Financat e semura te Rilindjes

Home » Aktualitet » Financat e semura te Rilindjes

By Redaksia on August 30, 2014. No Comments

Artan-Hoxha

Nga Artan Hoxha

PROPAGANDA HILEQARE RILINDESE
Me të dalë shifrat e para fiskale për muajin korrik 2014, Qeveria nxitoi të shpallte sukseset për këtë muaj dhe për shtatëmujorin 2014. Qeveria theksoi se të ardhurat nga Tatimi i Vlerës së Shtuar (TVSH) ishin historikisht më të lartat e që së bashku me rritjen e të ardhurave
nga kontributi për sigurimet shoqërore, provonin rritjen e ekonomisë, të konsumit e të punësimit për meritë të saj apo se deficiti buxhetor ishte më i ulët se ai i planifikuar, dhe pra situata fiskale ishte nën kontrollin e plotë qeveritar. Ndaj, Qeveria pret serbes misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe, sipas saj, nuk ka më rrezik të qenësishëm për të ndërmarrë një tjetër rritje të taksave, rritje që parashikohet në rast nevoje, në marrëveshjen e saj me FMN.
Në fakt, Qeveria evitoi analizën e thelluar të korrikut fiskal përballë publikut, rezultatet e të cilit e bëjnë atë një muaj të dobët dhe parathënës të dobësive që, me shumë gjasa, do të theksohen në muajt e ardhshëm.
LUHATSHMERIA E TE ARDHURAVE FISKALE
Të ardhurat e drejtpërdrejta nga tatimet dhe doganat për muajin korrik 2014 ishin vetëm 2.2% më shumë se korrikut 2013 i Qeverisë Demokrate në ikje, vetëm 2.0% më shumë se korriku 2012 dhe 7% më pak se plani i Qeverisë Rilindëse për korrikun 2014. Pas janarit ky është muaji më i dobët fiskal i rilindësve për këto të ardhura.
Në këtë dobësi, ndryshe nga muajt pararendës, ka kontribuar TVSH. Të ardhurat neto nga TVSH për korrikun 2014 ishin respektivisht 4.8% dhe 3.2% më pak se korriku 2013 dhe ai 2012 dhe 6.7% më pak se plani.
Rezultatet e dobëta të TVSH për muajin korrik e maj 2014 dhe ato të larta për pesë muajt e tjerë duhen parë me sy kritik, pasi luhatshmëria e të ardhurave është shumë e lartë dhe, bashkë me të dhëna të tjera, mbështet hipotezën e rolit ndihmues të faktorëve jo të qëndrueshëm në rritjen e të ardhurave dhe rolit pengues të faktorëve të qëndrueshëm në uljen e të ardhurave prej TVSH. Analiza duhet të përfshijë qoftë arsyet fiskale dhe administrative të kësaj luhatshmërie, qoftë lidhjen e saj me performancën e ekonomisë, rritja e deklaruar e së cilës nga Qeveria është shumë e dyshimtë.
Të ardhurat në korrik 2014 nga tatimi mbi fitimin dhe ai mbi të ardhurat personale për herë të parë këtë vit tejkaluan planin modest mujor, ndërsa të ardhurat nga akcizat dhe taksat nacionale vazhduan edhe këtë muaj të japin të ardhura shumë më pak se plani i Qeverisë. Gjithsesi, rritja e ndjeshme e nivelit respektiv të këtyre taksave natyrshëm që ka sjellë këta muajt e 2014-s më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit se një dhe dy vite më parë.
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore për korrikun 2014 janë vetëm 2.2% më shumë se korriku 2013, ndërkohë që të ardhurat në qershor e maj 2014 ishin mbi 9% më shumë se i njëjti muaj një vit më parë, në prill afro 70% më shumë, ndërsa në janar-mars 2014 ishin afro 6% më pak se janar-mars 2013. Luhatshmëria e lartë tregon ose ulje-ngritjet e evazionit fiskal, ose ulje-ngritjet e punësimit formal. Ky konkluzion përforcohet edhe nga luhatshmëria e lartë e të ardhurave mujore nga kontributet e sigurimeve shëndetësore, qoftë krahasuar me një vit më parë e qoftë me planin.
Në tërësi, të ardhurat nga tatimet dhe doganat si dhe nga fondet speciale (pra, pa përfshirë vetëm të ardhurat tatimore vendore) për periudhën shtatëmujore janar-korrik 2014 janë afro 11% më shumë se në janar-korrik 2013, afro 8% më shumë se në janar-korrik 2012 si dhe afro 1% më pak plani i Qeverisë, tregues këta më të dobët se ata për gjashtëmujorin, ndërsa duhet të ndodhte e kundërta.
PERFORMANCA NE DOBESIM E ADMINISTRATES FISKALE TE RILINDUR
Për të vlerësuar performancën e administratës fiskale të rilindur krahasuar me atë demokrate, duhet të abstragojmë sikur rilindësit do të kishin performuar me të njëjtin sistem e politikë fiskale si ajo e demokratëve. Këtë metodë e kam shtjelluar në detaje në shkrime të mëparshme, ndaj nuk po zgjatem më e po dal drejtpërdrejt te rezultatet e korrikut 2014 dhe shtatëmujorit 2014, që tregojnë të njëjtat përfundime si ato të muajve të mëparshëm – një performancë e dobët e në dobësim e rilindësve.
Duke lënë mënjanë për një moment dy faktorë: importin e naftës për operacionet hidrokarbure si dhe efektin një dhe dyvjeçar të rritjes reale ekonomike e të çmimeve; e, duke zbritur si fillim vetëm efektet e përllogaritura mbi të ardhurat të ndryshimit të sistemit dhe politikës fiskale rilindëse nga ajo demokrate, do të rezultonte se në korrik 2014 administrata fiskale e rilindur do të kishte mbledhur po aq të ardhura sa ajo demokrate në korrik 2013 dhe vetëm 2% më shumë se në korrik 2012. Për shtatëmujorin janar-korrik 2014 rilindësit do të kishin mbledhur respektivisht 3% dhe 1% më shumë se ç’mblodhën demokratët në janar-korrik 2013 dhe 2012. Që në këtë hap të ndërmjetëm rezulton se të ardhurat më të shumta në janar-korrik 2014, krahasuar me një e dy vite më parë, janë praktikisht rezultat i paketës fiskale me taksa të rritura, dhe jo rezultat i përmirësimit të performancës së administratës.
Nëse zbresim edhe efektin e rritjes reale ekonomike dhe të çmimeve për periudhat një dhe dyvjeçare e me koeficientet respektivë 3% dhe 7% nga të ardhurat fiskale të mbledhura, do të rezultonte se performanca e administratës fiskale rilindëse në korrik 2014 është njëherazi më e dobët se ajo demokrate edhe në korrik 2013 edhe në korrik 2012, ndërsa performanca shtatëmujore rilindëse 2014 është e njëjtë me atë shtatëmujore demokrate 2013 dhe është afro 6% më e dobët se ajo shtatëmujore demokrate në vitin 2012. Këto konkluzione vlejnë edhe për periudhën dhjetëmujore tetor 2013 – korrik 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë dhjetëmujore një dhe dy vite më parë.
Sa për krahasim dhe freskim kujtese, tetë vite më parë, pa rritur taksat e duke zbritur edhe efektet e rritjes ekonomike dhe të çmimeve me koeficientet e kohës, rezultonte që demokratët, në vitin e parë qeverisës, për të njëjtat periudha kohore shumëmujore si me sipër, i rritën të ardhurat fiskale me 8% dhe 16% krahasuar me të njëjtat periudha socialiste një dhe dy vite më herët. Ai ishte me të vërtetë impuls përmirësues nga rotacioni i qeverisë më 2005-n dhe jo ç’po ndodh me rilindësit që, kur në nisje kaq dobët, imagjino se si do ta bitisin në fund të mandatit.
Problemi i performancës së administratës fiskale rilindëse rëndohet edhe më shumë nëse në analizë përfshihen të ardhurat nga importi i naftës për operacionet hidrokarbure. Demokratët nuk mbanin në import as TVSH, as akcizë, as taksa kombëtare dhe as tarifa doganore për këtë lloj nafte, por nuk kishin as detyrime për rimbursim të së njëjtës vlerë financiare më pas. Rilindësit vendosën ta taksojnë tërësisht e paradhënie që në import këtë naftë për ta rimbursuar më pas, përgjatë vitit fiskal, të njëjtën vlerë të parapaguar. Kjo do të thotë që të ardhurat 2014 rriten për shkak të këtij ndryshimi të regjimit fiskal për këtë naftë dhe, ndryshe nga të ardhurat nga taksat e tjera të rritura, në këtë rast rritja e të ardhurave është fiktive pasi ato do të rimbursohen.
Qeveria nuk jep asnjë të dhënë për vlerën financiare të të ardhurave nga taksimi i naftës për operacionet hidrokarbure, as se në ç’masë është bërë rimbursimi i operatorëve deri tani dhe as se ç’mbetet për t’u bërë nga kjo paradhënie. Sipas demokratëve, efekti neto fiktiv në buxhet (të ardhura minus rimbursime) vetëm për periudhën janar-korrik 2014 është afro 6 miliardë lekë. Nëse kjo shifër është e saktë e, duke e zbritur nga të ardhurat, do të rezultonte që performanca fiskale rilindëse është bërrnut për këta shtatë muaj e parë të vitit 2014 – afro 4% më e dobët se shtatëmujori i demokratëve një vit më parë dhe afro 10% më e dobët se dy vite më parë.
Por, nëse e vërteta është edhe sa gjysma e shifrës demokrate për këtë lloj nafte, performanca e administratës fiskale rilindëse është për të qarë hallin dhe, e gjithë shtesa e rëndë rilindëse e barrës fiskale mbi sipërmarrjet dhe konsumatorët si dhe një e dy vite rritje ekonomike dhe e çmimeve kanë sjellë të ardhura shtesë gjysma e të cilave kanë kompensuar rënien në pikiatë të performancës së administratës fiskale nga rilindja e saj në vend që të shërbenin vetëm për shpenzime të dobishme publike. Rilindje më të kushtueshme vështirë të ketë njohur bota.
DEFICITI I PRITSHEM NE TE ARDHURAT FISKALE 2014
Njësoj si në muajt pararendës, edhe korriku tregon se, nëse nuk ndryshon tendenca e derisotme e ekonomisë dhe nëse nuk rritet performanca fiskale e administratës së rilindur, rezultati deri në fund të vitit do të jetë një deficit në të ardhurat tatimore qendrore (pa ato të qeverisjes vendore) në intervalin 10-20 miliardë lekë më pak se parashikimi prej afro 324 miliardë lekësh për këta zëra. Kufijtë e këtij intervali rriten frikshëm në varësi të shifrave që diskutuam lidhur me naftën për operacione hidrokarbure dhe vlerën e saj deri në fund të vitit.
Kjo mundësi deficitare shpjegon, ndër të tjera, edhe hezitimin e Qeverisë për të realizuar në shtatë muajt e parë 2014 shpenzimet e planifikuara për investimet publike me burime të brendshme si dhe fondet kompensuese për (ish) të përndjekurit politikë, (ish) pronarët dhe shtresat në nevojë. Shpenzimet për këta zëra janë shumë, shumë më pak se plani i vetë Qeverisë e, po kështu, shumë më pak se plani është edhe kryerja e pagesave të prapambetura për investimet në infrastrukturë, ndonëse, sipas propagandës qeveritare, ky është angazhimi “më i përzemërt” i saj.
Qeveria rreket që ta propagandojë deficitin më të vogël buxhetor si maturi dhe kontroll të situatës financiare, por kjo nuk është gjë tjetër veçse pasiguria e Qeverisë dhe dobësia e performancës së saj që shndërrohet, me arrogancë, në pashpirtësi.

Leave a Reply