Basha perjashton Balliun, Hoxhen, Markun, Rusmajlin dhe Xhilagen

Home » Aktualitet » Basha perjashton Balliun, Hoxhen, Markun, Rusmajlin dhe Xhilagen

By Redaksia on September 28, 2014. No Comments

fahri_balliuu
Vijon me intensitet preja e kokave në Partinë Demokratike. Konstituimi i strukturave të reja drejtuese, e ka ndihmuar Lulzim Bashën të përjashtojë nga forumet vendimmarrëse të Partisë Demokratike kastën e vjetër dhe të gjithë ata që patën guximin të ngrenë zërin kundër tij dhe Sali Berishës. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përjashtuar Fatos Hoxhën, Mark Markun, Ilir Rusmajlin, Fatos Bejën, Lajla Përnaskën, Rajmonda Bulkun, si dhe këngëtaren Çiljeta Xhilaga etj. Por, ajo që të befason më shumë, është se Basha ka larguar nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike Fahri Balliun, një nga njerëzit që i ka qëndruar shumë afër Berishës për shumë vite. Në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD-së, mungonte emri i Fahri Balliut, një nga emrat që deri dje nuk ka munguar kurrë në listën e Këshillit Kombëtar. Siç duket, Basha kërkon të dobësojë pozitat e njerëzve që mbështesin fort Sali Berishën, dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për Fahri Balliun, i cili njihet si një figurë problematike dhe skandaloze. Ai u shkarkua nga ambasada shqiptare në Maqedoni, është përfshirë në ngjarjen tragjike të Gërdecit, në skandalet me disa firma ndërtimi dhe tendera. Pra, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, kanë hartuar dhe përgatitur me kujdes një strategji, për të shkrirë dhe larguar nga Partia Demokratike çdo figurë të identifikuar si kundërshtar i linjës së familjes. Pasi ndryshuan statutin e PD, në mënyrë që Basha të mos largohet edhe nëse humbet zgjedhjet, dyshja në fjalë ka përjashtuar kundërshtarët nga forumet më të larta të Partisë Demokratike. Pas zgjedhjeve të degëve të PD, Balliu ishte i deleguar për Pogradecin dhe aty kandidati i tij doli i katërti në garë. Kjo u pa si një shenjë e parë distancimi i Bashës ndaj tij. Pastaj erdhi fondi i reklamave të Bashkisë për gazetat e PD dhe Basha i dha ato për Panoramën, Mapo dhe një TV të Familjes, duke përjashtuar Balliun. Sa i takon moskandidimit të këngëtares, Çiljeta Xhilaga, ajo nuk është parë më në PD qysh nga stina e mitingjeve kur festohej për NATO-n apo kundër opozitës. Ajo u zhgënjye që nuk e caktuan deputete në vitin 2013 dhe praktikisht është zëvendësuar plotësisht nga Greta Koçi, një tjetër këngëtare mitingjesh.

Të përjashtuarit

Të përjashtuarit nga forumet drejtuese, Lulzim Basha nuk i ka vënë aspak në dijeni se do të mbahej Kuvendi Kombëtar për kupolën e re drejtuese në PD. Kështu, një prej të përjashtuarve, Fatos Hoxha, është shprehur se nuk ka pasur dijeni për Kuvendin, por e ka marrë vesh nga mediat. “Jo, nuk jam në dijeni të asgjëje deri më sot. Jo vetëm unë, po jemi një grup i madh ish-deputetësh, anëtarë të strukturave më të larta të PD-së që nuk jemi në dijeni. Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtarë. Kam miq të mitë të cilët janë anëtarë të Kryesisë që nuk e dinë dhe nga mediat e marrin vesh. Në Partinë Demokratike që nga vitit 2013 e deri më sot e di çfarë ka ndodhur? Është përjashtuar grupi parlamentar. Janë përjashtuar deputetet nga grupi parlamentar”, është shprehur më herët ish deputeti Hoxha. Ndërkaq, ai ka deklaruar se strukturat e PD janë improvizuar me të reja, ndërsa Basha është zgjedhur në kundërshtim me statutin. “Janë shkrirë strukturat e partisë, Këshilli Kombëtarë, janë improvizuar struktura të reja, është zgjedhur në kryetarë partie në kundërshtim me statusin, është ngrirë statusi, dalin udhëzime në kundërshtim me statusin. Kjo është arsyeja që ne nuk marrim vesh asgjë. Unë e kam paralajmëruar në disa shkrime, por jo vetëm unë, edhe të tjerë. Zgjedhjen e kryetarit në këtë mënyrë e kishim pritur. Unë jam nga mbështetësit e tij që një frymë të re, një organizim të ri dhe në fund të sillte lidershipin e ri”, ka thënë ai. Eneida Jaçaj

Sunday, September 28, 2014 – 09:49

Leave a Reply