Eliminimi ‘de facto’ i qeverisjes vendore

Home » Aktualitet » Eliminimi ‘de facto’ i qeverisjes vendore

By Redaksia on September 25, 2014. No Comments

Nga Gentian Kaprata on 24/09/2014

Gentian KaprataDisa vjet më parë, një miku im deputet socialist, në shuajtje të kuriozitetit tim më shpjegoi se z. Rama, i sapozgjedhur si kryetar i partisë së tij kishte marrë një këshillë shumë të vyer që po e përdorte me efikasitet të plotë. Këshilla i ishte dhënë, sipas mikut tim, nga një eksponent i lartë i së majtës socialiste europiane dhe vinte si përgjigje për shqetësimin më të madh të z. Rama dhe që ky e shprehte kudo dhe kurdo takonte ndonjë të huaj. Gjithmonë sipas të njëjtit mik, z. Rama nuk e kuptonte sesi bashkëpunëtorët e tij në PS ishin aq të paaftë për të kuptuar dhe vepruar sipas planeve të tij moderne. Çka e bënte të pamundur që ai t’i linte në ato funksione/detyra që kishin pasur më parë se ky të zgjidhej kryetar. Por, në të njëjtën kohë e vlerësonte shumë të rrezikshme t’i shkarkonte të gjithë dhe në një ditë sikurse e meritonin. Dhe këshilla hyjnore ishte ‘lëru titullin e hiqu detyrat’. Pra, lëri në ato funksione që kanë, ndërsa detyrat e tyre kryeji vetë ose kaloja dikujt që ke besim. Z. Rama po e implementonte me sukses të plotë këtë strategji dhe kjo sipas mikut tim socialist ishte arsyeja sepse, të tjera gjëra më kishte thënë për dy orë në kafe dhe të tjera gjëra ligjëronte në publik. Bile me të njëjtin arsyetim e shpjegonte edhe faktin pse PS nuk kishte të njëjtin ndikim në publik.

M’u duk arsyetim logjik, por të them të drejtën nuk e besova plotësisht. Gjysma e ekuacionit qëndronte, të paktën e parë nga jashtë dhe e treguar nga përjetues të brendshëm. Por, ajo që më bënte skeptik ishte gjysma tjetër. Pse njerëz të nderuar dhe me eksperienca shumëfarëshe do pranonin të mbanin titullin pa ushtruar detyrat dhe të drejtat. Sepse të mbash titullin do të thotë edhe të mbash përgjegjësinë, në dimensionin e formës. Mirëpo ka edhe një dimension tjetër, është dimensioni i përmbajtjes, i reales. Dhe sipas tij, nëse nuk ke ushtruar kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë (sepse ato i ka ushtruar dikush tjetër), nuk mund të mbash përgjegjësi për rezultatet. Paradoks! Të cilit unë i kam gjetur shumë përgjigje, por asnjë që të më duket shteruese. Asnjë që të zbardhi të tërën. Kështu që e mora dëshirën time për t’i dhënë një përgjigje këtij paradoksi (prandaj edhe e quaj të tillë) dhe e vendosa diku në harresën time qetësisjellëse. Dhe jam i sigurt që do rrinte aty në pafundësi të kohës sime sikur në vitin e parë qeverisës (por edhe nja dy muaj më parë) të z. Rama, nuk do kishin ndodhur një rrjet gjërash. Një rrjet vendimesh qeverie, draft-ligjesh apo edhe veprime konkrete në terren që do ndiznin llambën ndriçuese në këtë pjesë të trurit tim.

Gjëja që veproi si të ishte gisht tregues që shtyp On-in e çelësit të dritës ishte vendimi i Kryeministrit për t’i dhënë ai vetë lejet e ndërtimit në gjithë territorin kombëtar. Për çdo bashki e komunë. Absurd! Kryeministri që do t’u kthejë përgjigje çdo qytetari të Republikës për pyetjen e tyre, nëse mund të ndërtojnë apo jo në tokë të tyre! Ky ishte absurdi i absurdeve, sepse në fakt, është një rrjet i tërë absurdesh. Ministri i këtij Kryeministri që do miratojë listën e përfituesve nga programet e strehimit social. Ministri tjetër i këtij Kryeministri që do miratojë listën e përfituesve të ndihmës ekonomike. Ministri tjetër që do mbledhë taksat vendore. Ministri tjetër që do prishë ndërtimet pa leje. E kështu mund të vazhdoja gjatë. Ishte ky rrjet absurdesh që më ndriçoi pyetjen fatale. Mos vallë Kryeministrin e kanë këshilluar që të veprojë njësoj edhe me kryetarët e njësive të qeverisjes vendore? T’u lërë titullin dhe t’u marrë detyrat? Kjo do ishte shumë e rëndë. Jo vetëm këshilla në vetvete. As vetëm shqetësimi pse Kryeministri ndihet e sillet si mbinjeri që çdo gjë të mirë mund ta bëjë vetëm ai. Dhe as pse pranojnë socialistët partiakë apo ekzekutivë të mbajnë postet pa kryer detyrat e mbajtur përgjegjësitë. Shumë e rëndë, fatale do të ishte produkti i kësaj strategjie. Qeverisja vetëm nga një “mbinjeri” me një grusht njerëzish “specialë” dhe eliminimi faktik i qeverisjes vendore.

Leave a Reply