Poezi Mesjetare në monumentet e Shqipërisë- Shekujt XV-XVIII

Home » Aktualitet » Poezi Mesjetare në monumentet e Shqipërisë- Shekujt XV-XVIII

By Redaksia on August 4, 2014. No Comments

(Për një stimulim të mundshëm të turizmit kulturor)

MoikomZeqo-2

1. Epitafi poetik i fisnikut Kondo Karanxha

Në ishullin e Zvërnecit në Vlorë është kisha e manastirit të ngritur që në shekullin XIII.

Mbi kapakun e një varri brenda kishës është edhe ky epitaf poetik:

Kόυτος έντάυθα Kαραντζας /

άναχειται + γεννάδας ρίζης έλθών /

έξ εύγεν(ού)ς + ευ γενέστατος χλάδος +++

Përkthimi: Këtu prehet Kondos Karanxhas,

burrë fisnik me prejardhje prej një fisi fisnik,

degë tepër fisnike.

Shënim: Mbishkrimi ndodhet në dyshemenë e naosit të kishës së Manastirit të Shën Mërisë së Zvërnecit, mbi një pllakë varri prej guri gëlqeror, të gjatë 8.87 m e të gjerë 0.67 m.

Është gdhendur në palën e një letre të hapur e të vendosur në një fushë të sheshtë të rrethuar prej dy pilastrash korintikë dhe një harku në profil.

Në fushë, nën letrën me mbishkrimin është gdhendur edhe një kafkë njeriu, rrethuar prej një gjarpri të kurorëzuar e prej dy kockash.

Mbishkrimi përbëhet nga dy vargje 15 këmbësh; vargjet ndahen me kryqe, por gabimisht kryqi i parë është vënë mbas. Kryqet në tekst kanë kuptim fetar.

I vdekuri duhet të ketë qenë pjesëtar i ndonjë familjeje fisnike. Ana Komnen përmend një dukë Argiros Karanxhas, që u dërgua nga Konstandinopoja në Durrës, kurse një Nikolla Karanxha më 1497 merr shkallën e kalorësisë gjermane.

Në gjysmë II të shek. XVIII një familje me këtë emër lulëzon në Konstandinopojë dhe disa anëtarë të saj janë funksionarë të lartë të Portës dhe princa të Moldavisë.

Sot mbishkrimi paraqitet shumë i dëmtuar dhe i palexueshëm, prandaj ne e kemi marrë megjithë komente nga botimi i Carl Patsch-it. Nga mënyra e shkrimit, ka të ngjarë që të jetë i shek. XV-XVI.

Pllaka e varrit ka figurë skulpturore kafkën dhe gjarprin mes dy kockave të kryqëzuara si një heraldikë pirati.

Ky motiv është unikal në traditën e monumenteve mbivarrore në Shqipëri. Gjarpri është simbol i vdekjes, një simbol ktonik. Kafka tregon kalueshmërinë e jetës. Është e habitshme se pllaka e varrit nuk ka stemën e fisnikërisë, mungon këtu stema familjare, ndonëse epitafi thekson tri herë cilësimin e Kondo Karanxhës si “fisnik”.

Datimi i Patsch-it i shekujve XV-XVI për mendimin tim duhet parë. Monumenti besoj është i shekullit XIV.

Nëse Ana Komnena e përmend Arigiro Karanxhën si dukë në shekullin XI në Durrës, po me familje në Konstandinopojë, del qartë se pasardhës të familjes fisnike Karanxha do të kenë mbijetuar në bregdetin shqiptar dhe pikërisht njëri prej tyre ka vdekur në Vlorë.

Mbiemri Karanxha gjallon e sot e kësaj dite në disa familje në Shqipëri.

Kondo Karanxha është i rëndësishëm, epitafi rithekson tri herë fisnikërinë e tij, siç e thashë, por për habi në pllakë mungon simbolika e heraldikës bizantine, ndonëse në këtë kohë vetëm fisnikëria e Europës perëndimore e kishte filluar traditën e heraldikës familjare, kurse bizantinët ende jo.

Kondo Karanxha duhet t’i ketë përkitur sferës laike të pushtetit dhe nuk ishte në hierarkinë kishtare, se përndryshe kjo gjë nuk mund të harrohej për t’u shënuar.

Imazhi i dy kolonave me harkun sipër është një element arkitektonik shumë interesant për kohën dhe dëshmon për shijen dhe stilin arkitektonik në Shqipëri.

Kurse forma e letrës së hapur me dy rrotullame, ndoshta e një pergamene është simbol i dukurisë intelektuale të procesit të shkrimit dhe të bibliotekave.

Gjarpri mbi kafkë mund të simbolizojë ndoshta edhe vdekjen e papritur të këtij personazhi nga ndonjë pabesi e kohës.

2. Poezia për Aleksandrin e Madh

Në kishën e Shën Marisë në Atali të Himarës, nën një afresk të skenës Ava Sisai të vitit 1795, është edhe kjo poezi:

Oρον σε ταφε /

δύλεο σου την θέαν χ(αί) χαρδυοστα /

λαχτων ομβρον εκχεό χρεος το κυνώ /

βλυτων ης νουν λαμβάνο πος γαρ δυελθο /

πέρας βαβέ τηούτων o θανα /

τε της δύνατε φυγην σε /

ό Αβά Σησώ / εις /

Αλεξανδρος ό βασιλεύς.

Përkthimi: Duke të parë ty o varr

trembem nga pamja jote dhe derdh lot si shi,

që pikojnë nga zemra,

sjell ndër mend borxhin që është për të gjithë

si do të kalojë deri në fund, o bobo nga kjo

o i pavdekshëm kush mund të shpëtojë ty.

Ava Sisoi – Mbreti Aleksandër.

Ava Sisoi është një asket shumë i famshëm.

Skena e afreskuar e tregon shenjtin me duar të hapura dhe me brerore. Autori i poezisë mbase është piktori i afreskut Vasili, nga katundi Sinkriati, siç del nga mbishkrimi i bërë me dorën e tij në kishën e Shën Marisë së Atalisë së Himarës me 10 prill 1795.

Shpenzimet për kishën e pikturuar janë bërë nga murgesha Zaharisa në kohën e peshkopit Joaniqi të Himarës dhe të Delvinës.

Poezia e mësipërme është unike në kishat e Shqipërisë.

Tema e përkohshmërisë së jetës njerëzore madje edhe e lavdisë së Aleksandrit të Madh shpreh kotësinë e jetës tokësore dhe kultizon jetën hyjnore.

Ava Sisoi si asket bën kështu një kundërvënie konceptuale me Aleksandrin e Madh, asketizmi është kështu më i fuqishëm se lavdia luftarake e strategut.

Kemi në këtë rast edhe një sinkretizëm të pikturës me poezinë.

Kjo poezi e shekullit XVIII është shumë interesante dhe antologjike.

Shqiptarët e kanë njohur si paraardhës të tyre Aleksandrin e Madh.

Nuk kemi të dhëna të tjera për piktorin Vasili nga Sinkriati. Mundet që Vasili të jetë edhe autori i poezisë, ose ka dhënë në afresk poezinë e një tjetri, që s’ia dimë emrin.

Leave a Reply