Milano: Kosova e Shqiperia me Konsullate te Perbashket

Home » Aktualitet » Milano: Kosova e Shqiperia me Konsullate te Perbashket

By Redaksia on September 15, 2014. No Comments

bushati-hoxhaj
Shqipëria dhe Kosova konkretizojnë bashkëpunimin e tyre në shërbimin diplomatik. Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, Ditmir Bushati dhe Enver Hoxhaj udhëtuan së bashku në Milano, ku do të inaugurojnë sot Konsullatën e përbashkët.

Në një lidhje telefonike në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, e cilësoi hapjen e Konsullatës së përbashkët në Milano si një ndër pjesët thelbësore të partneritetit strategjik mes dy vendeve, në lidhje me bashkëpunimin diplomatik.

Zoti Bushati u shpreh se Konsullata në Milano do të shërbejë edhe si test për marrëdhëniet e dy administratave.

“Do të synojmë të ofrojmë shërbime sa më cilësore për qytetarët tanë, por edhe për të testuar ndërveprueshmërinë e administratave tona, të cilat besojmë se do të jenë në nivelin dhe pritshmërinë që kanë qytetarët”, tha Bushati.

I pyetur për shërbimin në Konsullatën në Milano, ministri u përgjigj se, “tashmë ky shërbim është krejtësisht i ndryshëm me atë që ishte një vit më parë. Tashmë nuk do të ketë më radhë. Nuk do të ketë më linja telefonike me procedura korruptive”.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë shtoi se kjo konsullatë e përbashkët do të shërbejë edhe për të promovuar politikat e Shqipërisë dhe të Kosovës, si edhe për të ndërtuar ura lidhëse mes bizneseve respektive.

“Është një rajon ku jetojnë rreth 370 mijë shqiptarë dhe ku më shumë se 150 vende të botës kanë konsullatat e tyre. Milano është një ndër qendrat kryesore financiare të biznesit në botë. Jam i lumtur që pas një viti Shqipëria dhe Kosova kanë mundësi të përfaqësohen në mënyrë dinjitoze”, u shpreh ministri Bushati.

Në lidhje telefonike në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel ishte edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili tha se pas Milanos, konsullata tjetër e përbashkët mendohet të jetë në Australi.

“Gjatë muajve të ardhshëm do të shohim se në cilin shtet do të jetë e nevojshme hapja e konsullatave të përbashkëta krahas shtrirjes që kanë rrjetet tona diplomatike, por mendoj që bashkëpunimi i ardhshëm do të jetë Australia”, deklaroi Hoxhaj.

Zoti Hoxhaj vlerësojë edhe mbledhjen e dy qeverive në Prizren para disa muajsh, duke thënë se pavarësisht se për atë takim u fol se nuk ka shumë përmbajtje, deri tani janë jetësuar rreth 90-95% e vendimeve.

“Në Tiranë, së bashku me zotin Bushati, nxorëm një bilanc të sukseseve që janë arritur, mund të them që ka një realitet të ri të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri. Prej marrëveshjes për një treg të përbashkët energjetik, marrëveshjes për kurikulat e përbashkëta në sistemin tonë parauniversitar deri te kalendari i përbashkët kulturor, gjithashtu edhe bashkëpunimi policor, si edhe bashkëpunimi në politikën e jashtme”, tha Hoxhaj.
/ Top Channel

Leave a Reply