Shteti Kurd, fashizmi islam dhe gjeopolitika

Home » Aktualitet » Shteti Kurd, fashizmi islam dhe gjeopolitika

By Redaksia on August 19, 2014. No Comments

sadri

Ndërhyrjet ushtarake amerikane përmes aviacionit, duke goditur caqet e luftimeve dhe të logjistikës të të ashtuquajturit Shtet Islam (SHI), gadishmëria tashmë e shprehur e një lagjeje shtetesh evropiane për ta armatosur ushtrinë kurde (Peshmerga) në Irakun Verior, në skenën politike po sjell Kurdistanin, fuqinë e re energjetike.

Shkruan: Sadri RAMABAJA

Kurdët janë njëri prej popujve më të lashtë të Azisë Perendimore. Lashtësia e tyre shkonë në thellësinë e shekujve – 5000 vjetë, tashmë e argumentuar nga burimet dhe studimet historike, përfshirë edhe ato të arkeologjisë. Gjuha kurde i përket familjes indoevropiane, më saktësisht degës së saj veriperendimore të gjuhëve iraniane (e njohur si gjuhë iranoariane). Kurdët paraqesin popullsinë autoktone në hapësirat ku jetojnë edhe sot. Vendi i tyre njihet me emrin Kurdistan.
Aktualisht hapësira jetësore kurde është e ndarë në disa shtete: në Turqi, ku jetojnë rreth 15-21 milion kurdë; në Iran, 6.6-10 milion kurdë; në Irak, 4-6 milion kurdë dhe në Siri, jetojnë 2-2.8 milion kurdë. Këto shifra janë të përafërta, meqë aty ku jeton kjo popullsi në regjistrin e të dhënave për popullsi, nuk është e ajo mbi përkatësinë etnike. Sidoqoftë, shumica e studjuesve pajtohen se në këto hapësira tashmë jeton një popullsi kompakte prej 25-30 milion.
Shumica kurde i përket rendit sunit islam. Në Irakun verior janë të përqëndruar Hanbalitët, një grupim vetanak i rendit sunit. Ndërkaq diku 3-5% e popullsisë kurde që jeton në jug të hapësirës kurde të Irakut, në kufij me Iranin, i përkasin drejtimit Shiit të islamit. Disa qindramijëra kurdë i përkasin rendit Sufi të islamit, përkatësisht drejtimit Alevi, që jetojnë kryesisht në rajonin e Dersim-it dhe në qytetet e mëdha turke (meqë nga zonat rurale janë detyruar të shpërngulen).

Historia tragjike

Shembja e Perandorisë Osmane dhe lufta ballkanike (1910—1914), që i parapriu Luftës së Parë Botërore, me gjithë përpjekjet e forcave progresive kurde, nuk sollën në jetë Shtetin Kurd. Atë që kishte arritur ta bënte Perandoria Osmane në shekullin e 16 përmes diplomacisë dhe dhunës së hekurt, duke i inkorporuar dinastitë më të fuqishme kurde dhe hapësirën më të madhe ku shtriheshin ato brenda Perandorisë, këtë do ta bëjë në masë të madhe edhe krijuesi i Turqisë Moderne, Mustafa Kemaijl “Ataturku”. Atë që kishin arritur forcat politike kurde përmes të ashtuqusjturës Marrëveshje paqësore të vitit 1920 të Sèvres, që paraqiste në fakt hapin më serioz drejt realizimit të ësndrrës së tyre shekullore për Shtet të pavarur, do ta varrosë përgjithmonë Mustafa Kemajl “Ataturku”. Në marrveshjen pasuese të Llozanës (1923) Kurdistani nuk do të theksohet askund.
Themeluesi i shtetit turk, Mustafa Kemal, në këtë rast dhe më pas do të refuzojë rreptësisht marrveshjen e vitit 1920 dhe do të përvetësojë e zbatojë politikat më rigjide antikurde. Ky qëndrim u përcoll tutje tek të gjitha qeveritë turke , deri me ardhjen e presidentit aktual turk, Rexhep Tajip Erdogan, në cilësinë e kryeministrit. Ky i fundit, duke iu rikthyer frymës neootomane, po projektonte arritjen e paqës së brendshme, që do t’i mundësojë bumin ekonomik brenda Turqisë së “Ataturkut” dhe ekspansionin gjithëpërfshirës në ish hapësirën e PerandorisëOsmane. Këtij hapi i parapriu një lloj kompromisi i arritur pothuajse në heshtje me Partinë Punëtore Kurde (PKK), e themeluar më 27 nëntor 1978, në krye të së cilës erdhi Abdullah Ëçalan (Abdullah Öcalan), që do të luaj edhe nga qelitë e burgut rol vendimtar prej lideri.
Krengritja e organizuar nga PKK për pothuajse tri dekada me ndërprerje të vogla, mori jetën e mbi 40.000 vetave, por nuk arriti të kurorëzohet me sukses. Pozicioni i tij ideologjik dhe roli i pazëvendësueshëm i Turqisë për krahun lindor të NATO-s, nuk krijonin predispozita për më shumë se një lloj autonomie kulturore, që po paraljmronte Erdogani tek do të përvetësojë ndryshimet kozmetike kushtetuese që sillte definicioni mbi statusin e qytetarit nga ai i kaluari “qytetar turk” në “qytetar i Turqisë”, por që rezultoi me njohjen e identitetit popullit kurd.
Historia tragjike e popullit kurd e bën atë të jetë sot populli më i madhë në botë pa shtetin e tij! Rrjedha e ngjarjeve në veri të Irakut, sidomos shndërrimi i armatës kurde në aleate të NATO-s dhe BE-së, duket se flasin që kësaj epoke po i vije fundi.
Pranvera arabe që degjeneroj në Siri dhe Irak, tek pësuan forcat progresive demokratike dhe duke u pozicionuar fuqishëm në këtë vakum organizatat terroriste që përbëjnë korpusin e islamit fashist (ISIS…), po krijon predispozita të favorshme gjeopolitike për lindjen e shtetit Kurd. Parakushtet për këtë duket të jenë më të favorshmet që pikërisht në këtë zonë të krijohet bërthama e Shtetit Kurd. Kjo pjesë e kurdëve të Irakut verior, në fakt edhe gjatë regjimit të diktatorit Sadam Husein, kishte gëzuar një lloj autonomie, ndërkaq pas vitit 1990 kjo autonomi kishte pësuar ngritje kulitative politike, duke u shndërruar tash e 22 vite gradualisht në shtet brenda shtetit. Ndërkaq kontrolli mbi të ardhurat që sjellin burimet e naftës ka nxitur zhvillim ekonomik pothuajse të pavarur nga Bagdati, duke ushtruar rrjedhimisht një lloj presioni politik ndaj qeverive centraliste irakiane edhe sot e kësaj dite.

Realpolitika e Perendimit në rolin e mamisë

Organizata terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit” është produkti më i ri i islamit fashist. E formuar relativisht vonë (prill 2013), aktualisht paraqitet si forcë serioze ushtarake që ka trandur Sirinë dhe Irakun, duke shpallur madje botërisht Shtetin Islamik. Ajo konsiderohet si pjesë e al-Qaeda-s, respektivisht e formuar prej saj, por që ekspertët ushtarak konsiderojnë se tashmë ajo ia ka kaluar edhe organizatës mëmë. Duke e shpallur ndërkohë Kalifatin Arab, duke bërë kufirin mes Sirisë dhe Irakut të paqenë, tutje duke futur nën kontroll burime të rëndësishme të naftës, dhe duke rrezikuar madje të marshojë edhe drejt Irakut verior, respektivisht bërthamës së shtetit Kurd në lindje, si zonë e pasur me burime energjetike, rreziku është real se SHI (ISIS) do të mund të shndërrohej në posedues të burimeve më të mëdha të naftës në rajon dhe faktor me potencial rrezikshmërie për të trandur gjeopolitikën rajonale dhe botërore. Zatën zënja në gojë e Ballkanit si zonë e radhës nga ana e kreut të ISIS-it, nëse i marrim në konsideratë vullnetarët e shumtë që rekrutoi rrjeti i fashistizuar i islamit, nuk është krejt i rastësishëm. Tashmë është fakt notar se si dhe përse i krijoi terren të përshtatshëm fashizmit islamik administrata e UNMIK-ut në Kosovë, ndërkaq sa dhe si kontribuan partitë tona politike për krijimin e kësaj gjendjeje të cilën po e jetojmë aktualisht. Zatën pamja e zymtë e Kosovës sot, gjithësesi është produkt i politikës naive që ushtruan dy forcat politike: LDK/PDK gjatë qeverisjes së pasluftës (1999). Sa më shumë që këto forca i largoheshin idealit të ndërtimit të shtetit, aq më shumë i krijohej hapësira e veprimit islamit fashist. Mpleksja e islamit si religjion me politikën konservatore që për model ka Turqinë e Erdoganit, prodhoi në Kosovë fashizmin islam. Kjo shkarje drejt këtij modeli u reflektua sidomos gjatë këtyre 7 viteve të regjimit të Thaçit, duke e shndërruar qeverisjen demokratike si produkt i demokracisë liberale perendimore, në gjakim të pamundur! Këto dy të këqia, si fashizmi islam, ashtu edhe autoritarizmi politik gjysmëfeudal, mund të luftohen vetëm duke iu rikthyer idealeve të Rilindjes – shqiptarizmës.
Shih për këtë, ndërhyrja e Perendimit përveç shmangies së mundësive për promovim të kësaj fryme tutje jashtë truallit arab, pastaj shmangies edhe të katastrofës humanitare që po i kanoset një pjese të popullsisë së krishterë arabe ose të fiseve të ndryshme që nuk i përkasin rendit sunit, ka karakter edhe realpolitik: zona Kurde në Irakun verior në vetvete është një fuqi energjetike. Madje edhe pa rajonin e Kirkukut, meqë kishte në zotërim mbi 45 miliard barrela naftë rezervë, Kurdistani në lindje konsiderohej si fuqi energjetike botërore.
Gjeopolitika e kuptuar në esencë ashtu siç ishte në fillet e saj – produkt i fuqisë dhe konkurrencës në garën për të zgjeruar zonat e ndikimit në rivalitetin e shprehur në sferën e politikës ndërkombëtare, po sjell në jetë shtetin Kurd. Ajo po e sjell Perendimin në këtë pjesë të globit në rolin e mamisë gjatë procesit të lindjes së këtij shteti. Çështja kurde merr udhën e zgjidhjes, disi ngjashëm me atë të Kosovës në fund të shekullit XX-të. Por, bërthama e tij nuk po lind në Turqi, aty ku jeton pjesa më e madhe e kurdëve, po në Irak, në zonën ku po thehen shtizat mes forcave të ISIS-it dhe armatës kurde, tashmë e mbështetur nga Perendimi, disi ngjashëm me rastin e Kosovës, duke e shndërruar Shtetin Kurd në një tamponzonë të re mes Iranit, Irakut dhe Arabisë Saudite.
Dalja në skenë e islamit fashist e inkorporuar më së miri në doktrinën e ISIS-it, gjithësesi se po rrezikonte sferat e interesit të shumë palëve në rajon. Ringjallja e nacionalizmit dhe shovinizmit, madje edhe në truallin e Evropës liberale, ka krijuar alibi të forta për koketimin e religjionit me politikë, duke paralajmruar përmes “Shtetit Islam” një lloj nacionalizmi panarab në ngjitje. Ky gjakim i ISIS-it e shndërroi rajonin në “bombë me sahat”, duke e promovuar rajonin në sferë të interesave gjeopolitike, me çka po e rikthen “Gjeopolitikën” në parketin e diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare.
Në këto rrethana, mendimi mbi zonat e interesit, në shikim të parë duket demode, prandaj ai shoqërohet edhe me idetë për krijimin e Shtetit të së drejtës, që merr në konsideratë edhe të drejtën e popujve për vetëvendosje, paprekshmërinë e kufijve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parimet bazë demokratike, që i kundërvihen në princip gjeopolitikës klasike.

Leave a Reply