Perplasje e Ministres se Mbrojtjes me Gjeneralin Gjoken, zyrtaret e Pentagonit ne krah te Gjeneralit

Home » Aktualitet » Perplasje e Ministres se Mbrojtjes me Gjeneralin Gjoken, zyrtaret e Pentagonit ne krah te Gjeneralit

By Redaksia on September 19, 2014. No Comments

gjeneral-i-300x168Arrestimi i Gjeneral Syrja Gjoka, Komandant i Brigadës Logjistike, në Maj të këtij viti, ishte kulmi i përplasjes së Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli me ushtarakët e lartë që ajo gjeti në këtë Ministri.

Arrestim që erdhi pas shumë tentativave të mëherëshme për ta penalizuar ushtarakun e lartë, pas mospranimit të këtij të fundit për dorëheqje, kërkesë kjo direkte e ministres Kodheli.

Por edhe pse u arrestua në kundërshtim të plotë të ligjit për ushtarakët, në lidhje me gradën dhe pozicionin që Gjeneral Gjoka gëzon, duke e shoqëruar këtë akt me show mediatik, Gjykata e Apelit të Vlorës e rrëzoi masën e arrestit me burg ndaj tij madje, i dha të drejtë e kthimit në detyrë.

Megjithatë, me një vendim i mëpasëm i Ministres Kodheli, në kundërshtim të plotë me vendimin e Apelit por dhe të ligjit për ushtaraket e lartë me gradën e Gjeneralit, ai largohet nga detyra dhe i ndërpriten marrëdhëniet financiare.

Për këtë vendim, Ministrja Kodheli nuk ka dorëzuar asnjë kërkesë pranë Presidentit të Republikës që në rolin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, duhet të jetë ai që të vendosë rreth fatit të një ushtaraku me gradën Gjeneral.

Por pavarësisht kësaj, Ministrja e Mbrojtjes në lidhje me figurën dhe punën e Gjeneral Syrja Gjokës, duket se ka patur kundër edhe vetë zyrtarët Departamentit Amerikan të Mbrojtjes të atashuar pranë Ministrisë tonë, në Zyrën e Bashkëpunimit të Mbrojtjes, Skuadra Amerikane e Modernizimit, i njohur ndryshe si Cubic.

Pavarësisht se akuza që çoi në arrestimin e Gjeneral Gjokës ishte shpërdorimi i detyrës dhe dëmi i shkaktuar shtetit, akuzë kjo që lidhej me kohën kur Gjoka drejtonte bazën ajrore të Kuçovës dhe kur në drejtimin e tij kjo bazë u pastrua dhe u modernizua në pritje të shndërrimit të saj si stacioni kryesor pritës i mjeteve ajrore të Ushtrisë tonë, zyrtarët e Pentagonit kishin një opinion krejt të kundërt me atë të Ministres Kodheli.

Televizioni Klan disponon një raport zyrtar, ku Kolonel Luis Boros, Shefi i Skuadrës së Modernizimit të Forcave SHBA-Shqipëri, i drejtohet Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli më 14 Janar të këtij viti.

Ata vënë në dukje punën e bërë në shndërrimin e bazës së Kuçovës në repart modern ushtarak model për të tjerat, si dhe vlerësojnë punën personale të Kolonelit të atëhershëm Syrja Gjoka, Komandant i kësaj baze.

“Siç mund të jeni në dijeni, baza ajrore Kuçove ishte lënë pas dore dhe në një gjendje të keqe për shume vite. Gjatë vizitës time të parë në vitin 2010, bari në të gjithë bazën ajrore ishte i gjatë se unë (1.75) dhe gati përreth të gjitha ndërtesave, perimetri i fushës ishte braktisur. Pista dhe objektet e tjera janë shkatërruar për mungesë burimeve. Puna e shkëlqyer është bërë në vitin 2011 nga Komandanti i atëhershëm Kolonel Syrja Gjoka, për të pastruar bazën ajrore dhe për të eliminuar shumë, për të mos thëne të gjitha rreziqet në bazë. Ai e bëri këtë me burime dhe mbështetje minimale”.

Kjo është pjesë e raportit që ushtaraku i lartë amerikan pranë Zyrës së Bashkëpunimit në Ministrinë tonë të Mbrojtjes, i drejton Ministres aktuale të Mbrojtjes Mimi Kodheli, duke e informuar për situatën në bazën e Kuçovës por edhe punën e vetë Gjeneral Gjokës, asokohe Komandant i asaj baze ushtarake, për transformimin rrënjësor të saj.

Por vlerësimi për Gjeneral Gjokën nuk ka munguar edhe më herët nga zyrtarët amerikanë pranë Kubik-ut.

Kjo shprehet edhe në një memorandum të pa klasifikuar të kësaj zyre, përgatitur në Prill të vitit 2012.

“Mirebësim dhe njohje të veçantë duhet t’i jepet Kolonel Syrja Gjokës, Komandant në Bazën Ajrore Kuçove, për drejtimin e tij, vizionin, fokusin dhe ekzekutimin për kthimin e pistës ajrore në gjendje plotësisht të përdorshme dhe për të siguruar përgatitjen e saj për të filluar zhvillimin formal të bazës si bërthamë e instalimeve të Forcave Ajrore Shqiptare, për të tashmen dhe të ardhmen. Kolonel Syrja Gjoka duhet gjithashtu të vlerësohet për vizionin e tij mbi atë çka Forcat Ajrore nevojiten dhe duhet të jenë në gjendje për të mbështetur në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare aleancat dhe nevojat rajonale”.

Kjo është një pjesë mbi atë raport ku Koloneli amerikan flet për punën e bërë nga ushtaraku i lartë shqiptar, që pa më të voglën dridhje qerpikësh do të arrestohej, duke u tentuar të denigrohej personalisht dhe profesionalisht me urdhër direkt të Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Me akuzat banale, se prishja e atyre godinave, gërdalla të lëna aty si trashëgimi dhjetëra vjeçare e Ushtrisë Komuniste, kishin shkaktuar dëm financiar.

Akuzohej për të njëtën punë që nga specialistët amerikanë të Pentagonit kishte marrë më herët vetëm lëvdata.

Megjithatë Znj. Mimi zgjodhi që ato për të cilat amerikanët e lëvduan Gjeneral Gjokën, ajo duhej ta akuzonte dhe ta arrestonte.

Si dhe më pas ta shkarkojë atë sërish në kundërshtim me ligjin, ku për këtë duhet marrë edhe firma e Presidentit të Republikës.

Por sot problematika në Forcat e Armatosura vazhdon akoma e rëndë, kur me urdhëra verbalë të Ministres Kodheli, helikopterë të Forcës Ajrore dhe efektivë të saj, shkojnë në aksione policore, në kundërshtim të plotë me ligjin për misionin e tyre.

E për më tepër, në vijim të shkeljeve, askush nuk merr përgjegjësi.

Leave a Reply