INTERVISTA/ Flet djali i ish-kancelarit gjerman: Si u refuzuan milionat e Shtraus dhe zhgënjimi i tij

Home » Aktualitet » INTERVISTA/ Flet djali i ish-kancelarit gjerman: Si u refuzuan milionat e Shtraus dhe zhgënjimi i tij

By Redaksia on August 25, 2014. No Comments

maks

Ndihma financiare prej 100 milion marka e ofruar 30 vite me parë nga kancelari i Bavarisë, Franc Jozef Shtraus, ishte një shans i humbur për Shqipërinë.

Kështu e shikon pas plot 30 vitesh i biri i tij, Maks Shtraus. Në një intervistë ekskluzive për Tonight Ilva Tare, Maks rrëfen udhëtimin e të atit të tij në periudhën e regjimit të diktatorit Hoxha.

E ndërsa hedh vështrimin në vite, Shqipëria ka ndryshuar shumë sipas tij, por ka ende rrugë të gjatë për të bërë përpara.

Maks Shtraus është mik i të gjithëve, siç thotë ai, nuk ka rënë në lojën politike shqiptare.

“Më pëlqen inisiativa dhe miqësia me Kryetarin Ilir Meta me të cilin kam patur biseda të gjata. Më parë edhe me kryeministrin Berisha dhe me kryeministrin Edi Rama. Nuk jam pjesë e lojës politike në Shqipëri”.

Ndërkaq nismën e ish-kryeministrit Berisha “Shqiperia superfuqi energjitike” ai e sheh me skepticizëm. Maks vlerëson se janë dhënë shumë licenca, por nuk ka një Hidrocentral të përfunduar.

Dhe për më tepër sipas tij, e kanë të pamundur të gjejnë financime në treg. Më e mira tani sipas tij është që të rikonceptohen dhe ndoshta qeveria gjermane mund të ndihmojë në këtë.

“Ju keni shumë investime këtu, por sipas zhvillimeve të reja të energjisë së rinovueshme, i gjithë koncepti shqiptar i hidrocentraleve pranë lumenjve është i pamundur. Shqipëria ka inxhinierë të mire, por dy plus dy bëjnë katër në Shqipëri ashtu edhe në Gjermani. Keni parë ndonjë hidrocentral të përfunduar”shprehet ai.

Për më tepër lexoni intervistën e plotë:

Zoti Strauss, faleminderit që pranuat intervistën. Kur babai juaj vizitoi Shqipërinë për herë të parë në 1984, unë kam qenë e vogël, por e kujtoj zhurmën që u bë, veçanërisht më pas, pas viteve të para të rënies së komunizmit. Ju ishit me të në Shqipëri, si e kujtoni atë vizitë?

Ende e mbaj mend. Në fillim përgatitjet, u ulëm bashkë në zyrën e babait tim, për të bërë planet për vizitën, dhe ai planifikoi një vizitë pushimesh dhe jo një takim zyrtar dhe më pas u shndërrua në një çështje shtetërore, vizitë shtetërore. Ne hymë nga Hani i Hotit dhe ndoshta isha numri dy që hyja në Shqipëri pas babait tim.

Ju thatë se ishte një vizitë private por në ato vite, pikërisht disa vite më vonë ra Muri i Berlinit si dhe komunizmi në vendet e lindjes. A nuk ishte një përpjekje për vendosur marrëdhënie diplomatike midis Gjermanisë dhe Shqipërisë?

Qartësisht kjo filloi si një iniciativë private, asgjë tjetër veç një vizite private.

Por babai juaj ishte Kryeministri i Bavarisë….
Po, por ashtu u shndërrua më vonë, ky nuk ishte qëllimi në fillim. Ishte vizitë private që u kthye në nivel të lartë politik.

Si ndodhi? Pse menduat të vizitonit Shqipërinë?

Dua ta them se ishte qartësisht një rastësi, sepse ne donim të përshkonim detin Adriatik kështu që duhet të përshkonim Shqipërinë. Nuk ishim të vetëdijshmë që kjo do të kthehej në një operacion të tillë. Ishte e qartë se zyrtarisht ishte e pamundur, por shumë gjëra ishin të pamundura në vendet komuniste..

Zakonisht familja juaj i kalonte pushimet në rivierën franceze?

Në jug të Francës. Mamaja vdiq në Qershor të 1984 dhe vendosëm që atë vit të shkonim në një vend afër Romës dhe të qëndronim me miqtë. Por më pas vendosëm të shkonim në anën tjetër të Adriatikut, pwrmes Ballkanit.

Kishte njerëz të tjerë me ju?

Vëllai im Franz Georg, vjehrri i motrës sime i cili ka vdekur tashmë, kumbari i babait tim, Agerov dhe drejtori i përgjithshëm i Mercedes-Benz Kardash.

Kur zbuluat se donit të përshkonit Shqipërinë dhe pastaj u rimenduat, prit pak, Shqipëria është e izoluar, nuk mund të shkojmë atje. Çfarë bëtë? U munduat të flisnit më zyrtarët shqiptarë?

Po, një nga pjesëtarët e grupit drejtoi gishtin në hartë dhe tha; kjo është Shqipëria, këtu nuk mund të hyjmë, por duhet t’i biem përreth. Babai im tha, pse të mos e provojmë? Telefonoi përgjegjësin e zyrës dhe i tha që të fliste me ambasadorin shqiptar për ta pyetur nëse mund të kalonim në Shqipëri në një udhëtim privat. Pas verifikimeve kuptuan se nuk kishte një ambasadë shqiptare,vetëm një i ngarkuar me punë në Vjenë, i cili reagoi në mënyrë paska arrogante, të painteresuar. Ishte e premte pasdite. Të hënën në mëngjes, në 6 e 30 të mëngjesit përfaqësuesi shqiptar na telefonoi i ndryshuar 180 gradë, nga të qenurit refuzues në një mikpritës të madh e miqësor duke na kërkuar ta zgjasnim vizitën. Pra ai u bë shumë miqësor, kishte sjellje tjetër, por ne nuk kuptuam përfshirjen politike të vizitës sonë.
A e bisedoi babai juaj me zyrtarët gjermanë që do të shkonte në Shqipëri?

Jo, kjo ishte programuar si një vizitë private.

New York Times që është një gazetë prestigjoze, në atë kohë shkroi: Udhëtimi në Shqipëri i zotit Strauss, një nga zyrtarët më të lartë të Perëndimit, i cili viziton vendin e izoluar në shumë vite, u përshkrua nga qeveritarët si vizitë e tërësisht private. Mendoj se shtypi nuk ka qenë i prirur ta besojë këtë. Kanë menduar se ka pasur më shumë gjëra nën tavolinë?

Kjo ishte e gabuar. Ne ishim që nga sekonda e parë deri në të fundit, të udhëhequr, të drejtuar nga qeveria shqiptare

Cila ishte ndjesia juaj e parë?

Gjëja e parë ishte që qeveria shqiptare ishte informuar gabim për orarin e mbërritjes, ne 8 të mëngjesit. Ne arritëm në orën 14:15 dhe ishim të veshur thjesht, si për pushime. Në Hanin e Hotit na priste zv/ministry i Punëve të Jashtme të Shqipërisë me kostum serioz, shumë zyrtar. Ne kishim vetëm nga një kostum me vete dhe veshjet e tjera krejtësisht sportive. Na cuan në vilat qeveritare dhe qeveria shqiptare u kujdes për ne që nga momenti që hymë në kufi. U kujdesën çdo sekondë. Për ushqimin, për gjithçka.

Dhe kishit një shoqërues, që ishte profesor Aleks Buda….

Profesor Aleks Buda nuk ishte vetëm një shoqëruesi ynë. Ishte një mik i mirë i Enver Hoxhës, 100% marksist i pastër, mendimtar i shkëlqyer. E fliste gjermanishten në mënyrë perfekte. Vetëm kur mësoje se nuk ishte gjerman, mund të kuptoje se gjermanishtja nuk ishte gjuha mëmë e tij. Mbresëlënëse ishte gjithashtu nga sasia e fjalëve, ai dinte fjalë të komplikuara, struktura fjalish të komplikuara, ishte e qartë se ishte intelektual.

Ai debatonte me babanë tuaj për Stalinin?

Netë të tëra, netë të tëra. Çdo natë, uleshim sëbashku në shtëpitë qeveritare dhe nuk flisnim sigurisht për modën në Paris. Bisedonim për politike nga fillimi deri në fund.

Përfshirë komunizmin në Shqipëri?

Po edhe për komunizmin.

Dhe çfarë thonit?

Ai thoshte gjithmonë se socializmi ishte fitues, më i miri.

Po babai juaj, cfarë thoshte?

Babai im donte gjithmonë të ishte i sjellshëm dhe ishte e qartë se nuk mund ta kthenim profesor Budën një 70 vjeçar marksist, në anëtar të partisë së djathtë të babait tim. Kjo ishte e pamundur por mendoj se ata ishin të ndërgjegjësuar që babai im erdhi me qëllime të ndershme. Im atë, ra në dashuri me sharmin e këtij vendi dhe ishte i vetëdijshëm se kishte potencial për të bërë ndryshime. Kjo ishte prapavija e ofertës së tij financiare.

Përpara se të shkojmë tek oferta financiare, sa ditë qëndruat këtu?

Qëndruam 4 ditë.

Vizituat ndonjë qytet?

Ishim në Krujë, atje këtë radhë edhe me vajzën time. Doja t’ia tregoja këtë vend dhe asaj. Kur isha tek muzeumi, m’u rikthyen kujtimet. Akoma më kujtohen disa vende dhe bisedat që bënim, detajet u rikthyen.

Çfarë bisedash?

Ishin pothuajse biseda politike, por jo për politikë në përgjithës,i por biseda për detaje. Infrastrukturë, shkolla. Babai nuk foli kurrë me asnjë lider komunist. Ne gjithmonë flisnim për problemet në detaje, sepse e dinim se nuk mund ta ndryshonim komunizmin nga koka. Duhet ta ndryshosh nga poshtë.

Dhe si j’u duk Kruja 30 vjet më vonë?

Ishte një eksperiencë e mrekullueshme sepse akoma e mbaj mend Krujën e errët dhe të varfër dhe ka ndryshuar shumë. Shikon njerëzit që jetojnë aty, tregun me punime artizanale dhe kjo është miqësore. Dielli që ndriçon. Dhe është pozitive. Në atë kohë ishte shumë i boshatisur i gjithë vendi. Ne pamë shumë pak njerëz sepse gjithcka ishte organizuar nga shërbimi sekret që mos të kishte njerëz në Krujë kur ne të ishim atje. Ishte zakon që shërbimi sekret i ndalonte njerëzit të kontaktonin me ne

Dhe ndonjë qytet tjetër që vizituat?

Ishim tek vila mbretërore afër Durrësit. Përshkuam gjithë vendin.

Në jug gjithashtu?

Edhe në jug. Ne u larguam nga jugu përmes kufirit me Greqinë dhe ishte diçka që ishte tepër dramatike sepse pasi u larguam kishte akoma edhe një barrierë që ishte e kyçur me dryn të madh dhe askush nuk e kishte çelësin. U desh shumë kohë për të hapur…

Për të gjetur çelësin?
Jo, nuk mund të hapej. Nga ana tjetër e kufirit në Greqi, një prift lokal që po na priste nga Shqipëria e errët. Dera u hap vetëm kur u gjet dikush që e sharroi drynin e kycur përgjithmonë.

Ka shumë legjenda për vizitën e babait tuaj në Shqipëri, njëra prej tyre thotë që kur pa bregun e mrekullueshëm të jugut z.Strauss u befasua. Çfarë vendi i bukur dhe çfarë mund të bëj unë për ta ndihmuar për t’u zhvilluar. Ishte kjo arsyeja? Çfarë tha ai kur e pa këtë vend?

Sinqersiht babai im nuk i impresionua shumë nga bukuria e këtij vendi duke qenë se e njihte Mesdheun shumë shumë mirë dhe peisazhin. Ne ishim një nga familjet e para gjermane që kishim shtëpi në jug të Francës, pasi mamaja ime ra në dashuri me atë zonë që kur vajti në 1957. Babai im ishte një fanatik i infrastrukturës, për këtë këmbënguli edhe me autoritetet shqiptare, duke u thënë se kishte një mungesë masive të infrastrukturës. Rrugët, energjia elektrike.Pamë fabrika të shkatërruara, nuk ishim brenda tyre, por çfarë sheh nga jashtë ka edhe brenda. Ishte e qartë se të gjitha standartet mungonin dhe babai im donte të ndihmonte me infrastrukturën, jo me resorte turistike.

Pra ju latë Shqipërinë pasi u sharrua barriera dhe vazhduat pushimet në Greqi?

Shkuam në Igumenicë dhe më pas shkuam në Itali.

Kur babai juaj shkoi në Mynih, çfarë tha për Shqipërinë?

Ai nuk tha shumë por ishte e dukshme se I kishte bërë përshtypje ndershmëria me të cilën shqiptarët e pritën. Ishte e qartë se ata ishin komunistë por edhe se ishin njerëz shumë të ndershëm dhe kishin një histori shumë të komplikuar në shekullin e 20-të dhe të gjitha zhvillimet Enver Hoxha etj dhe tërhoqën vëmendjen e babait tim. Babai im ishte efiçent. Efiçenca e tij ishte e pashoqe. Ai mund të realizonte me skuadra të vogla punë që as ekipet e mëdha nuk i mundësonin. Kjo praktikisht ishte fuqia e tij. Pika e fortë e tij ishte mënyra e të menduarit, komunikimi dhe presioni që ushtronte dhe jo pozicioni që mbante.

Në ato 4 ditë në Shqipëri, a kërkoi babai juaj të takonte ndonjë zyrtar të lartë në Shqipëri apo ata kërkuan të takonin babain tuaj?

Ne u prezantuam me programin brenda gjysmë ore në Han të Hotit, kur kreu i protokollit erdhi dhe na tha që kjo është ajo që do bëni ju. U shtua një ditë qëndrimi, axhenda për Greqi u anullua. Kjo ishte e nevojshme sepse shoqëruesit shqiptar ishin me ne gjatë gjithë kohës. Shtëpitë e pritjes hapeshin vetëm për ne dhe mbylleshin sa largoheshim.

Më parë po më flisnit për përshtypjet tuaja kur po vizitonit Gjirokastrën, kur ju treguan shtëpinë e Enver Hoxhës…

Po na treguan shtëpinë e Enver Hoxhës. Ata na e komunikuan në shqip por për ne ajo ishte vetëm një shtëpi mesjetare, një shtëpi tipike mesjetare. Më vonë e mësuam se ishte vendlindja e Hoxhës. Kur shkuam në shtëpinë qeveritare ishte një pamje mbresëlënëse, sepse prej aty mund të shihje Gjirokastrën e bukur, këtë qytet mesjetar me sharm. Në darkë kur shkuam në shtëpi nuk kishte asnjë dritë në qytet, asnjë, mund të ishte fare mirë një pyll. Pashë përreth dhe ishte errësirë e plotë. Profesor Buda e vuri re habinë time. E pyeta,, pse nuk ka asnjë në Gjirokastër. Ai e kuptoi shqetësimin tim.

U përgjigj?

Ai m’u përgjigj në mënyrë agresive. Do të preferoje të shihje ndonjë logo të Coca Colës dhe unë i thashë, me gjithë respektin për ju, po, do e preferoja diçka të tillë. Më pas kjo bisedë mori fund. Ne nuk donim të ofendonim askënd, në asnjë mënyrë, ky ishte maksimumi i kritikës që bëmë hapur. Akoma mbaj mend kur po vizitonim Muzeun Kombëtar, ishte një traktor bujqësor i vjetër që na u tregua dhe e kishte emrin Enver Hoxha. Kardash, kreu i Mercedesit që ishte ulur djathtas meje tha; po po, e dimë këtë. E kemi prodhuar ne që në 1925 dhe im atë menjëherë i tha; qetësohu, sepse ishte mund të merrej si ofendim për autoritetet . Im atë u kujdes shumë të mos provokonte aspak. Ishte e qartë që ky vend nuk kishte zhvillim.

Zyrtari i lartë që babai juaj takoi ishte zv/Kryeministri Manush Myftiu. Çfarë ndodhi gjatë asaj bisede?

Në atë bisedë, Myftiu na prezantoi me kërkesën e 200 miliardëve markave për riparimin dhe kompensimin nga dëmtimet e Luftës se Dytë Botërore.Në atë kohë vlenin sa150 miliardë Dollarë. Ishte një shifër e madhe, e paimagjinueshme dhe im atë mendoj që në këtë pikë dha përgjigjen më agresive. “Jam shumë i sigurtë se Gjermania do të mbijetonjë edhe për 100 vitet e ardhshme pa Shqipërinë, por nuk e di nëse Shqipëria do të mbijetonjë në ato kushte pa Gjermaninë.

Tha gjë Myftiu pas kësaj?

Ky ishte fundi i bisedës. Pas kësaj vizite, partia e babait tim, përmes Ministrit të bashkëpunimit ekonomik, mundësoi dhëniën e një ndihme me interes zero dhe pa kufizim kohor në shumën prej prej 100 milionë marka në vit. Qëllimi i Strauss ishte ta ndryshonte Shqipërinë dhe të tregonte se me ekonominë e lirë mund të fillonte ndryshimi

Ishte në formën e një huaje, apo dhurate?

Ishte një miks mes huasë dhe dhuratës por praktikisht jepnin hua dhe më vonë i falnin, pra kushtet ishin shumë të favorshme dhe ideja ishte të investohej në infrastrukturë. Rrugë, stacione elektrike, të limituar në këto fusha.

Sa është në Dollarë kjo shumë çdo vit?

Mendoj se në atë kohë ishte rreth 60-70 milionë dollarë në vit, por ajo ishte një kohë kur rroga e një inxhinieri ishte 8 dollarë në muaj. Ky është efekti i vërtetë sepse nëse do të ishin ndërtuar këto vepra me çmimet komuniste në ato vite përfitimi do të kishte qenë shumë I madh. Me 3-4 vjet ndërton gjëra të mëdha që kushtojnë miliarda. Investimet e tjera vijnë më vonë, por asgjë nuk vjen pa ndërtuar rrugët.

Çfarë ndodhi me qeverinë e asaj kohe, si e pritën ofertën. Apo këmbëngulën për 200 miliardët?
200 miliardët si dëmshpërblim që ata kërkonin për dëmet e luftës, nuk i mori askush seriozisht në asnjë moment.

E përdorën si justifikim se nuk i donin paratë tuaja?

Jo. Në 1985 babai im mbushi 70 vjeç. Ditëlindja e tij ishte ngjarja më e madhe në Bavari. Kardashi e Mercedesit erdhi bashkë me një delegacion shqiptar në Mynih. Im atë shpenzoi 45 minuta me ta për t’u prezantuar këtë ofertë që ishte mjaft e favorshme.

Delegacioni shqiptar përfaqësohej sërish me Manush Myftiun?

Nuk e di. Nuk e di kush ishte atë ditë dhe ata refuzuan zyrtarisht duke thënë: “Ne jemi një vend i zhvilluar, Nuk kemi nevojë për zhvillim”. Kjo ishte elita komuniste rreth Enver Hoxhës dhe e dinte saktësisht se një ofertë e tillë do të trondiste të ardhmen e tyre në pushtet.

E pyeti veten ndonjëherë babai juaj se përse ata nuk pranuan?

Po, ai ishte i zhgënjyer dhe thjesht nuk mund ta kuptonte si mund të refuzohej një shans I tillë. Ai ishte një tifoz i infrastrukturës. Ndryshimi më i madh midis Margareth Thetcher dhe babait tim ishte se ai nuk e kuptoi kurrë sesi britanikët e lanë pas dore infrastrukturën e tyre. I dukej e paimagjinueshme. Infrastruktura per tim atë ishte çelësi për gjithçka.

Në 1985 babai juaj e vizitoi Shqipërinë sërish, me ju. Cili ishte qëllimi i vizitës së dytë? Turistë sërish?

Jo, kjo vizitë ishte vetëm politike. Nuk u kthyem kurrë për qëllime turistike sepse ishte e qartë që e pëlqyem vendin, por nuk donim të isha nën kujdesin e qeverisë komuniste kur udhëtonim si turistë.

Në vizitën e dytë, babai juaj takoi politikanë?

Ai takoi Ramiz Alinë por ishte e qartë që shqiptarët nën rregjimin komunist nuk do të pranonin.

Kur ishte momenti kur babai juaj u dorëzua?

Asnjëherë nuk u dorëzua. Mendonte se diçka që nuk e bën sot, mund ta bësh nesër. Im atë vdiq përpara rënies së komunizmit. Për mua ishte emocionuese të shihja pamjet e shqiptarëve duke mirëpritur James Baker. O Zot, mendova. I kisha dëgjuar shqiptarët të thonin se merikanët ishin djalli në tokë. E mbaj mend profesor Budën duke thënë se ne luftojmë kundër amerikanëve. Për mua ishte mikpritja më emocionuese që bërë ndonjëherë për një të huaj në gjithë vendet komuniste. Ajo pritje ndryshoi gjithcka. Ndryshoi Shqipërinë.

Në vizitën tuaj të dytë në 1985 këtu, zoti Strauss e konsultoi idenë e tij me qeverinë gjermane po ashtu, me qeverinë federale. Ata donin ta ndihmonin apo donin që të mundej komunizmi?

Ishte gjithmonë e qartë që kjo ishte një mënyrë për të rrëzuar komunizmin, sepse kur ke nevojë për rrugë, duhet të vijnë inxhinierë gjermanë do jetojnë në atë vend. Fillojnë lidhjet sociale me shqiptarët

Pse kishin interes të lartë për Shqipërinë dhe jo për ndonjë vend tjetër të bllokut lindor komunist?

Mendoj se ishte mënyra e sinqertë me të cilën shqiptarët ju prezantuan. Nuk kishte hile. Babai im e pa mundësinë të sillte dritë në errësirë, ta ndryshonte vendin më komunist në Europë, ta kthente përmbys, për të parë mundësitë e mëdha, për ta rrëzuar komunizmin. Le të themi, nëse kjo do kishte funksionuar, historia është ashtu siç është nuk e c’bëjmë dot, por në ato kushte nëse kthehej një vend si Shqipëria, do të ishte një sinjal shprese edhe për në Rumani, Bullgarinë. Të gjithë do thonin që këto gjëra po funksionojnë në Shqipëri. Në Shqipëri, e cila ishte më e varfra më parë. Ky ishte mesazhi që im atë donte të jepte.

Mbani mend ndonjë bisedë me të për Shqipërinë. Çfarë ju tha kur pa që zyrtarët komunistë shqiptarë ishin kundër hapjes?

Ai verëjti se shqiptarët ishin zemërthyer dhe pa mundësinë për të ndërtuar diçka këtu. Edhe nga historia ky vend ishte 500 vjet i pushtuar nga turqit dhe ishte normale që çdokush të ishte skeptik për shtetin.

A tha ndonjëherë që ata po bëjnë një gabim shumë të madh saqë do pendohen?

Mendonte se ishte një gabim shumë I madh, por jo se do pendoheshin.

Zoti Shtrauss, në këto 30 vjet jeni kthyer disa herë në Shqipëri. 2014 shënon 30 vjetorin e vizitës së babait tuaj.

Kam gjetur miq të mirë. Emri i mikut tim të hershëm është Isuf Berberi. E kam njohur pas vitit 2000. Vajza ime është këtë radhë me mua dhe gjithashtu më pëlqen inisiativa dhe miqësia me Kryetarin Ilir Meta me të cilin kam patur biseda të gjata. Më parë edhe me kryeministrin Berisha dhe me kryeministrin Edi Rama. Nuk jam pjesë e lojës politike në Shqipëri.

Keni shkuar në jug, në bregdet?

Jo nuk kemi kohë të shkojmë. Kemi disa punë këtu, por që janë të ndërlikuara. Çështja është kthyer shumë e komplikuar duke parë zhvillimin e tregjeve.

Është diçka që doni ta ndani me publikun apo janë diskutime?
Diskutimi është i hapur. Koncepti ekzistencial nuk funksionon.

Investime gjermane apo?
Ju keni shumë investime këtu, por sipas zhvillimeve të reja të energjisë së rinovueshme, i gjithë koncepti shqiptar i hidrocentraleve pranë lumenjve është i pamundur. Shqipëria ka inxhinierë të mire, por dy plus dy bëjnë katër në Shqipëri ashtu edhe në Gjermani. I gjithë plani është bërë me kushtet e vjetra të tregut. Sot financuesit priren të subvencionojnë energjinë e rinovueshme të vlefshme në Europë.

Po por kostot e energjisë së rinovueshme janë më të larta?

Koncepti më i mirë për Shqipërinë është të jetë pjesë e këtij tregu bashkëkohor. Përdorimi i energjisë hidro të Shqipërisë është më e kushtueshmja kurse nga energjia e rinovueshme mund të marrësh energji me kosto të ulët.Dhe është më e qëndrueshme në afatgjatë. Është në kushtet e tregut.

Përse thatë që është shumë e komplikuar?
Duhet të lexosh të gjitha planet ekzistuese. Ato plane të cilat ka aprovuar qeveria, në mendimin tim nuk funksionojnë. Nuk ka mundësi për t’u financuar dhe sigurisht ato ekzistuese funksionojnë, gjithmonë kanë funksionuar por nëse investitorët janë të lumtur apo jo, nuk e di dhe nuk më intereson.

Qeveria e mëparshme ishte krenare që dha qindra liçenca për të ndërtuar hidrocentrale….

Një pyetje për ju. Keni parë ndonjë hidrocentral të përfunduar? Unë kam parë vetëm liçenca, nuk kam parë stacione.

Kjo vjen nga mungesa e fondeve për t’u ndërtuar apo?

Nuk mund të gjejnë financime në treg. Është e thjeshtë. Ideja e energjisë nëpërmjet burime hidrike është e kushtueshme

I keni ndarë mendimet tuaja me politikanët shqiptarë?

Kjo nuk është sekrete. Mendoj se më e mira tani është të rikonceptohen, ndoshta qeveria gjermane mund të ndihmojë në këtë. Kjo nuk mund të bëhet privatisht sepse ka nevojë për investime dhe planifikim serioz. Niveli i planifikimit është zero. Ju keni shumë letra, shumë kompjutera, por pak burime të ardhurash. Mendoj se kjo duhet bërë në Shqipëri. Nëse do të ishin ndërtuar në ato vite me paratë e ofruar nga babai im atëherë Shqipëria do të ishte lojtare në treg. Mundësi e humbur.

Cila është përshtypja juaj për Shqipërinë, për Tiranën?

Është shumë pozitive sepse kudo ku shkon sheh jetë, njerëz që jetojnë, disa të varfër, disa në kushte më të mira. Shoh që është një vend në zhvillim me gjithë këtë energji, e sharm, në disa raste është kaotike për ne, por në fund funksionon.

Shumë Mercedes përreth?

Kur isha këtu në 2004, kishte më shumë. Sot ka më pak Mercedes në qarkullim. Mendoj se Mercedesi është akoma një status në Shqipëri.

Një pyetje hipotetike dhe nuk e di nëse mund të më jepni një përgjigje. Nëse babai juaj do të shihte Shqipërinë sot, çfarë do të thoshte?

Ai do të ishte i lumtur, shumë i lumtur të shihte si ka ndryshuar në këto vite. Edhe pse me probleme, prap është një vend paqësor.

Ju bën të ktheheni sërish?
Më bën të kthehem sërish, miqtë e mi dhe Ilir Meta sigurisht. Do sjell përsëri vajzën time. Janë përshtypjet e një vajze të re. Në kohën tonë ne i njihnim të gjithë politikanët sepse ata ishin shumë të rëndësishëm. Ndërsa të rinjtë e sotëm nuk ua dinë as emrat politikanëve. Kjo ndodh ngaqë jeta nuk varet më prej tyre.

Kjo nuk është e vërtetë në Shqipëri. Të gjithë i njohin të gjithë politikanët.

Ju jeni akoma më të politizuar se ne. Vajza ime interesohet pak për politikën. Kjo është një shenjë e mirë sepse kur politika të ndalon ose të zvogëlon mundësitë, atëherë i njeh ata.
Meqë pata mundësinë t’ju intervistoja. Gjithmonë thuhet që vendet komuniste vujanë edhe pasojat e mentalitetit të prapambetur.

Për shembull në Gjermani a vazhdon që pjesa lindore të jetë më e prapambetur se ajo perëndimore?

Po. Kjo është shumë e vështirë. Ne menduam se do të ishte më e lehtë dhe mos harroni një avantazh të madh që gjermanolindorët patën. U bashkuan në fillim të viteve 1990. Isha në fjalimin që mbajti pasardhësi i babait tim. Pranë meje ishte dikush që më pyeti; jeni jurist dhe mund të na formuloni një draft kushtetutë. E pashë dhe i thashë, po mundem. Kam një anëtar të firmës sime ligjore që mund ta bëjë shumë mirë. Kjo është makina e fotokopjes. Kjo do të thoshte se ata duhet të hynin në një sistem funksional. Në Shqipëri, Poloni dhe gjithë këto vende, ju duhet të kopjoni gjithë ligjet , rregullat dhe të filloni t’i jetoni ato. Në Gjermani mundeshim të dërgonim me qindra mijëra civilë në pjesën lindore të ndërtonin administratën. Në Shqipëri ju duhet të gjeni shqiptarë. Për shkak të problemeve politike, ju pushoni çdo punonjës administrate pasi ndërrohet qeveria.Kjo frymë nuk mund t’ju krijojë stabilitetin që kemi ne. Në Gjermani administrata i mbijetoi edhe sistemit nazist të Hitlerit. Ky është problemi i vërtetë dhe njëkohësisht çfarë shihni sot të diskutohet. Debatojnë për ekonominë, krizën etj por me mundësitë, internetin dhe udhëtimet, edhe shtimi i mundësive për të udhëtuar me cmime më të lira tregon se ekonomia ka vend aty ku shteti funksionon. Përndryshe duhet të jetosh me pasuri nëntokësore. Mineralet të cmuar gjen edhe në pjesën më të errët të Afrikës ku nxjerrin diamante, por nëse do që të kesh një vend të zhvilluar, atëherë duhet të kesh sistem ekzistues shoqëror, programe pensionesh, stabilitet, besim të qytetarëve tek institucionet. Mendoj se shqiptarët kanë arritur diçka por ka ende shumë punë për të bërë.

Leave a Reply