Fitues, jo përfitues

Home » Aktualitet » Fitues, jo përfitues

By Redaksia on June 25, 2014. No Comments

grida

Nga – Grida Duma

Në realitetin tonë të mbingarkuar me ankthe të përditshme, me pasiguri të mëdha, me momente vështira  apo  me ditë  rutinë, ka edhe ditë si kjo! Ditë historike. Marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, është një ditë e madhe për të sotmen dhe të nesërmen tonë.  Marrja e statusit të vendit kandidat, është një dimension i ri. Ka pasur plot momente që edhe jemi ndjerë keq ndërsa termat “integrim në Evropë” , “rrugë drejt Evropës”, apo “familje evropiane”, e të tjerë të ngjashëm, janë përdorur vend e pa vend; duke e njohur pak ose krejt pa e njohur procesin e integrimit, duke besuar pak apo thjesht duke përfituar nga kjo terminologji për arsye elektorale apo për të qenë në hap me kohën.

Marrja e statusit është një ditë e madhe sepse tashmë nuk është një trajektore me një drejtim, është një rrugë e Shqipërisë drejt Evropës por edhe një tjetër angazhim i Evropës drejt nesh. Nëse një çast përhumbemi në imagjinatën e Shqipërisë së nesërme,  pas kësaj nuk do të jemi më rrugës për në Evropë por do të jemi aty, brenda Evropës, do të shkelim do të punojmë do të jetojmë në tokën e një Shqipërie evropiane.

Sigurisht deri në momentet e fundit nuk ishin të paktë ata që e shihnin çështjen e statusit si një bast politik; do t’i jepej apo jo Ramës statusi?!  E vërteta është që ky është qëndrimi më dëmtues ndaj integrimit. Çdo mendje normale e di mirë që disa muaj apo një vit janë asgjë përballë viteve e dekadave përpjekje, me beteja të dukshme dhe të padukshme, me ulje ngritjet e një procesi që kishte sa kushtëzime administrative po aq edhe politike.

Dhënia e statusit ishte gjithashtu një kombinim rrethanash ndoshta jo të mira por që shërbyen për mirë; në kushtet ku tabloja e ekonomisë shqiptare është në nivele risku, me një  borxh publik që ka kaluar në kufijtë e një niveli të rrezikshëm, me papunësinë që shënon shifra në rritje; mosdhënia e statusit edhe një herë,  do të shkaktonte depresion të mirëfilltë, që do të përkthehej në depresion ekonomik në vend. Pala evropiane e di mirë këtë efekt, më vjen ndërmend një bisedë me vlerë që shkëmbeja në një nga takimet me përfaqësues të strategjive ekonomike të Brukselit, ata insistonin të kishim kujdes dhe të menaxhonim një problem ekonomik pa e kthyer atë në një të tillë politik sepse pasojat do të ishin shumë herë më të kushtueshme.

Nga ana tjetër në arenën politike të sotme  arsyet e deridjeshme për mosdhënien e statusit nuk ekzistojnë më, sot opozita nuk vë kushte në favor të saj kërcënuar edhe statusin, dhe nuk mund të dyshohej që kështu do të ndodhte,  sepse kujtdo që e ka ndërtuar dhe luftuar për një gjë i dhemb ta cënojë atë, është diferenca mes gjësë së fituar e gjësë së falur.

Por përtej renditjes së arsyeve, përtej marrjes së medaljeve, sot jemi një vend kandidat. Është e rëndësishme dhe jetike që të mund të hapin negociatat në momentin më të parë. Mos harrojmë që Maqedonia ka 12 vite që ka marrë statusin dhe ende nuk ka hapur negociatat, ndërkohë që 12 apo 13 vite do të kishin mjaftuar që ti mbyllte ato dhe sot të ishte një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Mos harrojmë se asnjë qindarkë nuk do të shtohet më shumë se dje si ndihmë financiare e BE ndaj Shqipërisë dhe kjo do të thotë që në asnjë moment nuk duhet menduar që ky është momenti për t’u prehur dhe pritur. Shqipërisë do t’i shtohen mundësitë por nuk do ti falet asgjë, përkundrazi do të jetë shumë më tepër e monitoruar, shumë më tepër e vendosur në darën e performancës. Me marrjen e statusit, investitorët e huaj kanë marrë sinjale pozitive, shtetasit shqiptarë kanë përjetuar një moment optimizmi, i cili duhet shfrytëzuar dhe duhet doemos mbështetur nga performanca e qeverisësit.

Dhe cila është kryefjala e Brukselit për Shqipërinë; ajo është përmendur pak se pakkush e kupton plotësisht rëndësinë e saj;  është  “qëndrueshmëria” termi që përmvledh thelbin e ndërtimit të standardeve evropiane .

Brukseli ndër vite ka theksuar nevojën për qëndrueshmëri. Nëse ndërtohet diçka ajo duhet mirëmbajtur, nëse niset një reformë ajo duhet vijuar, nëse investohet në njerëz ata duhen trajtuar. Thembra jonë e Akilit, pika jonë e dobët, ndoshta gangrena e qeverisjes qëndron tek gjërat gjysmake, lënia e tyre apo prishja e tyre në shumicën e rasteve vetëm sepse janë nisur nga kundërshtari politik, heqja nga puna sepse je punësuar në kohë të të tjerëve, mos vijimi i një reforme se ata të tjerët mendonin keq. Kjo përqasje që prej politikës dëmton jetën e përditshme është problemi themelor.

Problemi themelor është zgjidhja e qëndrueshme jo një shfaqje momentale. Problemi themelor nuk qëndron thjesht në tregimin e forcës së shtetit në Lazarat, por në sigurimin që aty dhe kudo tjetër nuk do të mbillen më  bimë narkotike. Problemi themelor nuk qëndron në bastisjen e administratës për të punësuar ndjekësit e qeverisësve por në sigurimin që ata të djeshmit dhe këta të sotmit të mund të aftësohen dhe taksapaguesi të mos paguaje pagat e një administrate në provë, që bën prova me fatet dhe shërbimet e tyre nga njëra anë dhe nga ana tjetër të paguajë pagat e atyre që fitojnë gjyqet për heqje me të padrejtë nga puna. Qëndrueshmëri do të thotë  të ndërtosh një sistem që penalizon atë që bën dëmin dhe mbështet atë që prodhon të mira me punën e tij, do të thotë sistem i vërtetë meritokratik.

Qëndrueshmëri do të thotë  të mos mbetemi pa përgjigje kur një student na pyet… për çfarë më duhet diploma! /opozita.com/

Leave a Reply