Kur siguria kombetare cenohet nga Qeveri

Home » Aktualitet » Kur siguria kombetare cenohet nga Qeveri

By Redaksia on August 21, 2014. No Comments

Artan-HoxhaNga Artan Hoxha

PARLAMENTI MIRATON DOKUMENTIN E SIGURISE KOMBETARE
Më 31 korrik Kuvend miratoi me ligj dokumentin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK 2014), i cili zëvendësoi SSK 2004. Pas zhvillimeve 10-vjeçare e me një Shqipëri anëtare në NATO dhe kandidate për anëtarësim në BE, një realiteti të ri në Kosovë dhe një peshë të re të shqiptarëve në rajon, një SSK e re ishte e domosdoshme.
SSK 2014 përcakton se: “Mbrojtja dhe konsolidimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së RSH-së, rendit kushtetues demokratik, zhvillimi i të drejtave dhe lirive themelore, ruajtja e identitetit dhe e vlerave kombëtare, si dhe rritja e mirëqenies së shoqërisë është interesi jetik kombëtar”. Për realizimin e këtij interesi SSK 2014 identifikon dhe peshon rreziqet si dhe përcakton mjetet, mënyrat e rolet për parandalimin e rreziqeve dhe/ose përballimin me to.
I njëjti interes përcaktohet edhe në SSK 2004 dhe mes dy dokumenteve ka shumë të përbashkëta në vlerësimin e disa rreziqeve si dhe të mjeteve, mënyrave e roleve, por dhe shumë diferenca thelbësore e problematike që e bëjnë SSK 2014, përgatitur dhe miratuar njëanshmërisht, të papranueshme nga disa aktorë dhe faktorë politikë, institucionalë dhe shoqërorë, ndryshe nga SSK 2004, që u përgatit e miratua konsensualisht.
SHEMBUJ TE RREZIKUT QEVERITAR PER SIGURINE KOMBETARE
Me gjasa, kur flitet për sigurinë kombëtare, mendja shkon vetëm te rreziqet nga jashtë. Por, me të drejtë, edhe SSK 2004, edhe SSK 2014 identifikojnë rreziqet e brendshme si më serioze, rreziqe këto që mund të cenojnë rëndë rendin kushtetues, demokratik e ligjor, të tronditin ekuilibrat politikë dhe/ose shoqërorë e të dëmtojnë harmoninë e bashkëjetesës në një shoqëri të hapur e plurale.
Si në një paradoks, Qeveria, autore e këtij dokumenti, me veprimet dhe/ose mosveprimet e saj, ka treguar këta 11 muaj se është një burim serioz, në mos burimi më i fuqishëm, i rreziqeve të brendshme për sigurinë kombëtare.
Rasti i armëve kimike siriane është shembulli më i parë që kujtdo mund t’i vijë ndër mend. I gjithë procesi i kalimit të Qeverise nga një PO e nxituar në një JO të minutës së fundit u zhvillua pa konsultim e përfshirje të institucioneve dhe faktorëve të tjerë të sigurisë së vendit – Presidenti, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Kuvendi, opozita – dhe pa një informim të domosdoshëm të publikut. Për këtë shkak, shoqërinë e pushtoi paniku dhe doli në sheshe për vetëmbrojtje, opozita u njehsua me publikun, ndërsa kundër pranimit të armëve dolën edhe brenda radhëve të maxhorancës. Një Zot e di se ç’do të kishte ndodhur nëse Qeveria do t’i qëndronte PO-së, por dimë tashmë se JO-ja qeveritare i ka kushtuar Shqipërisë opinionin se jemi një vend, fjala dhe roli i të cilit nuk mund të merret seriozisht për çështje serioze ndërkombëtare.
Partneriteti strategjik trekëndor Turqi-Greqi-Itali i deklaruar me aq pompozitet e njëanshmërisht nga Kryerilindësi që në verën 2013 e më pas debutimi i tij me ish-Kryeministrin dhe Presidentin e sapozgjedhur të Turqisë, në tetor 2013 në Prizren, së bashku me Kryeministrin kosovar, është një tjetër shembull i cili shkaktoi polemika dhe kundërshti në shkallë të gjerë. Problemi nuk qëndron te termi “partner strategjik”. Shqipëria, në spiralen e partneriteteve strategjike ka deklaruar në spiralen e parë partneritetin e saj strategjik me Italinë dhe Greqinë si vende fqinje dhe anëtare në BE dhe NATO, në spiralen e dytë partneritetin strategjik me Turqinë si vend i rajonit ballkanik dhe anëtar në NATO, më tej trajton Gjermaninë me preferencë mes anëtarëve të BE (për ne partner strategjik për gjermanët Shqipëria me interes gjeopolitik në rritje veçanërisht pas ngjarjeve në Ukrainë) dhe SHBA në shkallë globale. Ngjeshja e spiraleve nuk është gjë tjetër veçse konfuzion i yni dhe burim keqkuptimi për të tjerët, ndërsa debutimet personale të ekzagjeruara, aq më shumë me një regjim me nuanca fetare dhe synime neo-otomane e që sot ka më shumë probleme se kurrë më parë këto 20 vitet e fundit me demokracitë perëndimore shtojnë paqartësitë dhe perceptimet e kundërta, të cilat aty a këtu, herët a vonë, nxjerrin krye e na hapin telashe.
Kriminaliteti në gjashtë muajt e parë të 2014 njohu një rritje frontale. Atentatet me armë dhe tritol dhe rritja e rasteve (jo vetëm e sasisë) të drogës së trafikuar me sukses provojnë rritjen e krimit të organizuar, ndërsa u forcua perceptimi se kufijtë e Shqipërisë ishin zgjidhur si ushkuri i brekusheve dhe shteti ishte i pafuqishëm. Situata u rëndua deri në tragjedi e më pas u shndërrua edhe në komedi gjatë diskutimit të drogës me avion kur Qeveria, e vënë përfund, rrekej të argumentonte se avionët e vegjël as që mund të ulen dot derisa me Qeverinë u tall dynjaja kur avionit të drogës iu thye rrota në Divjakë. Rritja në të njëjtën kohë e numrit të krimeve ndaj pronës dhe forcimi i natyrës së dhunshme të këtyre akteve janë një tjetër burim i rritjes së pasigurisë që ndien shoqëria dhe mosbesimit të saj te fuqia parandaluese, zbuluese dhe ndëshkuese e institucioneve ligjzbatuese. Kjo situatë vështirë se mund të shpjegohet pa konsideruar edhe rolin negativ të politikave të Qeverisë mbi Policinë e Shtetit, të cilën e ristrukturoi dhunshëm dhe e përhapi në një front të gjerë duke e shfokusuar nga lufta kundër kriminalitetit e duke e angazhuar te përpjekjet kundër informalitetit, edhe në rolin negativ të sjelljes së Qeverisë ndaj institucioneve të tjera jashtë varësisë së saj. Në gjithë aksionin qeveritar, i vetmi akt që ka krijuar pasoja pozitive dhe ka rikuperuar disi dëmet e shkaktuara nga aksionet e tjera ishte ai në Lazarat.
Qeveria këta muaj është bërë kërcënuesja dhe dhunuesja më e rrezikshme i sigurisë juridike. Këtu shembujt janë kaq të shumtë, sa nuk dalin të gjitha faqet e të gjitha gazetave së bashku, ndaj mbetet vetëm që shembujt të klasifikohen në grupe. Këto kohë mund të përllogariten me mijëra raste individuale të cenimit nga Qeveria të sigurisë juridike të pronës, të sipërmarrjes, të kontratave e garave publike, të vendit të punës, të detyrimeve fiskale, të subvencioneve. Rastet individuale të këtij cenimi me akte administrative janë paraprirë dhe/ose pasuar nga akte normative antikushtetuese, si p.sh. rasti i aktit normativ për nëpunësin civil, ai për kompetencat e unifikuara të inspektoratit ndërtimor apo ky i fundit për kodin IMEI të celularëve. Cenim të sigurisë juridike me akte ligjore e nënligjore dhe politika qeveritare përbëjnë edhe bllokimi, riverifikimi dhe fillimi nga e para e me çmim më të lartë për tokën të legalizimeve; bllokimi, riverifikimi dhe fillimi nga e para e kthimit e kompensimit të pronave ndërsa çmimet referuese të kompensimit ulen; bllokimi, riverifikimi dhe fillimi nga e para me ndryshim radhe dhe mase të kompensimit të të përndjekurve politike; bllokimi, riverifikimi dhe fillimi nga e para e fondeve për të pastrehët; bllokimi, riverifikimi dhe fillimi nga e para e ndihmës për personat me aftësi të kufizuara duke ndryshuar njëanshmërisht rolin e organizatave të tyre; e plot raste të tjera të këtij lloji.
Bllokimi frontal e me disa mënyra i investimeve dhe veprimtarisë së Bashkisë Tiranë, diskriminimi i thellë i bashkive demokrate në transfertat financiare të Qeverisë e deri te ndryshimi i kufijve të njësive të qeverisjes vendore – njëanshmërisht, me diskriminim dhe pa marrë mendimin e komuniteteve respektive – janë shembuj të thekur të dhunimit të të drejtave kushtetuese dhe të garancive të derisotme ligjore të vetëqeverisjes vendore nga Qeveria.
Qeveria gjithnjë ka qenë rreziku kryesor i parimit kushtetues të balancës dhe kontrollit mes pushteteve. Por kjo Qeveri, ndihmuar edhe nga numrat e supermaxhorancës së saj, është bërë thuajse po aq e rrezikshme sa ajo në vitet e para të demokracisë. Disa shembuj sa për kujtesë: ndryshimi i ligjeve për Forcat e Armatosura që redukton deri në absurd kompetencat e Presidentit si Komandant i Përgjithshëm, krahas injektimit të përditshëm të frymës politike në strukturat ushtarake, mundëson politizimin dhe instrumentalizimin e strukturave ushtarake nga Qeveria; ndryshimet e ligjeve të sistemit të drejtësisë që cenojnë rolin e Presidentit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërcënojnë gjyqtarët me pezullim automatik me nisjen e çfarëdo procedimi penal, apo ligji i ri për Policinë me Byronë Kombëtare të Hetimit, që dublon rolin e Prokurorisë si dhe presionet e përditshme mbi sistemin e drejtësisë mundësojnë vënien e tij nën kontrollin e Qeverisë; bllokimi i nismave opozitare për hetime parlamentare edhe pasi çështja është fituar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese e deri te kërcënimi fizik i deputetëve opozitarë nga njëra anë dhe pesha artificialisht e ndryshme e grupeve të caktuara të deputetëve apo deputetëve të veçantë brenda supermaxhorancës shkakton dobësimin e Kuvendit si institucioni i fjalës e votës së lirë, i mandatit të pakushtëzuar të deputetit, i pluralizimit politik, i opozitarizimit, i kontrollit të Qeverisë prej tij dhe i përfaqësimit të popullit.
RRITET SUPREMACIA QEVERITARE, RREZIKOHET SIGURIA KOMBETARE
Në kapitullin mbi rolet dhe përgjegjësitë, SSK 2004, duke ndjekur besnikërisht Kushtetutën, përcakton qartë rolet e Kuvendit, të Presidentit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare pranë tij, të Këshillit të Ministrave e të Kryeministrit.
Për të njëjtën çështje, kapitulli përkatës në SSK 2014 merret vetëm me rolin e Këshillit të Ministrave dhe të Kryeministrit, pranë të cilit ngrihet Komiteti i Politikave të Sigurimit Kombëtar.
Një deformim i këtillë i roleve e përgjegjësive nga SSK 2014 duke injoruar e minimizuar institucionet e tjera dhe duke fuqizuar rolin e Qeverisë, e cila njëkohësisht ka provuar se është një rrezik serioz për rendin kushtetues, demokracinë, ligjin dhe të drejtat themelore, nëse do të arrijë të zbatohet, do ta shndërrojë këtë dokument nga instrument për sigurinë kombëtare në instrument për supremacinë qeveritare e, për pasojë, rrezik kundër kësaj sigurie, jo nga jashtë, por nga brenda, prej Qeverisë së zgjidhur, pa balancë, pa kontroll e të gjithëpushtetshme. Historia përsëritet kur nuk mëson prej saj.

Leave a Reply