Basha, Berisha apo kush do te jete PD e Re

Home » Kryesore » Basha, Berisha apo kush do te jete PD e Re

By Redaksia on September 13, 2014. No Comments

10649821_348852275275686_801782869080964286_n

Demokratët mes së shkuarës dhe së ardhmes, teksa bëhen gati për Kuvendin e 27 shtatorit. Si do të përfaqësohen në Këshillin Kombëtar, në kryesi dhe lidershipin e lartë të gjitha rrymat brenda PD-së? Ambiciet e palëve dhe pikëpyetjet për PD-në e së nesërmes

berisha basha selamiVetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit të kaluar, Sali Berisha do të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së dhe funksionet e tjera në parti. Edhe pse sqaroi se vendimi i tij lidhej me humbjen e zgjedhjeve, Berisha paralajmëroi në të njëjtën kohë fillimin e një fryme të re, që u pasua me zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të partisë, një prej ish-anëtarëve të Komitetit të Orientimit të Politikave që kishte hyrë në PD vetëm pak muaj para fitimit nga e djathta të zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës. Që prej zgjedhjes së tij në fund të muajit korrik të vitit të kaluar, Basha shpalosi konturet e një programi të ri për gjallimin e partisë që pikënisej me analizën për humbjen e zgjedhjeve, ripërtëritjen e strukturave, konsultimin e vazhdueshëm të partisë me bazën, vendosjen e rregullave të reja të lojës e duke mbërritur tek faza përmbyllëse, ajo e afirmimit të lidershipit të ri. Fundi i këtij procesi të gjatë që u shoqërua me zgjedhjen e strukturave të reja në degët e PD-së, pati edhe një koment të shkurtër nga ana e Berishës se Basha në krye të partisë kishte përcaktuar një linjë të ndryshme dhe të re nga ajo e ndjekur deri më tash. Me të njëjtën filozofi, sa duket, kryetari i PD-së kërkon të zhvillojë edhe Kuvendin Kombëtar në fund të këtij muaji. Edhe pse janë shkelur afatet e përcaktuara në statutin e PD-së për thirrjen e Kuvendit, në mënyrë krejt të papritur Lulzim Basha njoftoi përmes një interviste televizive se kuvendi i PD-së do të mblidhet në datat 27-28 shtator. Një ditë më pas ai shpërndau një udhëzim për përcaktimin e delegatëve, ku sërish nuk merreshin parasysh disa pika të rëndësishme të statutit, por që me sa duket, në fund të këtij procesi nuk do të shihen si thelbësore sa kohë që pjesëmarrja në këtë Kuvend do të jetë më e gjerë se asnjëherë tjetër, rreth 8000 delegatë. E madhe në emra konsiderohet të jetë edhe lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar rreth 400 të tillë, përzgjedhur prej saj një listë me 100-150 emra. E parë në këtë formë, procesi duket se do të jetë shumë më i gjerë, më i hapur dhe demokratik se vitet e kaluara megjithatë pikëpyetjet mbeten. Së pari, votimi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar mund të zgjasë rreth dy ditë, nisur nga numri i madh i delegatëve, ndërsa numërimi i votave parashikohet të zgjasë rreth tri javë, (mund të jenë 800 mijë vota për të numëruar) periudhë kjo e mjaftueshme për t’u vënë në diskutim se sa i vërtetë do të jetë ky proces i numërimit nga të pakënaqurit që do të dalin nga Kuvendi.

Beteja për postet e larta

Por beteja kryesore për Bashën në Kuvendin e demokratëve pritet të jetë ajo e emrave që do të përbëjnë kupolën e nesërme blu. Si do të përfaqësohen në Këshillin Kombëtar, në kryesi dhe lidershipin e lartë të gjitha rrymat brenda PD-së? Sa do të mund Basha t’i harmonizojë ambiciet e palëve; e atyre që kanë dhënë ndër vite për PD-në dhe atyre që janë afruar kohët e fundit? Sa e re dhe e freskët do të jetë fytyra e PD-së së nesërme, por dhe sa do të mund ajo të bindë opinionin publik me eksperiencën e vet? Këto dhe shumë pyetje të tjera rrotullohen në oborrin e PD-së këto kohë, por më së shumti pas lajmit se gongu i finales së zgjedhjeve është më 27 shtator.

Fakti që lista e kandidatëve për Këshill Kombëtar do të jetë më e madhe se nga çdo proces tjetër (400 kandidatë), do të thotë se Basha po kërkon të përfshijë në të të gjitha rrymat, mbështetësit solidarë të deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, hezitimin e grupit të Topallit për mënyrën se si sot po drejton Basha, pakënaqësinë e të bërit opozitë, mungesën e vërtetë të analizës së zgjedhjeve dhe pikëpyetjet që Bode ka për procesin e zgjedhjes së strukturave, skepticizmin e Astrit Patozit, kontributi i të cilit vazhdon të shihet i nevojshëm në PD, ministrat e qeverisë “Berisha”, shumica e të cilëve synojnë të jenë sërish pjesë e strukturave drejtuese të partisë, si Eduard Halimi, Genc Pollo, Arben Imami, Majlinda Bregu, Genc Ruli, ndërsa nuk mbeten pas në ambiciet e tyre as Eduard Selami, Arben Ristani apo edhe Oerd Bylykbashi. Në këtë vorbull ambiciesh janë përfshirë edhe figurat e ardhura rishtazi në parti, të cilët po hasin të njëjtin hendek që hasën në 2005-ën ish-anëtarët e Komitetit të Orientimit të Politikave, por që me ardhjen në pushtet të së djathtës, Berisha diti t’i menaxhojë mirë ambiciet e gjithsecilit duke i koordinuar të vjetër e të rinj në strukturat e larta ekzekutive. Por të gjendur në opozitë, Bashën e pret një detyrë më e vështirë se ajo e paraardhësit, ku ata që do të dalin të pakënaqur nga ky proces por që kanë mbi supe kontribute shumëvjeçare në PD, nuk do ta kenë të vështirë shkëputjen nga kjo parti dhe ndoshta t’i drejtohen krijimit të një tjetër force të djathtë. Bashës do t’i duhet gjithashtu të përballojë edhe protagonizmin e theksuar të Sali Berishës. Vetë ish-kryeministri është shprehur se është larguar nga drejtimi i partisë, porse angazhimi i tij “për të punuar çdo orë të ditës e të natës për PD-në” mund ta bëjë procesin edhe më të vështirë. Lista e re e Këshillit Kombëtar është treguesi i parë që do të pasojë më pas me zgjedhjen e kryesisë qendrore. Andaj, Kuvendi Kombëtar dhe produkti që do të dalë më pas, pritet të jetë sfida kryesore e Bashës në krye të partisë për të hequr çdo mëdyshje të deritashme se filozofia politike, klima apo metoda e aplikuar në jetën politike të Partisë Demokratike, nuk është më ajo e njëjta si më parë. Sa i përket anës organizative, PD-ja do t’u mbetet strikte strukturave të deritashme të saj. Ajo do të vijojë të funksionojë me dy nënkryetarë, me sekretariatin e saj dhe kryesinë qendrore. I vetmi diskutim që mund të kthehet në vendim është përcaktimi i rasteve të dorëheqjes së kryetarit të partisë. Deri më tash, varianti më i mundshëm lidhet me rezultatin e zgjedhjeve. Më konkretisht, në rast se rezultati i zgjedhjeve në 2017-ën do të jetë më i keq për PD-në sesa ai i 2013-ës, atëherë Lulzim Basha do të duhet të dorëzojë drejtimin e partisë. Në të kundërt, edhe në rast humbjeje, por me një rezultat të rikuperuar, Basha do të vijojë të jetë në krye të partisë për të matur veten me çdo sfidë zgjedhjesh, jashtë dhe brenda partisë.

Leave a Reply