Ka apo ska piramida ne Bosnje?

Home » Aktualitet » Ka apo ska piramida ne Bosnje?

By Redaksia on September 19, 2014. No Comments

piramidat_ilire_586900160Fadil Fetahu

KA APO S’KA PIRAMIDA (ILIRE) NË BOSNJË?
Informacionet për ekzistimin (?) e piramidave nën kodrat malore afër Visokos, në Bosnje, nuk janë të reja. Së paku ka dhjetë vjet që është shkruar për to, veçse në mënyrë më të pasigurt e të paqartë. Këto ditë “lajmet” për piramidat ilire janë më të dendura në shtyp dhe në portale të ndryshme të përditshme lokale e ndërkombëtare, dhe paraqiten më sensacionale për madhështinë, lashtësinë, përbërjen, prejardhjen, rëndësinë historike dhe karakteristika tjera, dhe me një “siguri” më të madhe për ekzistimin e tyre. Bile, piramidave iu kanë vu edhe emrat, si: piramida e Diellit, piramida e Hënës, piramida e Kulçedrës, piramida e Tokës, piramida e Dashurisë. Nuni (kumbara) i emërtimit, dhe hulumtimit të këtyre piramidave është arkeologu boshnjako-amerikan Semir (Sam) Osmanagiq. Janë mbajtur pesë konferenca ndërkombëtare, nga të cilat kanë dalë përfundime se piramidat në Bosnjë janë fakt, dhe se duhet të zhvillohen gërmime e hulumtime.
Shumë ekspertë pohojnë ekzistimin e piramidave në Bosnjë
Michael Telinger, një hulumtues nga Afrika e Jugut, thotë se “Piramidat në Bosnjë ekzistojnë me siguri”. Kllaus Dona, nga Austria, hulumtues i artefakteve më të vjetra se Homo sapiensi, pas incizimeve të bëra ka thënë se ekzistojnë disa tunele brenda Piramidës së Diellit. Dr Paul La Violette nga ShBA ka deklaruar se atë që ka parë me sytë e tij, tunelet dhe elemente tjera, pa dyshim janë krijuar nga dora e njeriut, dhe ka shpjeguar se si ka ardhur deri te mbulimi i tyre gjatë kohës. Valerij Uvarov, hulumtues i piramidave të Egjiptit ka thënë për piramidat e Bosnjës, se janë ndër ndërtimet më të vjetra në botë. Dy akademikë rus: prof.dr Oleg Khavroshkin, kryeshef i Laboratorit Jolinear Seizmologjik të Institutit për Fizikën e Tokës, të Akademisë Ruse të Shkencave në Moskë, dhe prof.dr Valerij Tsyplakov, në korrik të vitit 2007 kanë qëndruar dy javë në “Luginën e Piramidave të Bosnjës”, kanë bërë një sërë matjesh e incizimesh të të gjitha piramidave dhe të kompleksit të tuneleve nëntokësore. Pas përpunimit të të dhënave dhe krahasimit me piramidat e Egjyptit, akademikët rus kanë ardhur në përfundim se të dy këto komplekse piramidash kanë karakteristika të njëjta gjeofizike. Fjala është për strukturën gurore të ndërtuar nga dora e njeriut, me fusha të dallueshme sizmike akustike. Piramidat e Bosnjës kanë tunele të brendshme. Raportin mbi rezultatet e hulumtimit në piramidat e Bosnjës, akademikët rus e kanë paraqitur në Kongresin Ndërkombëtar të Gjeologëve, të mbajtur në Osllo (Norvegji) më 6-14 gusht 2008. Edhe ekspertët egjiptianë të Universitetit të Kairos kanë vërtetuar se në Bosnje gjendet ndërtimet e piramidave më të mëdha në botë (www.piramidasunca.ba). Në Konferencën Ndërkombëtare për Luginën e Piramidave të Bosnjës, e mbajtur në Sarajevë më 15-26 gusht 2008, prof.dr Nabil Swelin ka pohuar se piramidat ekzistojnë dhe se këtë fakt askush nuk mund ta kontestojë.
Institucionet e mohojnë ekzistimin e piramidave në Bosnje
Përkundër ekspertëve e shkencëtarëve me kompetencë profesionale, të cilët pohojnë se piramidat ekzistojnë, nga ana tjetër jo vetëm njerëz të painformuar, por edhe institucione kompetente nga fusha e monumenteve të kulturës, kategorikisht e mohojnë ekzistimin e piramidave në Bosnjë. Qëndrim mohues ka Instituti Arkeologjik i Bosnjes. Një delegacion i Asociacionit Evropian të Arkeologëve (EAA), gjatë një qëndrimi në Bosnje, ka mohuar ekzistimin e piramidave. Bile, ai Asociacion ka kërkuar nga autoritetet e Bosnjës të ndërpriten hulumtimet për piramidat “të cilat nuk ekzistojnë”(?!). Në stilin e mohimit të punës që po bënë Osmanagiqi me bashkëpunëtorët, e sidomos me funksionimin e Fondacionit për piramidat, dikush këtë po e quan fantazi, e dikush po e quan si biznes për të afirmuar vetveten e për t’i shitur librat e tij. Sa për tunelet nëntokësore që janë zbuluar deri më tash, thonë se ato janë nga ndonjë minierë e mesjetës (?). Në temën e shpotitjeve lidhur me piramidat në Bosnjë, është shkruar edhe një roman satirik, dhe thurën lloj-lloj shakash. Dikush ka publikuar shpalljen me përmbajtje: “E ndërroj Piramidën e Madhe të Bosnjës, për dy më të vogla të Egjyptit”. Shakaja tjetër thotë se “Në Bosnje nuk ka faraonë, prandaj nuk ka as piramida”.
Hulumtimet vazhdojnë
Dilema, se a ka apo nuk ka piramida në Bosnjë, do të jetë edhe për shumë kohë temë e informacioneve dhe propagandës mediale, profesionale e shkencore. Përkundër mospërkrahjes, bile edhe pengesave që institucionet zyrtare vendore e ndërkombëtare i bëjnë ideatorit dhe realizuesit të këtij projekti për zbulimin e të vërtetës për piramidat në Bosnjë, arkeologu boshnjako-amerikan Samir Osmanagiq, jo se e ka ndërprerë punën, por e ka vazhduar me ritme më intensive, në aspektin e informimit dhe propagandimit përmes mediave, librave, konferencave ndërkombëtare dhe ekspozitave të artefakteve të gjetura, por edhe përmes gërmimeve dhe hulumtimeve në terren. Duke mos pasur përkrahje financiare nga shteti i Bosnjës as nga burime tjera, Osmanagiqi në vitin 2005 e ka themeluar Fondacionin e quajtur “Parku Arkeologjik – Piramida e Diellit në Bosnje”, i cili merret me organizimin e punës hulumtuese dhe propaganduese. Për çdo vit vijnë qindra vullnetarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët punojnë në gërmimet dhe hulumtimet që organizon Fondacioni. Osmanagiqi thotë se “Piramida e Diellit” është e lartë 220 metra, dhe e vjetër rreth 30.000 vjet; se është më e larta dhe më e vjetra në botë, të cilën e kanë ndërtuar Ilirët. Duke e konsideruar atë vend si një qendër e vendbanimit të lashtë ilir, ai thotë se më se 50% e popullsisë së Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë – janë me origjinë ilire (?!). Ai llogaritë se në 10 apo 20 vjetët e ardhshme do të arrijë ta zbulojë piramidën më të madhe, dhe se kjo do të ndryshojë rrënjësisht botëkuptimet e deritashme mbi historinë e njerëzimit, dhe se “Lugina e Piramidave të Bosnjës” do të bëhet qendra turistike më e vizituar në botë.
Sidoqoftë rrëfimi për piramidat: vizion apo fiksion, projekti i Osmanagiqit qysh tash e ka ngjallë turizmin dhe se vitin e kaluar atë vend pasiv e kanë vizituar më se 30.000 turistë, shumë prej të cilëve kanë kaluar nëpër tunelet nëntokësore të zbuluara deri më tash, dhe thonë se kjo po ndikon pozitivisht në disponimin dhe shëndetin e njerëzve, për shkak të koncentrimit të madh të joneve në ajrin e tuneleve.
Përkundër pohimeve e mohimeve, vetëm puna dhe koha do ta vërtetojë: ka apo nuk ka piramida ilire në Bosnje?

Leave a Reply