Presidenti i Republikës dhe Banka e Shqipërisë

Home » Aktualitet » Presidenti i Republikës dhe Banka e Shqipërisë

By Redaksia on August 29, 2014. No Comments

ndricim kulla

Nga Ndriçim Kulla

Prej disa kohësh ndonjë zë “autoritar” për çështjet ekonomike në maxhorancën parlamentare, e kam fjalën për dikë që kryeson edhe ndonjë  komision parlamentar, po bën gjithçka që të përhapë në opinionin publik një të pavërtetë sikur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, është ai që e mbron Guvernatorin Fullani nga shkarkimi. Madje Presidenti fajësohet edhe për atë që nuk ka kërkuar dorëheqjen e Guvernatorit. Të pavërtetat e këtij lloji pastaj fryhen në media nga ndonjë gazetë që e ka bërë fyerjen e Presidentit punën e saj të përditshme, duke u thënë se Presidenti është i kapur nga Guvernatori që ka punësuar ndonjë të afërm të tij.
Kuptohet se ky deputet është ngarkuar që “pataten e nxehtë” të Bankës së Shqipërisë ta heqë nga dora e Kryeministrit të tij dhe ta hedhë në dorën e Presidentit. Por kjo “patate e nxehtë”, para se të vijë në dorën e Presidentit, duhet të kalojë në dorën e atij nga i cili varet shkarkimi i Fullanit në Parlament, pra në dorën e Kryeministrit.
Në të vërtetë, kuadri ligjor është i tillë që, për të shprehur Presidenti qëndrimin e tij institucional, duhet që Kryeministri i maxhorancës së cilës i përket deputeti në fjalë, të ushtronte kompetencat e tij për të sjellë në tryezën e Presidentit vendimin për shkarkimin e Guvernatorit. Nga të gjithë drejtuesit e lartë të shtetit, Presidenti i Republikës është ai institucion të cilin ligji e ka përjashtuar nga çdo lloj kontrolli i punës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Është Kryeministri ai që mund ta shkarkojë Guvernatorin në Parlament pas propozimit të shumicës së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndonjë votim pro Fullanit në Këshillin Mbikëqyrës nuk mund ta bëjë Kryeministrin të lajë duart si Pilati se nuk ka gjë në dorë për shkarkimin e tij. Nga shtatë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, katër janë emërime të ardhura nga Partia Socialiste, dhe ata, për shkak të së ardhmes së tyre, më shumë do të dëgjonin Kryeministrin se Fullanin. Aq më tepër nëse Kryeministri do të kishte marrë masat për plotësimin me dy anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës, të cilët mungojnë që nga fundi i vitit të kaluar. Me Këshillin me përbërje të plotë, dhe me vullnetin e Kryeministrit për shkarkimin e Guvernatorit, ky i fundit do të ishte rrëzuar në Këshill dhe pastaj do t’i kalonte Parlamentit, ku shkarkimi i tij do të ishte i sigurt. Vetëm pas kësaj do t’i vinte radha Presidentit. Vetëm kur vendimi i Parlamentit shkon në tryezën e Presidentit dhe atëherë do të duket se cili është qëndrimi i Presidentit.
Kjo është rruga institucionale se si Presidenti i Republikës mund të përfshihet në shkarkimin e Guvernatorit. Dhe të gjithë e kuptojnë se nëse ata që e kanë në dorë të iniciojnë shkarkimin e Guvernatorit, qoftë edhe duke influencuar Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e tij, dhe këtu fjalën e kam për Qeverinë dhe maxhorancën parlamentare, do të ishin të sigurt se Presidenti do ta mbronte Guvernatorin, atëherë do të vepronin me shpejtësi për shkarkimin e tij, duke ia lënë “pataten e nxehtë” në dorë Presidentit dhe duke fituar kështu një kapital të madh politik. Por ata e dinë mirë se Presidenti nuk do të bënte bodyguard-in e Guvernatorit në rast të një shkarkimi institucional të tij. Se Presidentit nuk ia lejon etika që të bëhet pjesë e linçimit publik të Guvernatorit nëpërmjet deklaratave që nuk kanë të bëjnë aspak me qëndrimin e përgjegjshëm institucional, por që bëhen vetëm për të fituar kapital politik.
Kuptohet se Presidenti mund të bëjë edhe deklarata hipokrite duke kërkuar dorëheqjen e Guvernatorit, të cilat nuk do të kishin asnjë rezultat real, por do t’i shërbenin Presidentit për të larë duart, duke u bashkuar me korin e atyre që kërkojnë dorëheqjen e Guvernatorit. Por qëndrimi i kryetarit të shtetit duhet të jetë institucional, jo emocional. Jo më kot ligji e ka vendosur kryetarin e shtetit si hallkën e fundit në shkarkimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura. Atij i kërkohet që t’i peshojë gjërat më shumë se të tjerët. Është në të drejtën e Kryeministrit që të bëjë deklarata emocionale si ajo se ai nuk ka asnjë mundësi ligjore për ta shkarkuar Guvernatorin, në një kohë që Kryeministri nuk bën as më të paktën që ka në dorë, plotësimin e vendeve bosh në Këshillin Mbikëqyrës.
Nëse Presidenti do të duhej të fliste, ai do të kishte gjëra të tjera për të thënë, të ndryshme nga deklaratat për konsum politik, të llojit të atyre të përmendura më lart. Presidenti do të tërhiqte vëmendjen mbi atë se ligji në fuqi për Bankën e Shqipërisë, ligji nr. 8269, dt. 23 dhjetor 1997, si dhe ndryshimet që i janë bërë atij në vitin 2002, nuk e përmendin në asnjë nen Presidentin e Republikës. Në ligj përmenden shumë herë vetëm qeveria dhe Parlamenti. Në ligj Presidenti përmendet vetëm kur është fjala për emërimin e Guvernatorit, që bëhet me pëlqimin e Parlamentit. Kjo kompetencë e Presidentit gjendet edhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Por përveç kësaj, Presidenti nuk ka më asnjë kompetencë, asnjë instrument për të mbikëqyrur sadopak punën e Guvernatorit, për të mos folur për shkarkimin e tij. Dhe këtu duhet pasur parasysh se Kushtetuta shprehimisht e ndalon Presidentin që të ushtrojë çfarëdo kompetence, përveç atyre që i janë përcaktuar me ligj, domethënë atyre që përcaktohen në Kushtetutë.
Dhe ligji “Për Bankën e Shqipërisë”, së bashku me ndryshimet e tij, është një ligj i miratuar në kohën që në pushtet ishte Partia Socialiste. Nëse ka ndonjë ligj që ia lidh duart kryetarit të shtetit në raport me ndonjë institucion të pavarur, ky është ligji për Bankën e Shqipërisë. Presidenti nuk mund të ushtrojë as kompetencën që ka për t’iu drejtuar të emëruarve prej tij në institucionet e pavarura, me kërkesën për të hartuar një raport për punën e tyre, se në rastin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë bëhet fjalë për një çështje që është duke u hetuar nga Prokuroria.
Në lidhje me këtë institucion, dhe fjalën e kam gjithmonë për Bankën e Shqipërisë, Kryeministri ka gjithmonë në dispozicion edhe instrumentet e tjera parlamentare që mund t’i përdorë për të thyer bllokun për të cilin Guvernatori akuzohet se e ka krijuar në Këshillin Mbikëqyrës. Kryeministri mund ta thërresë Guvernatorin në interpelancë parlamentare, direkt, vetë, apo me anë të ndonjë deputeti të maxhorancës parlamentare dhe t’i kërkojë llogari për marrëdhëniet me Këshillin Mbikëqyrës. Gjithashtu, Kryeministri mund të ushtrojë edhe kontroll indirekt duke thirrur në raport inspektorin e Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, të zgjedhur nga Parlamenti. Kuptohet se qëndrimi i Këshillit Mbikëqyrës do të ishte i ndryshëm nëse do të shihej se Guvernatorit i kërkohej seriozisht llogari nga qeveria dhe maxhoranca parlamentare.
Presidenti i Republikës ka një qëndrim të shprehur në mbrojtje të institucioneve të pavarura. Unë vetë në disa raste kam mbajtur qëndrim publik në shtyp në mbrojtje të institucioneve të pavarura. Por pavarësia e këtyre institucioneve duhet të jetë e tillë që drejtuesit dhe punonjësit, e bashkë me ta edhe vetë institucioni, të mbeten brenda shinave kushtetuese dhe ligjore, dhe pse jo edhe brenda kuadrit të etikës qytetare. Që do të thotë se kur nuk është arritur që të menaxhohet pavarësia, qoftë edhe pa fajin e drejtpërdrejtë të titullarit, dhe rezultati është dalja nga shinat kushtetuese dhe ligjore, atëherë duhet të jetë etika qytetare ajo do të dëshmojë përgjegjësinë e titullarit në radhë të parë. Si rregull një makinist nuk ulet më në timonin e lokomotivës të cilën e ka nxjerrë nga shinat, qoftë edhe aksidentalisht.
Një institucion i pavarur kërkon dhe një titullar të përgjegjshëm, nga këndvështrimi ligjor dhe etik. Shkarkimi është një akt ligjor që nuk varet nga titullari i institucionit të pavarur. Dorëheqja është një akt etik që varet nga vullneti i tij. Vullneti për të mos dhënë dorëheqjen nuk mund të justifikohet me ndjenjën e pafajësisë. Përvoja perëndimore ka treguar se shpesh një qëndrim etik i titullarit të institucionit të pavarur, flet në favor të pafajësisë së tij më tepër se shumë shpjegime të ngatërruara juridike.

Leave a Reply