Big B’Rama dhe përgjimet bmm, whtas’up. viber, Skype…

Home » Aktualitet » Big B’Rama dhe përgjimet bmm, whtas’up. viber, Skype…

By Redaksia on August 7, 2014. No Comments

Reldar Dedaj

Nga Reldar Dedaj

Shoqëritë që, herët a vonë, dalin nga sisteme totalitare e kanë pothuajse të pamundur t’i shmangen një krize të thellë mosbesimi. Duan të shohin dhe të dëgjojnë për gjithçka. Dhe kur mendon se popullsi të tilla janë gjithmonë në rritje, dhe kur mendon se jetojnë dhe veprojnë mes nesh, se mezi presin rastin për të zotëruar tjetrin, të gatshëm të shfrytëzojnë çdo krizë, detaj apo informacion për të ushtruar forcën e tyre, kush mund të rrijë gjakftohtë para një spektakli të tillë.
Megjithatë, sistemi i kontrollit IMEI që u miratua sot nga qeveria, nuk është asgjë tjetër veçse një sindrom i shfaqur i një rrugëtimi të shkuar, me hir a me pahir, që kombit tonë iu desh të kalonte. Survejimi, sado larg ta çojmë, prodhon domosdoshmërisht njerëz të trembur. I prodhon nga vetë lloji i jetesës që u imponon individëve: qoftë kur blejnë një paisje telefonike, qoftë kur e sjellin ndërmend se po përgjohen nga dikush, qoftë kur mendojnë të kufizohen në ato që thonë, me një fjalë; nuk merret parasysh njeriu në shoqëri, gjë e cila do të thotë, të krijosh një lloj ekzistence kundër natyrës.
Nëse do të merrnim vetveten me të mira, e të themi se aparati ynë celular do të jetë i sigurtë në rast të ndonjë vjedhje që të dhënat të mos përdoren, nuk duhet të harrojmë as këtë se, numri IMEI mund të përdoret mjaft lehtë kundra nesh, është padyshim një vlerë e madhe rrëziku.
Por shoqëri të dalura nga sistemet totalitare, rrjedhimisht si kjo e jona, nuk e respektojnë shumë privatësinë e tjetrit, madje, e kanë të pamundur të mos fusin hundët në punët e njëri-tjetrit. Në një shoqëri që ka qenë e mbyllur për gati pesëdhjet vjet nuk i mbetet gjë tjetër veçse të merrej me veten e vet, pikërisht ky sindrom, i së kaluarës së kombit tonë, në një mënyrë disi ndryshe ka nisur të shfaqet në jetën e gjithsecilit.
Pak a shumë, po shohim një njeri që kthehet shumë vite prapa, që ka një dëshirë për të kontrolluar tjetrin, që ka akses për të kontrolluar, madje, shumë më tepër: pasion për të kontrlluar, obsesion për të kontrolluar, i cili tek shumëkush shpeshherë, kapërcen të gjitha kënaqësitë e tjera. Nuk duhet harruar se njeriu e transformon mjetin në qëllim dhe qëllimin në mjet. Në ç’kuptim? Shën Agustini dikur na thonte se nuk është asgjë e keqe dëshira e njeriut për të qenë i ushqyer, është një gjendje që s’ka asnjë mekat, por në momentin kur njeriu jeton për të ngrënë, pra, nevoja e të ngrënit kthehet në qëllim të jetës, pikërisht këtu fillon mëkati i parë, sëmundja. Njeriu mund të vdesë duke ngrënë se nuk përmbahet.
E njëjta gjë ndodh edhe me survejimin, kontrollin apo monitorimin e personit, mund t’i vendosim çfarëdo emri të duam. Megjithatë nevoja për të kontrolluar është një mënyrë orientimi. Pra, është një instrument i nevojshëm për cilëndo shoqëri në botë. Por në momentin kur njeriu jeton për të kontrolluar tjetrin, për të zaptuar jetën e dikujt, pikërisht atëherë fillon simptoma psiko-patologjike, pak a shumë një lloj diktature që për hir të survejimit, shndërrohet në frikë ndaj tjetrit.
Po pse pikërisht frikë ndaj tjetrit?
Ka një tendencë të njeriut për të parë se çfarë bën tjetri. Jo pa qëllim në jetën tonë hapësirën e tejdukshme të shtëpisë jo vetëm që e kemi mbuluar me perde, por kohëve të fundit, i kemi shtuar edhe grilat. Perdja dhe grila është pikërisht një pengesë që i kemi vendosur tjetrit për të parë. Por ka shoqëri të tjera, që pothuajse kanë shkelur në rrugë të tilla të sojllojta që i kanë hequr nga shtëpitë e tyre. P.sh, në disa qytete të Gjermanisë thuhet se ka lagje të tëra që dritaret e banesave i mbajnë pa perde, nuk kanë frikë nga tjetri, madje, nuk kanë frikë as nga survejimet e shtetit, me sa duket, është një shoqëri që vazhdimisht e kultivon vetveten për ta kapërcyer idenë e frikës ndaj tjetrit, ankthit se komshiu, fqinji, apo miku po e përgjon matanë syrit të derës për të parë dhe monitoruar levizjet e dikujt.
Të fabrikosh një shoqëri të lirë duhet me patjertër ta vendosësh theksin tek liria e individit, e jo tek e tëra. Ndonjëherë mund të jetë e vërtetë ajo për të cilën ngre zërin fort Dr. Stockman në Armiku i Popullit të Ibsenit: “Shumica ka pushtetin, por nuk kanë të drejtë!”, ndaj është e nevojshme t’u bindemi disa ligjeve të pashkruara të perendive.
Dhe jemi të sigurtë se dashuria kristiane për fqinjin, postulatet e etikës kantiane që na paralajmëron ta shohim çdo individ gjithmonë si qëllim dhe kurrë si mjet, vlerat- liria dhe toleranca- e Iluminizmit dhe demokracisë, idealet e drejtësisë shoqërore, të drejtat e barabarta të njerëzve, janë vlera universale bazë që nuk ka as Kreon as Shtet dhe as ndonjë komunist i padalë ende në pension që mund t’i shkelë.
Sot, nëse u mor një rrugë për t’i hyrë individit në njësinë më të vogël të komunikimit, pra aparatin celular personal, pa frikë mund të themi, se shteti i është futur njeriut në jetën e tij, në hapësirën e përditshme, në intimitetin e vet, dhe për të gjitha ato të drejta që thamë pak më lart, është mëse e qartë të thuhet se të gjitha janë të cënuara. Individi merr vlerë jo më si një qenie individuale, por si një gjësend në mes të turmës.

Leave a Reply