Baloteli tek Liverpul, goditja më e mirë e Gallianit ?!

calciomercato-milan-galliani-balotelli-all-arsenal-una-poesia-finita-Supermario Baloteli është bomberi i ri i Liverpulit, që do të trashëgojë fanellën e lënë nga Luiz Suares. Zyrtarizimi i këtij transferimi pritet të bëhet sot, edhe pse marrëveshja mes klubeve është arritur. Ishullorët nga “Anfield Road” do të paguajnë plot 16 mijë paund, ose 20 mijë euro në arkat e Milanit. Marrëveshja mes dy klubeve është arritur mesnatën e së mërkurës. Vetë Baloteli do të përfitojë rreth 6 mijë euro në vit, një kontratë vërtet e majme për lojtarin, i cili edhe pse ka një talent të madh, kohët e fundit nuk ka treguar formë të mirë, duke zhgënjyer dhe për pasojë, duke vendosur në diskutim vlerat e tij. Prandaj, Liverpuli mund të jetë një mundësi e artë për 24-vjeçarin për të fluturuar sërish mes më të mirëve. Edhe pse Brendand Rogers, tekniku i skuadrës angleze kishte theksuar disa herë se sulmuesi italian nuk ishte në planet e tij, zyrtarizimi i transferimit të Balotelit tek Liverpul, dëshmon se deklarata e tij ishte thjesht një politikë për të shpresuar në një ulje të çmimit të transferimit të bomberit. Nga krahu tjetër në Itali, transferimi i Balotelit tek Liverpul është përjetuar si një lehtësim për Milanin, pasi kuqezinjtë tashmë kanë likuiditetin e duhur për të hyrë në merkato. Me këtë lëvizje mund të themi se Liverpuli largoi një “kanibal” si Suarez për të pasur pranë një “sherrxhi” si Baloteli, i cili e njeh kampionatin anglez, pasi më parë ka luajtur edhe me Manchester City.

Ironia në rrjete sociale

Bobo Vieri, ish-sulmues i Milanit, Juventusit dhe Interit, në faqen e tij ‘Twitter” ka përgëzuar Drejtorin e Përgjithshme të 19 herë kampionëve të Italisë, Adriano Gallianin, duke e theksuar se transferimi i Balotelit drejt Liverpulit është një nga goditjet më të mira në karrierën e tij tek Milani. Po ashtu, ironia lidhur me këtë transferim ka pushtuar rrjetet sociale. Shumë prej sportdashësve italianë u bëjnë thirrje tifozëve anglezë të mos kalojnë më rrugën tek vizat e bardha, pasi Mario Baloteli ka zakon të parkojë makinën e aty dhe mund të rrezikojë t’i përplas. Po ashtu u kanë bërë thirrje punonjësve të policisë angleze të bëjnë gati bllokun e gjobave, pasi tashmë puna e tyre, sidomos e atyre që punojnë në Liverpul, do të rritet ndjeshëm. Së fundmi, tifozët italianë u bëjnë thirrje gjyqtarëve, kundërshtarëve të Balotelit dhe tifozëve t’i marrin me qetësi reagimet e bomberit italian, pasi e ka me veten dhe jo me ta. Në media qarkullon dhe fotoja e famshme e grupit Beatel’s, të cilët janë duke kaluar në vizat e bardha rrugën, por tashmë tek fotoja duket dhe Baloteli, i cili ka bllokuar rrugën me Ferrarin e tij. Gjithsesi, mediat angleze përcjellin optimizëm nga ky transferim, pasi e vlerësojnë Ballotelin një lojtar të pjekur tashmë që mund të japë një kontribut të madh në arritjen e objektivave tek Liverpul.