Autoprovincializmi

Home » Aktualitet » Autoprovincializmi

By Redaksia on August 17, 2014. No Comments

Nga Artur Zhej

Shumë gjëra të mëdha janë në vlim gurgullues dhe të fortë sot në botë.Artur-Zheji

Vala dhe vlaga e këtij vlimi as që na prek dhe as që na cek. Kjo dihet tashmë.

Shqipëria është edhe në ‘Qendër’ edhe në ‘Fund’ të botës njëkohësisht. Në vëmendjen tonë mediatike dhe publike e kisha fjalën.

Së pari, kryetema e gurgulesë botërore quhet Isis.

Shteti Islamik i shpallur fillimisht si një akt retorik, na doli që nuk ishte aspak një deklaratë edhe aq. Por shumë më tepër. Botëdrejtuesit e Vendeve të Mëdha, apo Fuqive të Mëdha, përveçse kanë ndërmarrë një angazhim kolosal në spiunazh, masa ushtarake dhe të tjera si këto, kanë vendosur të dërgojnë arsenale armësh, edhe në favor të kurdëve të Irakut, apo ndryshe luftëtarëve Peshmerga, në luftën e tyre kundër Isis. Me një ekuacion të komplikuar rreziqesh gjeopolitike në rajonin e madh të konfliktualitetit dhe njëkohësisht naftëmbajtës të Lindjes së Mesme. E pra ndoshta, kanë vendosur të hedhin benzinë, mjaft që zjarri të mund të shuhet.

Është pra Kurdistani një shtet i ri, anti-Isis që do të mund të lindë me armët oksidentale?

Në mbledhjen urgjente të thirrur dje në Bruksel, u vu re ankthi dhe nevoja për të qenë praktikë. SHBA, Franca dhe Britania e Madhe, kanë filluar de facto dërgimin e armëve të rënda në këtë zonë, e cila rrezikon të shndërrohet në një Mekë të ‘Luftës së Shenjtë’ të jihadistëve.

Mirëpo ndër ne, si të ishim së paku Zvicra, por medet, pa kasafortat e bankave të saja, (Pupu këto bankat!!!) askujt nuk ia ndin se ç’ndodh përtej avllisë së kasabasë sonë.

Së dyti, Ukraina dhe tensionet e papara ndonjëherë, që mbas viteve ’90, ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, në këtë rast Lindjes. Trupa të rëndësishme, të mirëstërvitura dhe kërcënuese ruse, janë ngjeshur rrezikshëm në kufijtë formalë dhe politikë të Ukrainës. Ckërmitja e ashpër ndërmjet Washingtonit dhe Moskës së Putinit, ka realisht nota shqetësuese për ekuilibrin global botëror. Bursat financiare perëndimore, megjithëse rezultatet ekonomike amerikane kanë një përmirësim të ndjeshëm, dihasin rëndë dhe pasqyrojnë një shqetësim të dukshëm.

Me këto dy vatra aspak periferike, zemra e Irakut, që mund të përfshijë edhe mjaft vende të tjera me natyrë të theksuar islamike dhe Ukraina, pjesa më europiane e Lindjes sllave, bota e të përgjegjshmëve, gdhihet dhe ngryset e trazuar dhe ndër mijëra ankthe. Jo një, por ndoshta janë me mijëra James Bondët që përpiqen të ‘shpëtojnë’ planetin nga zinxhiri i luftës, që sa vjen e po shtrëngohet në fytin e të gjithëve.

Pa folur këtu për gangrenën e pashëruar kurrë në Palestinë dhe për spektaklet e nxirosura me fëmijë të vrarë si lepuj dhe me terrorizëm pa kufi që bartet nga kjo zonë.

Por ne as nuk shohim dhe as nuk dëgjojmë se ç’ndodh përtej kasabasë.

Së treti, një virus, i mbirë nuk dihet në ç’kënd të natyrës apo në ndonjë laborator ushtarak, si mallkim shfarosës, Ebola, ka vrarë disa mijëra njerëz në Afrikë. Epo punë e madhe mund të thomi ne të kasabasë: Afrika është larg!

Larg është vërtetë, por virusi udhëton jo vetëm në gjakun e lakuriqëve të natës apo të shpendëve, por edhe në aeroplanë. Edhe në teshat e turistëve tanë parellinj për shembull, që duan të shohin luanin e lirë dhe të egër të savanës dhe të xhunglës. E pra, sivëllain e tyre afrikan si të thuash.

Dhe të vjen kësisoj Ebola, e të plaset mu në kryekafenenë më luksoze të kasabasë. Dhe pastaj të vdekurit duhen mbledhur me kamiona. Sigurisht kemi kaq shumë sipërmarrje paqtuese funeralesh, saqë edhe mund ta përballojmë. Kjo dihet.

Por për virusin, ndër ne, askush nuk flet.

Gjumë i rëndë provincial.

Tmerr i madh, kjo gërhitja e lajmeve dhe debateve tona lokale.

Të dobishme. Të nevojshme, padyshim.

Por kurrsesi e mjaftueshme.

Përveç festimeve të ardhshme të 300-vjetorit të Shën Kozmait të Etolisë, që thuhet se e kishte zët Gjuhën Shqipe dhe që Hirësia e Tij, Janullatos përgatitet të udhëheqë përmes një meshe të madhe e të posaçme.

Dhe të bekuar.

Në Shqipëri kuptohet, jo në Eladhën që është e zënë me bumin e madh të turizmit.

Dhe Hirësia di se ç’bën.

Përpara sesa Papa katolik të na urdhërojë këtu, në vendin e shqiponjave të lodhura, me bekimet e Tija Apostolike.

Leave a Reply