Harta e re anti-kombëtare dhe anti-kushtetuese/ Berisha: Shqiptarët të mos e pranojnë

Home » Aktualitet » Harta e re anti-kombëtare dhe anti-kushtetuese/ Berisha: Shqiptarët të mos e pranojnë

By Redaksia on August 2, 2014. No Comments

BERISHA

Ish- Kryeministri Berisha thotë në një intervistë për Televizionin Klan, se harta e re territoriale është antikombëtare dhe se komunat janë hequr qëllimisht, në shkelje flagrante të nenit 108 të Kushtetutës.

Intervista e plotë:

Gazetarja: Zoti Berisha, tashmë Partia Demokratike e ka bërë të qartë se nuk do ta pranojë këtë hartë, por pavarësisht kësaj mund të na thoni se cilat janë defektet e kësaj ndarjeje, parë nga këndvështrimi qytetar?

Sali Berisha – Ish– Kryeministër i Shqipërisë: “Problemi kryesor është se kjo hartë është antikushtetuese, diskriminuese, fund e krye anti- shqiptare, hartë që ndëshkon me një taksë të re shumicën e qytetarëve shqiptarë. Kjo hartë nuk respekton asnjë kriter gjeografik, demografik, ekonomik, kulturor, kushtetues, ligjor por fund e krye ambiciet e dyshes Rama-Meta, për të krijuar në Shqipëri, çifligjet e tyre elektorale. Është një batërdi e vërtetë territoriale. Për shembull, marrim salamandrën e Shkodës dhe shihni sesa afër e kanë qeverinë vendore qytetarët, sesi ndëshkohen në mënyrë ekzemplare qytetarët e rrethit të Shkodrës. Me këtë ndarje, rritet distanca mes qytetarit dhe qeverisë vendore, me dhjetëra kilometra, madje ka dhe raste 50 kilometra apo 70 e kështu me radhë. Kjo do të thotë se për të takuar qeveritarin e tij direkt, qytetari duhet të udhëtojë me dhjetëra kilometra, duhet të paguajë trasportin, duhet të vijë të paguajë dhe drekën ose të rrijë i uritur, pra është një taksë e mirëfilltë, pothuajse për çdo shërbim që tani do ta ofrojë administrata e qeverisë vendore dhe qeveria vendore ndaj tij. Rama – Meta kanë bazuar ndarjet e tyre kryekëput mbi mashtrimin. Ata u thonë shqiptarëve se e bazuan në zonë funksionale. Cili shqiptar mund të pranojë se Ura Vajgurore qenka një zonë më funksionale se Golemi që ka pesëfish të popullatës së tij? Apo Këlcyra, qënka një zonë funksionale dhe nuk qenka Velipoja, e cila ka hotele turistike, fiks sa Saranda ka patur vjet të rregjistruata me tatime, 91 me 91 hotele. Pse Ksamili nuk mund të jetë një zonë fuksionale, në kohën kur është perla më kryesore e turizmit të vendit? Sikur Jorgo Zografi të ngrihej nga varri, unë ju garantoj se nuk do të kishte bërë ndarje më armiqësore për shqiptarët dhe Shqipërinë. E them këtë sepse, në të tërë qarqet e Jugut kanë vendosur 19 bashki, kanë 1 të 7 e popullsisë së vendit. Tirana dhe Durrësi që kanë mbi 1 milion e 200 mijë banorë kanë gjithsej sëbashku 7 bashki. 7 bashki ka Gjirokastra, që ka 10 herë më pak popullatë sesa këto dy qarqe të marra sëbashku. ”

Gazetarja: Ku e bazoni faktin që kjo hartë është thjesht e hartuar për interesa elektorale. Mund të na sillni disa shembuj bazuar mbi këtë ndarje?

Sali Berisha – Ish– Kryeministër i Shqipërisë: “Mjafton ti hidhni një sy Tiranës. Janë bashkuar të gjitha periferitë më periferike me kryeqytetin dhe është përjashtuar Paskuqani, vetëm sepse është zonë demokratike e cila është vazhdimësi e Tiranës dhe lidhet me bulevardin. Ose, për të ndikuar Shkodrën është krijuar një zonë e paimagjinueshme, rreth 200 km gjatësi nga Rëra e Hedhur në Shëngjin, në Majat e Shalës dhe Qafës së Agrit. Kudo që ti hedhësh sytë kësaj harte, që të gjitha janë në funksion elektoral të bashkive, te çifligjeve të Ramës dhe Metës. S’ka asgjë tjetër përveç kriterit elektoral. Për këtë kriter, Kllojka e Shën Gjergjit, fshatra të cilat janë 50 km nga qendra e Tiranës, kufi me Lunikun Martaneshin, apo Zallbastari, kufi me Gurrën e Klosit, i bashkangjiten Tiranës. Bashkohet me Tiranën, Zallherri, që është përtej Paskuqanit. Kashari, shuhet si njësi, e cila është dhe qyteti i 8-të më i madh i vendit.”

Gazetarja: Një çështje sensitive ka qënë edhe Himara. Ka patur qëndrime të ashpra nga Athina, madje kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule mund të dalë nga koalicioni. Ju si do ta kishit zgjidhur?

Sali Berisha – Ish– Kryeministër i Shqipërisë: “Athina nuk ka kategorisht asnjë të drejtë dhe duhet të heqë dorë përfundimisht nga tendenca për krijimin e zonave minoritare në Shqipëri. Është e hidhur që pas 100 vitesh, eksponentë zyrtarë të lartë, të të dy partive në pushtet marrin pjesë në festimet e 100 vjetorit të krijimit të Vorio Epirit. Në qoftë se Athina udhëhiqet nga mentalitete të tilla, ose ndikohet nga mentalitete të tilla, vepron tërësisht me një politikë destabilizuese në rajon. E drejta e saj për zonat e vërteta minoritare është për tu rrespektuar siç është për çdo vend tjetër. Gjatë gjithë karrierës time politike, me dhjetëra e dhjetëra takime me zyrtarët më të lartë grekë, kurrë ndonjëherë ata nuk kanë shprehur idenë e minoritetit në Himarë. Pse? Sepse nuk e ngrinin dot, se nuk qëndron, sepse nuk ka asnjë dokument të mirëfilltë as këtë shekull, as shekullin që shkoi, as shekullin paraardhës dhe asnjëherë, se Himara ka qenë zonë minoritare. Ndërsa Himara ka një armik tjetër, përveç Vorio Epiriotëve, mafian shqiptare në përgjithësi dhe mafian e bregut, të përfaqësuar nga Koço Kokëdhima në veçanti. Sepse këta nuk kanë asnjë qëllim tjetër, përveçse shfrytëzimit të diamandit të trojeve shqiptare, për tu pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe mafioze.

Gazetarja: Fjalia “nuk e njohim këtë hartë të çon automatikisht tek bojkoti nga Partia Demokratike i këtyre zgjedhjeve, apo jo?

Sali Berisha – Ish– Kryeministër i Shqipërisë: “Së pari do të thotë një apel për mbarë qytetarët shqiptarë kudo që banojnë që të ngrihen, të kërkojnë të drejtat e tyre kushtetuese dhe dhunimin e tyre nga kjo hartë. Unë theksova për taksën që u vendoset këtyre qytetarëve, theksova heqjen e buxhetimit direkt për këto zona por mos harrojmë se kjo do të ketë një prishje të madhe të cilësisë së jetës në qytetet e vendit, për shkak të dobësimit të shërbimeve. Momentin që Shqipëria i kthen kurrizin, pothuaj 2 të 3-at e territorit të vet, këto faktikisht dora – dorës shndërrohen në një shkretëtirë. Por, shkretëtirat sot janë provuar plot naftë, unë nuk e di nëse malet tona kanë apo jo, përndryshe ato do të mbeten shkretëtira malore.

Gazetarja: Kryetari i Partisë demokratike Basha përveç reagimit të qytetarëve si zgjidhje përmend edhe rrugët kushtetuese. Cilat janë rrugët kushtetuese?

Sali Berisha – Ish– Kryeministër i Shqipërisë: “Referendumi! Referendumi i përgjithshëm, referendumet lokale, protestat e fuqishme, drejtimi tek Presidenti i Republikës, në Gjykatë Kushtetuese. Komuna është një e drejtë kushtetuese themelore e qytetarëve për të patur qeverinë vendore. Nuk mund t’u hiqet me një mashtrim, siç bën Rama dhe skllavi i tij Ilir Meta. Nuk bëhen në këtë mënyrë. Mendoj se janë shkelur të gjitha kriteret por ka një gjë më të rëndë akoma, shumë të rëndë: është shkelur Kushtetuta e vendit! Neni 108 pika 3, e të cilit përcakton se komunat dhe bashkitë janë njësitë e qeverisë vendore.  Njëlloj sikur të ishin një bandë dhe sikur të mos kishte asnjë ligj në vend, ata votuan këtë reformë, duke shkelur mbi Kushtetutën e vendit. Kushtetuta përcakton komunat sepse në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër të Europës, ato janë të domosdoshme, sepse Shqipëria është vendi më malor i Europës. Shqipëria s’ka majet më të larta, por ka lartësinë mesatare më të madhe sepse ka majet më të shumta, duke filluar nga Koshovica e Gjirokastrës, e duke përfunduar në Alpet e Veriut. Janë me qindra maje dhe në tërësi, në malet e Shqipërisë ka banorë, pothuajse kudo. Tani, do ti braktisësh këto zona? Kjo është shumë anti-kombëtare. Ne u themi “o shqiptarë zbrisni në qytete sepse atje ku jeni s’mund të jetoni, se shteti nuk është më tek ju, nuk ka dorë, nuk ka sy, nuk kujdeset më për ju”. Ne u themi këtyre shqiptarëve se nuk ka më investim në këto zona, se nuk ekzistojnë, ne i fshimë nga harta. Ata edhe duke qenë e kishin të vështirë të merrnin atë që meritonin.

Heqja e komunave është akt idiotesk dhe jo i paqëllimshëm i Enver Hoxhës, i cili nga komuna i kaloi në lokalitete dhe nga lokalitete i fshiu fare. Natyrisht qytetarët kanë në dorë që të organizohen në protestat më të fuqishme. Qytetarët kanë në dorë që të kërkojnë të drejtën e tyre kushtetuese, Komunën, në të gjitha institucionet e vendit, përfshirë sheshet dhe rrugët e Shqipërisë. 

Leave a Reply