Nuk është i çmendur, është antishshqiptar

Home » Aktualitet » Nuk është i çmendur, është antishshqiptar

By Redaksia on September 8, 2014. No Comments

agron-gjekmarkaj-300x168Nga Agron Gjekmarkaj

Pak ditë më parë, te gazeta “Mapo” lexova intervistën e Maks Velos dhe në momentin e parë nuk u besova syve, thashë me vete prit more se jam gabim. Por, pasi u ftillova dhe e rilexova, kuptova që duhej t’i besoja të zezës mbi të bardhë. Ishte një gjë e ndyrë. Fëlligështia vetë.
Personalisht kam pasur një lloj nderimi për Maks Velon, për burgun dhe persekutimin e padrejtë, për pikëllimin e njehsuar me siluetën e tij, për veprën piktorike dhe verbin intelektual, për ngritjen e zërit ndaj barbarisë urbane dhe mungesës së shijes që ka pushtuar territorin shqiptar. Jam ndier keq kur kam marrë vesh se i kanë zënë pusi dhe rrahur për hir të opinioneve të tij publike. Akte të tilla shfaqin mjerimin e demokracisë dhe qytetarisë sonë.
Me simpati e kam ndjekur atë kur ka ngritur zërin ndaj ekstremizmit fetar, problem i cili më shqetëson kur shfaqet në secilin krah. Personalisht jam përfshirë në debate të tilla edhe vetë kur kam parë shenja dhe tendenca simpatie e nostalgjie për pushtimin otoman duke propozuar neootomanizmin si ardhmëri. Nevojën për të shprehur mendim e kam ndier kur në optikën time është konturuar flirti me robërinë, kur denigrimi i Skënderbeut dhe qëndresës së tij nuk e toleron heshtjen. Gjithashtu kur feja është instrumentalizuar politikisht ose konflikti historik turko-grek është transformuar në konfliktin shqiptaro-grek me sfond fetar, duke derdhur frustrimet tona mbi Janullatosin, përsëri duhej folur. Në çdo rast kam pasur bindjen që këto janë grupe minoritare dhe të improvizuara, por tejet të dëmshme nëse tolerohen apo stimulohen, po aq sa skuadrizmi fashist dhe nazist në Europën e viteve ‘20-‘30. Nuk i kam parë kurrë ata si përfaqësues të komunitetit mysliman në Shqipëri, por si armiq të tij. Një përfshirje e tillë nuk ma ka zbehur asnjëherë vetëdijen se shqiptaret katolikë, ortodoksë dhe muhamedanë janë njësoj shqiptarë, njësoj europianë e njësoj të ngarkuar nga trashëgimia orientale, bashkëpërgjegjës për të gjitha dështimet dhe sukseset kombëtare, qofshin ata nga veriu apo jugu.
Maks Velo me intervistën e fundit nuk rri më brenda një opinioni intelektual, por heq valvulën e siguresës dhe na spërkat të gjithëve me një dalldi urrejtjeje fetare dhe krahinore, konkretisht ndaj myslimanëve dhe veriorëve. Ai e di se çfarë thotë, ndaj hipotetizon se do ta quajnë të çmendur për t’ia hedhur paq. Duke sulmuar më keq se Gjeorgjeviçi dhe Qosiçi strukturën shoqërore të kombit tonë, gjeografinë e tij, bashkëjetesën, përpjekjet e përbashkëta për integrim dhe emancipim, pritshmëria e tij qenka kaq modeste?! Jo! Kësaj here askush nuk e quan veprim prej të çmenduri, që këqyret me habi e pak mëshirë, por teza të neveritshme të një antishqiptari. Në çdo vend normal të Europës do të procedohej penalisht për nxitje të urrejtjes fetare dhe krahinore.
Maks Velo manipulon me historinë dhe me emrin e Skënderbeut, kur e dimë fort mirë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e njeh shpirtërisht atë për Hero Kombëtar. Por atij i këndet që si përfaqësues të myslimanëve të konsiderojë disa xhihadistë, për të cilët faji duhet kërkuar te shteti dhe organet e tij të sigurisë për një sërë arsyesh. Atë që ka ndodhur në 500 vjet, ia mbështjell aktualitetit duke injoruar çdo fakt. Rrugëtimin e monumentit të Skënderbeut në pjesën më myslimane të kombit tonë, në Kosovë dhe Maqedoni, e ka fshirë nga kujtesa. Pikërisht atë pritje përtej imagjinatës me turma gjigante me mijëra makina, mijëra flamuj, kënge e valle deri natën vonë, që “myslimanët” shqiptarë po i bënin “Atletit të Krishtit”. Jo e jo, i do ata një me hordhitë otomane, duke unifikuar qëndrimin me diplomacinë serbe te Millosheviçit dhe tezat neootomaniste.
Sheshi kryesor i Prishtinës quhet “Nënë Tereza” dhe ndërtesa më e madhe e këtij qyteti është një katedrale katolike po me këtë emër. Nuk i thotë asgjë Velos ky fakt!? Në qytetin e tij të prejardhjes nuk ka të tilla.
Epitafet, kodikët, afresket, ikonat dhe kishat që Velo ndershmërisht i ka për zemër, shumica e shqiptarëve i nderojnë po aq sa ai, ndërsa Velo i përçmon të tyret, që nuk i njeh për të tijat. Historia duhet lexuar në kontekstin e të ndodhurit të saj dhe jo të nxirret nga ai kontekst për të nxitur përçarje dhe urrejtje në vend. Kur ky veprim kryhet, atëherë ajo nuk është më qëllim, por mjet. Të lexuarit e saj të pjesshëm është baras me gënjeshtrën. Të qenët i krishterë në disa raste po shndërrohet në profesionin e Velos në këtë fazë të jetës, meqenëse po i braktis profesionet e tjera, po ushtrohet në të riun në variantin e tij fundamentalist. Ushqim më të mirë, sesa kjo intervistë për stomakun e babëzitur të ekstremistëve islamikë, që ai gjasme sulmon, nuk ka. Investim i jashtëzakonshëm për kauzën e tyre. Ndaj kjo intervistë për mua është thjesht e poshtër.
Urrejtja spazmodike ndaj Veriut është e ngjashme dhe e argumentuar njësoj ideologjikisht me atë të jugorit Enver Hoxha, të cilin Velo si rastësisht e fshin nga historia. Maks Velo po kalon Shkumbinin me divizionin e parë sulmues si në vitin 1944.
Tepri është t’i kujtohet këtij shkumëzuesi se çfarë është Veriu dhe veriorët dhe sa kontribute kanë në historinë e këtij vendi, por mjaftohemi duke i kujtuar se Shqipëria pa Veriun është si Shqipëria pa Jugun. Perversët dhe rrogëtarët që e duan këtë vend në ndasi krahinore, japin të tilla gjykime. Velo i di këto të vërteta, por nuk i interesojnë, sepse objekt i interesit të tij duhet të jetë diçka tjetër. Në Veri ka një thënie “Mos u zhburrnofsh në pleqni!” Urim i fisëm, nga i cili M.Velo tashmë nuk përfiton dot prej tij.
Por edhe ne i dimë disa të vërteta dhe ka ardhur koha që pa komplekse atij dhe një skalioni tjetër këtu në Tiranë t’u thuhen. Shqiptarët myslimanë e të krishterë janë sjellë si asnjë komb tjetër me vllahët, nuk i kanë cenuar kurrë në të drejtat, gjuhën dhe besimin e tyre. Madje, kur ata kanë dashur të ndihen, të sillen, të quhen shqiptarë, i kanë pranuar si të tillë vëllazërisht pa i testuar në u bënë vërtet. E pazakontë në Ballkan. Shumë anëtarë të këtij komuniteti i kanë bërë shërbime të vyera rilindjes sonë kombëtare, vetë Shqipërisë, por disa të tjerë, një çetë, tanimë në epokën e lirisë, ndiejnë pendesë për këtë konvertim, zemërim për etërit e tyre, por më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët tolerantë!
E çuditshme, e pashpjegueshme, veç në qoftë punë e paguar a maraz që shqiptarët ia dolën të kenë një atdhe, dy shtete, gjuhë dhe kulturë të konsoliduar, në të cilën përfshinë me dashuri edhe vllahët, të cilët qenë të pafat, që në raste delikate ky skalion në përgjithësi i lidhur me diktaturën i ngul thika pas shpine këtij vendi, që duhej të ishte edhe i tyre.
Disa detraktojnë Skënderbeun, të tjerë duan të vjedhin Nënë Terezën, por shtati i tyre latreth nuk ua mban peshën e hajdutërisë dhe ajo i zë përfund, ndonjë zhytur në amullinë e harresës do të ngatërrohet te lidhëset e këpucëve të Kadaresë si atentator imazhi, tellall apo qërues peshku, për t’u identifikuar.
Maks Velo është njëri prej tyre, i cili bën sikur i mbron këta, por baltos dhe urren popullin e tyre. Si askush tjetër e deklaron urrejtjen ndaj myslimanëve dhe veriorëve si kulturë, si patriotizëm, si emancipim, si moto bashkëkohësie pa ndier faj dhe turp dhe as frikë nga ndëshkimi ligjor. Të parët godasin simbolet, ky masën njerëzore. Maks Velo, si përfaqësues i njohur i vllehve të penduar që u bënë shqiptarë, i themi pa racizëm, bëji ndonjë shërbim komunitetit tënd, shkruaj ndonjë gjë për historinë e tyre se po bdaret, për gjuhën, fenë, kishat dhe zakonet, grigjat, kullotat dhe karvanët e të parëve të tu! Shqiptarët, më shumë se ç’parashikojnë konventat demokratike, ju krijojnë çdo mundësi t’i kultivoni ato, siç kemi bërë ndër mote teksa i zgjidhin vetë punët e tyre qoftë në Jug, qoftë në Veri mes të krishterësh dhe muhamedanësh, qoftë aty ku takohen dhe bashkëjetojnë. Një punë e tillë nga Maks Velo, në heshtje dhe për disa vite mund të na ndihmojë të harrojmë intervistën më të fëlliqur të shtypit shqiptar në 24 vjet liri të dhënë jo nga një i çmendur, por nga një shovinist vlleh, një antishqiptar i pikëlluar.

Leave a Reply