Zbulohet raporti- Henri Cili ka bere mashtrime me reklama e programe pa licence

Home » Aktualitet » Zbulohet raporti- Henri Cili ka bere mashtrime me reklama e programe pa licence

By Redaksia on August 16, 2014. No Comments

cili-uet
Pas materialit të parë i cili tregonte shkeljet në dy pika të rëndësishme nga UET, apo Neim University, raporti i kontrollit në rreshtat e tij na tregon edhe më shumë. Na zbulon skandale dhe na jep fakte të cilat tregojnë se UET nuk është ai universitet që duket. Ka imazh dhe reklama por, në fakt këtu janë dhe disa nga shkeljet të cilat janë theksuar nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe kryeministri Rama, për ato që ai i ka quajtur “Kioska”. Duke i renditur disa nga faqet e raportit, po sjellim atë çfarë kanë shkruar Inspektorët e Kontrollit, të cilët duket se janë përpjekur ta mbrojnë por, e kanë pasur të pamundur të fshihnin faktet. Këto fillojnë me studimet Bachellor, të cilët sipas raportit të kontrollit reklamohen edhe pse për to nuk ka urdhra për hapje. Raporti thotë: “Në prezantimin e bërë nga IAL për programet e studimit, citohen gjithashtu Bsc Histori dhe Bsc Filozofi për të cilat nuk ka një urdhër të licensimit nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës”. Ky paragraf i raportit na tregon se UET ka reklamuar për programe studimi, të cilat nuk i ka pasur ligjërisht. Sa është numri i studentëve që kanë studiuar në këto programe, që diploma e tyre nuk vlen, por thjesht janë mashtruar, këtë duhet ta thotë UET dhe Neim Henri Çili.

Ky është një rast flagrant i shkeljeve dhe abuzivizmit. Kjo do të mjaftonte në një vend europian që ky universitet të mos hapej kurrë. Reklamë publike për diçka që nuk e ke ligjërisht dhe këtë përveç faktit që vjen nga raporti i kontrollit, mund të gjenden lehtësisht tek faqja zyrtare e UET, www.uet.edu.al, broshurat apo botimet e publikuara prej këtij institucioni. Në prezantimin e bërë nga IAL për programet e studimit, citohen gjithashtu dhe Bsc Histori si dhe Bsc Filozofi për të cilat nuk ka asnjë urdhër të licencimit nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Më poshtë raporti në rreshtat e tij na jep të tjera të dhëna interesante për UET pikërisht tek Masterat. Reklamohet Diplomaci, Siguri njerëzore dhe qeverisje e mirë, Analizë ekonomike sasiore, për të cilat nuk deklarohet,- Urdhër për hapjen e këtyre programeve të studimit. Dhe, ndodhemi përpara të njëjtit fakt, reklamohen por, nuk ka një urdhër të deklaruar, pra sërish duhet të përgjigjet UET dhe Çili pse kanë gënjyer publikisht. Pa i bashkuar këto fakte duke kaluar nën një akuzë më të rëndë që mashtrim publik do të ishte shumë pak. Ndoshta këto raporte dhe këto paragrafe më shumë sesa Ministrisë së Arsimit duhet t’i bëjnë punë Prokurorisë për të nisur një hetim të thelluar dhe të gjerë se çfarë ka ndodhur realisht me studentet dhe familjarët e tyre në UET. Të cilëve ju janë reklamuar programe pa Urdhër Ministri të deklaruar. Po ashtu për programet e studimit Master professional deklarohen programet si: Diplomaci; Siguri njerëzore dhe qeverisje e mirë, Analizë ekonomike sasiore, për të cilat nuk deklarohet urdhër për hapjen e këtyre programeve të studimit.

Në programet e studimit të ciklit të tretë, posaçërisht për doktoraturë në shkencat sociale deklarohen si profile Shkenca Komunikimi; Marrëdhënie Ndërkombëtare; Sociologji; Antropologji sociale; Psikologji; Pedagogji. Sipas urdhrit të licencimit rezultojnë: Shkenca politike dhe Marrëdhënie ndërkombëtare; Sociologji-Antropologji sociale; Psikologji-Pedagogji. E njëjta situatë duket edhe me Doktoratura ku ka një mospërputhje të profileve të licensuara me ato që zhvillohen. Dokumenti i mësipërm e tregon saktësisht atë çfarë ka ndodhur. Nga 3 urdhra janë bërë 6 programe. I rikthehem dhe njëherë znj. Nikolla e cila tha publikisht se kemi propozuar për heqje licensash universitete të cilat kanë bërë reklamime të rreme dhe abuzive. Këtu mund të marrim si rast BEDER, i cili ka shkelje faktin se deklarohet Universitet dhe ligjërisht është Shkollë e Lartë. Ndryshimi midis të dy emërtimeve janë Doktoraturat. Por, Bedër penalizohet sepse deklarohet e reklamohet Universitet dhe jo Shkollë e Lartë. Lind pyetja po UET që reklamon programe dhe mund të ketë dhjetëra student që kanë studiuar apo studiojnë në këto dege, pse nuk penalizohet? Pa i hyrë këtu shkallëve të emergjencës të Bedër që as UET nuk i ka. Faktet në web, broshurat dhe reklamimet janë larg të vërtetës, si nga numri i pedagogëve, sipërfaqet, programet etj, mjafton një investigim i thjeshtë për të kuptuar se në rast të zbatimit të ligjit, sipas asaj që ka shprehur znj Nikolla, UET sot duhet të ishte pa licensë. Pse nuk i hiqet apo pse mbahet me hatër ditë pas dite kur po zbardhen mjaft fakte?! Lidhjet politike afër kryeministrit Rama duket se janë ato që e bëjnë të mundur që për UET-in e Henri (Neim) Çilit, të bëhet syri qorr e veshi shurdh. Një fakt, babai i këshilltarit të kryeministrit Rama,- Endri Fuga, është pjesë e niveleve më të larta drejtuese të UET dhe, këtë fakt e gjeni në web-in zyrtar.

Shkeljet e Neim Çilit

Një tjetër fakt i shkeljes flagrante të ligjit, ka të bëjë me raportin staf i brendshëm dhe staf i jashtëm. Sipas udhëzimit të sipërpërmendur (Nr. 30 të datës 26.09.2007) që mban firmën e Ministrit Pollo, tek shtojca 1 pika 5 theksohet: Personeli efektiv akademik duhet të mbulojë rreth 2/3 e ngarkesës mësimore për çdo program studimi. Pra, raporti staf i brendshëm me staf të jashtëm duhet të jetë 70% me 30 %. Edhe ky fakt anashkalohet me dashje nga kontrollorët e MAS. Të dyja këto pika (4 dhe 5) të udhëzimit janë të qarta dhe në bazë të këtyre shkeljeve, qeveria ka vepruar në disa raste me heqje apo pezullim aktiviteti. Këtu, biem dakord të gjithë, që veprimi i qeverisë është plotësisht ligjor. Por, duke hulumtuar dhe investiguar, duke lexuar rreshtat e raportit të kontrollit, që iu është bërë universiteteve na del një fakt, i cili zbulon se reforma është drejtuar dhe dirigjuar nga Neim (Henri) Çili, apo ka qenë dukshëm në interesin e tij. Nëse, universitet e mbyllura nga qeveria u quajtën Kioska, universiteti i Çilit na del, Mega Kioskë.

Sistemimi i studentëve të universiteteve të mbyllura

Ndonëse nuk është vendosur përfundimisht mënyra konkrete se si do të procedohet me studentët, të cilët aktualisht janë regjistruar dhe vazhdojnë studimet në universitetet e propozuar për pezullim dhe heqje licence, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka bërë me dije se do të bëhet sistemimi i tyre në bazë të vërtetësisë së dokumenteve dhe krediteve të marra. Ndërkohë që, një nga alternativat më të mundshme lidhet me transferimin e këtyre studentëve në universitetet të tjerë shtetërorë apo privatë që do të vijojnë aktivitetin. “Qetësisht duke vijuar studimin e këtyre të rinjve duke garantuar një përgjegjësi tërësisht të re dhe pse dua ta theksoj fort, nuk është faji i kësaj qeverie që arritëm deri këtu. Pezullimi do të jetë për 2 vjet, sipas ligjit. Nëse ju plotësoni kriteret që kërkohen, rrisni standardet, atëherë do riktheheni sërish në aktivitet. Në të kundërt do zbatohet ligji. Kjo është e vërteta e ditëve që do ndodhë”, deklaroi Nikolla.

Çili, përfituesi kryesor i reformës në arsim

Henri Çili, pronari i UET, është kthyer tashmë në objekt debati në rrjetet sociale, nga studentë dhe vetë eksponentë të politikës si nga PD ashtu dhe nga PS, duke u cilësuar dhe konsideruar nga të gjithë si përfituesi kryesor nga reforma e qeverisë “Rama” për arsimin e lartë. Në rrjetin social “Facebook”, është hapur një faqe proteste, kundër mbylljes së universiteteve. Faqja ka gjetur mbështetjen e qindra të rinjve si dhe studentëve të prekur nga kjo reformë. Komentet e tyre në rrjetin social kanë qënë të shumta, ku ndër të tjera, studentët kanë kërkuar, rritje të kuotave të pranimeve në universitetet publike, tarifa më të ulëta, ndërsa kanë paralajmëruar se nuk do ta pranojnë vendimin e qeverisë. Ata kanë shprehur mendimet e tyre për reformën në arsim, duke e konsideruar atë si jo transparente, duke u thënë se mbyllja e universiteteve favorizon ato universitetet që janë më pranë zyrtarëve të lartë të Qeverisë. Nga Elvi FUNDO

Leave a Reply