Shpërthen Koço Kokëdhima: Mero Baze i shërben Saliut, nuk jam implikuar në skandalin e sekretarit

Home » Aktualitet » Shpërthen Koço Kokëdhima: Mero Baze i shërben Saliut, nuk jam implikuar në skandalin e sekretarit

By Redaksia on August 22, 2014. No Comments

Shpërthen Koço Kokëdhima: Mero Baze i shërben Saliut, nuk jam implikuar në skandalin e sekretarit

Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të eksponentëve të politikës dhe mediave, lidhur me rolin e tij në skandalin e sekretarit, Agron Cane. Teksa ka pohuar se Cane duhet të përgjigjet para drejtësisë, Kokëdhima i është përgjigjur edhe kritikave të Mero Bazes, për mënyrën se si deputeti po e menaxhon skandalin. “Për pretendimin e z. Kolec, se unë jam përgjegjës për skandalin e Agron Canes në Sarandë, dua të sqaroj se e ka plotësisht gabim. Cane nuk ka pasur kompetenca të autorizuara nga unë për të krijuar marrëdhënie ndikuese me qytetarët. Gjithë raportet e tij me E. G. janë personale, të paautorizuara nga unë dhe jashtë funksioneve të tij. Për gjithçka ai akuzohet s’ka lidhje me veprime, autorizime apo mosveprime te miat. Cane është në duart e drejtësisë dhe duhet të përgjigjet përpara saj. Këtu ka mbaruar puna jonë me të.
Koalicioni i ndyrë mes opozitës politike dhe disa mediave pranë Saliut e Bashës, përfshi Merot e Thanot, meriton një shqyrtim të kujdesshëm e të qetë, për të shpjeguar përfitimet politike dhe jo vetëm, që donin të nxirrnin nga kjo ngjarje, madje edhe në dëm të gjykimit të vetë kësaj ngjarjeje përmes spekulimeve, mashtrimeve, shpifjeve, urrejtjes së verbër, politizimit dhe mjerimit etik e profesional, që i karakterizon”, ka pohuar Kokëdhima. Por, Kokëdhima i është përgjigjur drejtpërdrejt opinionistit, Kolec Traboini. “Për të mos e zgjatur më tej, inkurajoj z. Kolec të çlirohet nga errësira e paragjykimeve dhe komplekseve dhe të kërkojë shpjegime për çdo fakt, për çdo deklaratë timen, si dhe për çdo dyshim që mund të ketë për rolin tim si deputet në Shqipëri dhe në Jug të vendit. Unë jam i gatshëm të diskutoj me zotin Kolec në qoftë se ai bie dakord që faktet duhet të jenë të vërteta në vetëvete. Nëse ai dëshiron të përhapë thjesht gënjeshtra rreth meje, jetës dhe punës e rolin tim, unë s’do ta shqetësoj më në mbretërinë e tij të mashtrimit”, ka theksuar Kokëdhima.
Kokëdhima thekson se në kinostudio, ku ka marrë një studio me qera që prej vitit 1998, nuk ka hedhur asnjë centimetër kub beton që do të dëmtonte mjedisin atje, ndryshe nga akuzat e parashtruara. Duke sqaruar pozicionin e tij gjatë viteve ’90, Kokëdhima thekson se ka bërë rolin e një opozite konstruktive pavarësisht forcës që ka qenë në pushtet. “Në kinostudio, unë kam marrë me qera qysh në vitin 1998 dhe vazhdoj ta kem akoma, studion e vjetër të zërit, që ndodhet brenda korpusit qendror. Atje tani janë studiot e TV A1 Report. Nuk kam hedhur në kinostudio asnjë centimetër kub beton dhe nuk kam prishur asnjë fije bari. Kam përdorur për një kohë me qira edhe 850 metër katror mjedise të tjera, të cilat ja kam kthyer po shtetit, të paprekura. Kujtoj se studio e vjetër e zërit ishte mjedis i braktisur qysh në vitin 1974, pra, ne nuk cënuam asnjë mjedis funksional me aktivitetin tonë në kinostudio. Çfarë krimi kam kryer unë që kam marrë me qira 2000 metër katrorë ndërtesa? Të tjerët, miqtë e Saliut, privatizuan tokat dhe ndërtesat dhe betonizuan e ndërtuan gjithë ato dhjetëra mijëra metra katrorë sipërfaqe në kinostudio. Gjithçka që thotë zoti Kolec për këtë çështje është fund e krye trillim”, ka pohuar Kokëdhima.

 

Leave a Reply