Hyjnorja dhe Demoniakia tek Onufri

Home » Aktualitet » Hyjnorja dhe Demoniakia tek Onufri

By Redaksia on August 15, 2014. No Comments

Nga Moikom Zeqo

MoikomZeqo-2Onufri, piktor i jashtëzakonshëm i shekullit XVI, qe piktor me kulturë të madhe teologjike.

Nocionin e Demoniakes, jo vetëm e metaforizon, por edhe e diferencon dhe e specifikon. Me tej akoma: Onufri i përkushtohet para e gjithash Hyjnore në asimetri me Demoniaken, por në një koncept universal krijon megjithatë një simetri ekzistenciale dyzuese.

Piktori i jashtëzakonshëm meta-bizantin i shekullit XVI Onufri krijoi universin e imazheve pikturike sipas një regjizure të estetikës transcendentale. Ai është Demiurg i rrëfimeve evangjeliste si kuadrot e vijueshme të një “filmi” në një koncept ftillëzues, zanafillor.

Ai kompozon së brendshmi figurat e jashtme me një stil madhështor, të ndryshëm nga tradita rutinore e ikonografisë kreto-athosiane, tepër lakonik, ende pa ndikimin e barokut evropian, por me një trikonceptim rilindas të stilit të shkëlqyer paleolog në mjedisin nervoz, kapriçoz shqiptar.

Ai pikturon malet me silueta të larta, të tërthorta, plot stralle të arta, oranxhë, që të kujtojnë një gjeografi sakrale të Shqipërisë enigmatike dhe të përjetshme.

Ky ikonizim brilant i shkrepave, gati si në pikturat zenbudiste të artit kinez dhe japonez kanë gjithashtu një strukturë simbolike të gravurës dyreriane. Në kompozimet e afreskeve dhe të miniaturave të ikonave, Onufri e shpalos edhe epikën, edhe lirikën në rrafshin e Hyjnores. Ai e njeh mrekullisht parimin e simultanizmit në pikturën e tij, vendos brenda një subjekti të njëjtën figurë në etapa të ndryshme kohore, gjë që krijon një mistikë grishëse, të papritur, të çuditshme, një hermetikë përherë moderne.

Nuk është e rastit që Andre Bretoni, ati i surrealizmit 4 shekuj më vonë do ta quante parimin e simultanizmit të artit bizantin si një parim të krejt artit surrealist. Në një kuptim të estetikës teologjike, arti i Onufrit është një përplasje, një triumf i Hyjnores ndaj Demoniakes. Kjo gjë nuk është vënë re nga studiuesit onugrologë ashtu si duhet. Thënë më shkurt, nga njëra anë është Krishti i mrekullueshëm prometeik dhe nga ana tjetër është Djalli i errësirës. Ja kontrasti, dialektika. E mira dhe e keqja!

Në kishën e Valshit, të pikturuar më 1554, Onufri e ka realizuar me afresk skenën ANASTASIA, dmth Ringjallja, frymëzuar nga Apokalipsi. Krishti i ringjallur zbret në Had, Triumfator mbi Vdekjen, u zgjat duart për t’i ngritur në Qiell Adamit dhe Evës dhe profetëve të mëdhenj. Për t’i ringjallur si shpirt dhe si trup. Për t’u dhënë një Tokë të Re dhe një Qiell të Ri. Për të mos patur kurrë më vdekje. Kjo është optika e Teologjisë së Çlirimit, e jetës së Pavdekshme.

Në afreskun e Valshit, Krishti shpagues shkel figurën e Djallit. Djalli është një hibrid i njeriut dhe kafshës, ka një mjekër të gjatë dhe brirë, në gjymtyrët e tij plot lesh duken vargonjtë e zinxhirëve, duken portat e thyera të Hadit, veglat e torturave që Djalli ua përdor mëkatarëve në Pasvdekje, ca gjilpëra të çuditshme, shtiza shpuese, gozhdë. Fytyra e Djallit është e deformuar, veshët e tij janë në pozicion mbrapsht, gishtat e tij janë kthetra.

Djalli është kryemetafora e Demoniakes. Djalli është kështu një parim ontologjikisht negativ. Figura e tij në Krishterim ka arketipin e Satirit pagan, seksual, me brirë, i shëmtuar. Sipas deontologjisë mesjetare ai është Luçiferri, Belzebuli (Zoti i Mizave), Satanai, Belfagori. Ai ndryshon në shumë trajta, pra është poliform. Në teologjinë negative të traktatit të Dionis Pseudo-Aeropagut, Djalli është antiteza e Zotit.

Në tërë ikonografinë shqiptare vetëm Onufri e ka realizuar figurën e detajuar të Djallit, duke mos harruar edhe figura të tjera të arealit demoniak. Në ikonën e Pagëzimit, Krishti rri mbi lumin Jordan, në valët e Jordanit duken dy figura pagane Poseidoni dheTetis, që krishterimi i quan hyjni të rreme, pra të arsenalit dhe bashkësisë së Djallit.

Në ikonën e Lindjes së Krishtit, Onufri reflekton një legjendë apokrife të krishterimit të hershëm. Në anën e djathtë të skenës Onufri pikturon të vluarin e Marisë, Jozefin, e mbërthyer nga dyshimet kur mësoi se Maria është shtatzënë ende pa e konsumuar fizikisht aktin seksual të martesës, dhe përpara Josifit vë figurën e Djallit në formën e një bariu, me kapele, me stap, me dorën e majtë dhe me enën e ujit-susak, në brez. Kjo gjë nuk shënohet tek ungjijtë sinoptikë, por ka ekzistuar tek shkrimet gnostike të hershme.

Djalli si bari shqiptar nuk është i shëmtuar. Përkundrazi. Djalli është poliform, ai mund të paraqitet edhe në formën e njerëzve, që nuk ngjallin rrezikshmëri, madje nganjëherë edhe në formën e një Krishti të Rremë. Onufri qe piktor me kulturë të madhe teologjike.

Nocionin e Demoniakes, jo vetëm e metaforizon, por edhe e diferencon dhe e specifikon.

Onufri i përkushtohet Hyjnores në asimetri me Demoniaken, por siç e theksova, në një koncept universal krijon megjithatë një simetri. Onufri sendëzon, bën fakt të përjetshëm, një tipologji të estetikës së ikonografisë së krishterë si një nga traditat më të mëdha të njerëzimit. Ai është sa shqiptar aq edhe botëror. Ai është përfundimisht Onufri, pa asnjë të dytë! Amen!

Leave a Reply