreshin dhe me sporte. Në këtë drejtim u shqua sidomos i biri, Aliu, i cili bëri emër kombëtar në historinë e sportit turk, aq sa dhe një stadium mban emrin e tij.

Pasioni më i madh i Samiut ishte leximi i librave në gjuhë të ndryshme, veçanërisht në gjuhën arabe e frënge. Poetët e tij më të preferuar qenë Firdusiu dhe Lamartini, kurse nga romancierët Viktor Hygoi. Më tepër ishte lidhur shpirtërisht me poezinë, prej të cilave mësonte dhe vargje të zgjedhura përmendësh. Kështu ai recitonte me rast vargje të V. Hygoit të përkthyera në shqip, si “Përse vini gjithnjë para syve o ditët djaloshare të gazit tim.” Kurse akoma më me emocion përsëriste vargjet e Sadiut:
Në vdeksha një ditë në mërgim
Kush vallë do të ma bëjë varrë
Kush do të ma qepi qefinë?
Vërmani qivurin në një vend të lartë
Mbase era e mëmëdheut më freskon kraharorë
Ngrimëni lartë qivurë
Mbase era e mëmëdheut më freskon kraharorë.

Gjatë kohës që lexonte kërkonte qetësi dhe nuk lejonte njeri ta shqetësonte. E vetmja gjë e gjallë që pranonte dhe e mbante te këmbët gjatë leximit ose dhe kur shkruante ishte macja e madhe e laramane e shtëpisë.
Nga dorëshkrimet e Samiut vëmë re se ai ishte shumë i rregullt, shkruante bukur dhe qartë në disa gjuhë. Dorëshkrimet, kujtojnë dëshmitarët, nuk i rilexonte kur mbaronte punë, por i dërgonte drejt e në shtypshkronjë. Interesant është dhe zakoni i Samiut që shkruante në letër më ngjyrë të kaltër të mbyllur, me bojë të zezë, kurse titujt bënte me ngjyrë të kuqe. Anash fletëve vinte shënime të shumta korrigjuese ose plotësuese.

Samiu, ndonëse punonte shumë dhe botonte vepra me vlerë, ekonomikisht kishte probleme, bile herë pas here jetonte me borxhe. Të ardhurat e tij të zakonshme përbëheshin nga rroga dhe honorari i librave që botonte. Por gjendja ekonomike iu rëndua shumë kur ndërtoi vilën në Erenqoi dhe botuesi armen Mihran nuk i paguante honorarët e librave. Në këto kushte Samiu u detyrua të shiste disa nga librat me vlerë të bibliotekës së tij. Sipas të dhënave Samiu ishte bujar, aq sa librat dhe gazetat që botonte, ndryshe nga të tjerët, i shpërndante me çmime të lira. Për të s’kish rëndësi fitimi material, por fakti që ato të shkonin te një rreth sa më i gjerë lexuesish. Nga të dhëna të tjera del se edhe disa nga veprat kapitale si Fjalori dygjuhësh dhe Fjalori enciklopedik, autori nuk ka nxjerrë as shpenzimet e botimit. Një gjest ky i rrallë e domethënës për kohën, por dhe përtej saj. Nga ana tjetër është fakt i trishtuar që, nga fundi i jetës, Samiu ishte rrënuar aq shumë nga borxhet, sa sekserët e detyruan të nxirrte vilën në shitje. Samiu i dëshpëruar pa masë nga kjo që ngjau u paralizua pjesërisht dhe nuk fliste dot. Bile fill pas vdekjes së tij, vila u shit dhe iu dha familjes 24 orë afat, duke e detyruar atë që plaçkat e shtëpisë t’i shpërngulë në oborrin e një xhamie.

Samiu mbante një regjim ditor të rregullt. Çohej shumë shpejt, sapo zbardhte dita, bënte vetëshërbimin, rregullonte dhomën e punës, bile në dimër ndizte dhe zjarrin e sobës, përgatiste vetë çajin, pastaj hante mëngjesin dhe fillonte nga puna papushuar deri në mesditë. Drekën e hante me familjen për të pushuar dy orë pas buke. Koha e punës vazhdonte deri në mbrëmje. Ndërkohë, pinte herë pas here çaj përzierë me pak konjak. Pas dreke nuk punonte, zakonisht priste miq shqiptarë si Vaso Pashën, Hoxha Tahsinin, Jani Vreton etj. si dhe miq të huaj turq apo nga vendet e Orientit.

Ndodhte që herë pas here dilte dhe shëtiste vetëm ose me miq nëpër rrugët dhe parqet e bleruara të Yskidarit. Ndërsa vitet e fundit shëtitjet i kish të ndaluara ose lejohej në ditë e orë të caktuara, i përgjuar nga hafijet e Portës së Lartë. Ëndrra e Samiut ishte të udhëtonte jashtë shtetit. Dëshironte të udhëtonte nëpër Europë, sidomos në Francë, por siç tregonin të afërmit, ëndërronte që një ditë të shkonte deri në Indi dhe në Kinë. Një ëndërr që e mori me vete. Mendimet liberale do ta ndalonin të kalonte kufijtë e perandorisë.

Mungesën e udhëtimeve ia zëvendësonte deri në një farë mase letërkëmbimi i dendur që kish me miqtë e largët dhe kolegët e huaj. Postierët i sillnin përditë letra nga vende të ndryshme të Lindjes dhe të Perëndimit. Sipas tyre, në gjithë Stambollin nuk kish një të dytë që t’i vinin kaq shumë letra sa Shemshedin Samiut në Yskidar. Ishte në natyrën e ti që tërë kësaj korrespondence ai t’i përgjigjej në kohë e me korrektësi. Këto lidhje të dendura të dijetarit liberal veçanërisht me të huajt, do të tërhiqnin vëmendjen e autoriteteve policore dhe do t’i shqetësonin deri në atë masë sa ta thërrisnin në zyrat e tyre për t’i kërkuar shpjegime apo për t’i hequr vërejtje. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, erdhi një ditë që nuk do t’i lejonin miqtë, kolegët apo dhe dashamirësit ta vizitonin në shtëpi.

Në këto kushte të vështira dhe në një atmosferë të rëndë, Shemshedin Samiu do të kalonte ditët e fundit, deri sa do të largohej nga kjo botë një mbrëmje qershori të vitit 1904 me zemrën mbushur plot maraz. Por fatkeqësitë nuk do t’i ndaheshin edhe pas vdekjes, po të kujtojmë se ç’ndodhi me trashëgiminë e tij materiale. Biblioteka, aq e dashur dhe e çmuar për të, fill pas vdekjes u ble për 800 lira nga dy pashallarë turq që s’kishin asnjë lidhje me librin, por që do t’u shërbenin për të zbukuruar sarajet e tyre.

Akoma më i rëndë do të jetë fati i dokumenteve historike, i dorëshkrimeve të veprave dhe të korrespondencës së tij. Ato i solli në Shqipëri i nipi, Mithat Frashëri, për t’i ruajtur dhe ia dorëzoi të motrës Eminesë, martuar në Fier me Kahreman bej Vrionin. Ajo i mbajti me kujdes në një nga ambientet e shtëpisë, mirëpo për fat të keq ndodhi e pabëra. Në ditët e rënda të Luftës së Parë Botërore, gjylet mortajave të ushtrisë Austro-Hungareze ranë mbi sarajet e Vrionasve dhe dogjën pa lënë asnjë gjurmë tërë atë pasuri të madhe dokumentare, faqe me aq vlera të historisë së Rilindjes sonë Kombëtare.

Të vetmet relike që kemi në Shqipëri nga Samiu, të dhuruara nga e mbesa me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, janë skrivania e tij dhe një tufë nga mjekra e tij e bardhë, që ruhen në Muzeun tonë Kombëtar. Për fat të keq na mungojnë eshtrat e tij. Kemi vetëm varrin e zbrazët krahë varreve të Abdylit e Naimit, kurse kockat e shenjta të Samiut prehen akoma në mërgim, në varrezat e Xhumëllxhimit të Yskidarit, nën hijen e Xhamisë së Sahraiqebirit.

Bibliografi
Nasho Jorgaqi: Vëllezërit Frashëri dhe vendlindja e tyre. Tiranë, 2008
Hasan Kaleshi: Sami Frashëri në letërsinë dhe filozofinë turke. Shkup, 2010
Shaban Çollaku: Mendimi iluminist i Sami Frashërit. Tiranë, 1980
Niazi Sulçe: Mbi jetën e Sami Frashërit. Gazeta “Dielli”. Boston, 1960

Leave a Reply