Ministria e Arsimit pas Vitrines sulmon UNT dhe fshesh skandalet e UET

Home » Aktualitet » Ministria e Arsimit pas Vitrines sulmon UNT dhe fshesh skandalet e UET

By Redaksia on August 21, 2014. No Comments

ministria-arsimit Dy ditë më parë, Ministria e Arsimit ka zbuluar shkeljet e Universitetit “Vitrina” dhe të “Kristalit”, ndërsa dje ka publikuar skandalet e Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës. Por, në kuadër të transparencës dhe paanshmërisë së reformës në arsim, Ministria e Arsimit nuk po publikon raportet e kontrollit të universiteteve, të cilëve nuk u është hequr licenca. Një ndër ta është edhe UET i Henri Çilit, i ndërkombëtarizuar tashmë si simboli dhe emblema e piramidave universitare në Shqipëri.

Gazeta “SOT”, për disa ditë me radhë, ka zbardhur pjesë nga raporti për UET, me gjetje, konkluzione dhe fakte tronditëse, të mjaftueshme jo vetëm për mbylljen e këtij universiteti, por për dërgimin e kupolës së tij menjëherë në prokurori. Raporti konfirmon faktin se UET është një fabrikë diplomash dhe piramidë financiare e ngjashme me piramidat e ’96, por që nuk ka asnjë lidhje me një institucion të lartë arsimor. Megjithatë, Ministria e Arsimit vijon të mos publikojë shkeljet e rënda të universitetit të Henri Çilit, i cili pasi shpëtoi nga mbyllja, pritet të përfitojë nga transferimi i studentëve. Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i MAS, Plarent Ndreca, deklaroi se një nga shkeljet ligjore në “Shkollën e Lartë Ndërkombëtare të Tiranës”, është bërë që me emërtimin e tij si ‘Universitet’. Ky institucion ka përdorur në mënyrë abuzive emërtimin “Universitet’ ndërkohë që statusi i institucionit të arsimit të lartë është “Shkollë e Lartë”, pasi nuk ka asnjë emërtim të tillë të miratuar me vendim të qeverisë apo të MAS-it, dhe institucioni nuk kërkon cikle të treta studimi që të konsiderohet “Universitet”. “Ka ofruar një program studimi të palicencuar nga MAS, program studimi në master shkencor.

Janë diplomuar 22 studentë për të cilët nuk gjenden të dhëna. Në vitin 2013-2014, janë regjistruar me kohë të pjesshme 3 studentë. Ka rezultuar që institucioni ka lëshuar diploma para akredimit të tij. Nuk ka numër minimal të stafit akademik, që duhej të ishte 7. Nuk ka të paktën 3 prej tyre me tituj dhe grada shkencore. Ka personel me moshë mbi 68 vjeç në kundërshtim me ligjin. Objekti i shkollës është në proces legalizimi, që do të thotë se është pa leje ndërtimi dhe shfrytëzimi. Për degët farmaci dhe mjekësi nuk disponon fare laboratorë. Nuk ka plan zhvillimi financiar. Nuk raporton në MAS, tarifat dhe tarifat shtesë. Marrëveshjet me studentët nuk janë konform ligjeve në fuqi. Aty parashikohen edhe tarifa shtesë në rast përsëritjeje të provimit, diplomës etj. Janë bërë reklama ku paraqiten të dhëna të pavërteta ose në dëm të studentit”, thuhet në raport. Adriatik Doçi

Leave a Reply