Fryma

Home » Aktualitet » Fryma

By Redaksia on August 2, 2014. No Comments

Artur-ZhejiArtur Zheji

Në Kuvendin e Shqipërisë, në seancën e vet përmbyllëse, u shënua një sukses kombëtar. Së pari u miratua një reformë e rëndësishme administrative, e cila, edhe sikur të ketë vendime të pakolauduara mirë aty-këtu, në tërësinë e vet është një risi e plotë dhe kryekëput pozitive.

Për më tepër, çështja e Himarës, mori një Zgjidhje, e cila demoralizon spekulimet me këtë krahinë, që kanë qenë një kokëçarje e përhershme dhe e përdyvjetshme për Shqipërinë e brishtë të tranzicionit. Ndërhyrja e përsëritur e Ministrit të Jashtëm grek Venizellos, shpresojmë të jetë edhe akti i fundit, kaq tejet pa dorashka, që një diplomat i këtij niveli kaq të lartë përpiqet të bëjë, kaq pa takt dhe kaq larg shtratit të funksionit dhe të dikasterit që ai drejton në Republikën e Greqisë.

Ka padyshim në këto momente, shumë kundërshtarë apo armiq të përbetuar të Ramës dhe të Metës, që ndoshta fërkojnë duart me gëzim nga mërzitja e madhe e disa segmenteve të politikës jo konstruktive helene. Te lobet e tyre në Amerikë dhe në Bashkimin Europian, të cilat mund të ‘hakmerren’ ndaj kësaj Shumice, e cila votoi me dinjitet dhe me integritet, në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Dhe ndoshta hakmarrja edhe do të vijë, në qindra forma të tërthorta.

Dhe ndoshta mund të ketë edhe zbehje. Edhe zbythje të të pabythëve. Por kjo nuk ndryshon thelbin e asaj që ndodhi 48 orë më parë.

Një rikonfirmim të Sovranitetit Kombëtar dhe të Seriozitetit Kombëtar.

Porse çështja, për ata që nuk e kuptojnë është edhe më e thellë se aq.

Ky Vend, Shqipëria pra, ka hedhur themelet e një ndërgjegjeje të re publike. Dhe e ka hedhur këtë themel, më shumë se ndër partira apo forume ngjyra-ngjyra, në planetin e shumëpopulluar të Internetit, ku pulson, herë përmes anonimatit dhe herë përmes prononcimit të drejtpërdrejtë, llava e kësaj ndërgjegjeje të Re. Brenda apo përtej partive konvencionale.

Ky ‘popull’ ka krijuar Partinë e vet, që është një organizëm i gjallë më shumë se çdo parti publike. Dhe është një popull i ditur. Botëshëtitur dhe Atdhedashës.

Ju kujtohet se çfarë ishte në gjendje të bënte ky ‘popull’ i ri shqiptar, banues i Planetit Internet, në vjeshtën e vitit të kaluar për Çështjen e demontimit të armëve kimike në Shqipëri? Ishte gati të përmbyste qeverinë e re, që sapo kishte votuar me shumicë, vetëm pak muaj më parë.

Dhe ky popull sot gëzon, sepse i pëlqeu dhe e vlerësoi qëndrimin e Kuvendit të vet për çështjen e Reformës dhe për çështjen e Himarës.

Por ka edhe më.

Duke qenë se për shumë kohë e kam ndjerë veten pjesë e një pakice, që ka nënvizuar, herë me pasion dhe herë me shkulmin e zhgënjimit, domosdoshmërinë e vlerësimit të vetvetes, si shqiptarë, si autoktonë dhe si rrënjëthellë që jemi, e sepse, pikërisht nga të rifituarit e respektit nacional për veten, rifillon edhe respekti për gjithçka që na rrethon, natyrën, ligjin dhe drejtësinë, mendoj pra, me frikën e përhershme se mos përgënjeshtrohem, se ka ndodhur diçka e rëndësishme në Frymë.

Në Frymën Shqiptare.

Aty ku mpikset dinjiteti kombëtar dhe ku zë fill vetëvlerësimi për veten, si trashëgimtarë të një qytetërimi të lashtë, të ndritshëm, por të humbur ndër kohëra. Por gjithsesi, të mbijetuar dhe të bartur në Gjuhën tonë dhe në Genet tona.

Kjo ndjesi e re, vetëvlerësuese e këtij Populli të ‘Ri’ Shqiptar, që gabimisht thirret me eufemizmin démodé ‘nacionalizëm’, i ka përçuar sinjalet e veta, vertikalisht lart edhe në më të shumtën e klasës politike shqiptare.

Dhe mendoj, me shqetësimin e pareshtur se mos përgënjeshtrohem, që ky ndryshim i ri dhe cilësor vetëvlerësues, dikton sot gjith’e më shumë, nga poshtë lart, qëndrimet politike. Dhe kjo Frymë është sot ndëshkuese, por nesër, do të jetë edhe shumë më shumë ndëshkuese, për llojin e moralit politik të vendimmarrjeve apo për qëndrime të lajthitura, të shitura apo zhgënjyese që prekin apo cenojnë Interesin Kombëtar.

Kjo përputhje e interesit elektoral politik nga njëra anë, me interesat morale të këtij elektorati virtual nga ana tjetër, që është njëherazi, vigjilent, inteligjent, i vetorganizuar dhe në rritje, është sot një lajm i mirë për interesin e përgjithshëm mbarëshqiptar.

Dhe njëkohësisht edhe një paralajmërim për ata që qeverisin. Në lidhje me vendimmarrjet që mund të ndërmarrin hap pas hapi.

Sepse, po kjo Frymë që të ngre vrulltas në qiellin e Shtatë, të përmbys sakaq në humnerën e shtatë Ndëshkuese. Të shesheve, protestave dhe të kutive të votimit.

Ndaje këtë shkrim

Leave a Reply