Populizmi auokanibalizem per pushtetin

Home » Aktualitet » Populizmi auokanibalizem per pushtetin

By Redaksia on September 11, 2014. No Comments

armand-shkullakuNga Armand Shkullaku

Erion Veliaj është një nga simbolet e filozofisë qeverisëse të Edi Ramës. Është si të thuash mishërimi fizik i frymës që lideri socialist ka kultivuar në vite, ku thelbësore janë imazhi, populizmi, propaganda. Që nga koha e Lëvizjes Mjaft e deri më sot, Veliaj ka qenë çiraku më shembullor, që jo rrallë ia ka kaluar edhe mjeshtrit të tij. Ai ka folur gjithnjë në emër të qytetarëve, ka akuzuar politikanët për shfaqjet e tyre të luksit dhe pasurisë, ka qarë hallet e infermiereve, pensionistëve…njerëzve të thjeshtë të popullit. E ka bërë çdo ditë, jo në heshtje e modesti, por duke e treguar me bujë e reklamë në televizione, gazeta, rrjete sociale e debate televizive. Ministri i të varfërve lëviz gjithnjë me kamera pas vetes, aparate fotografikë dhe njoftime të gatshme që rrëfejnë devocionin e tij ndaj qytetarëve të harruar. Në emër të këtyre të fundit, Erion Veliaj nuk ka kursyer askënd. Në emër të popullit Erion Veliaj ka akuzuar gjithkënd.

Megjithë, notat e theksuara të shtirjes, populizmi i Velisë ishte një ingranazh i vlefshëm në makinerinë e propagandës së Edi Ramës. Ai i rrinte mirë si diçiturë fotove të kryeministrit duke mbajtur radhë në aeroport, duke bërë pazar në supermarket apo duke shëtitur djalin e vogël me karrocë buzë detit. Veliaj ishte po ashtu një ilustrim i bukur në katalogun e qeverisë duke pozuar me fëmijët romë, minatorët, familjet e varfra dhe njerëzit në nevojë. Ishte një portret i gjallë i iluzionit që mundohet të vizatojë kryeministri, ai i udhëheqësit- shërbëtor i popullit. Erion Veliaj e kish marrë aq për zemër këtë rol sa u shndërrua çdo ditë e më shumë në simbol të populizmit, në protagonist vend a pa vend të çdo aktiviteti qeveritar, në propagandist me gjuhë të drunjtë i çdo klisheje populiste. Mirëpo me gjasë e bëri më shumë seç duhej, e shkeli kufirin e masës, e teproi. U bë inflativ, shpeshherë i shtirur, me gjeste aktoriale, një lloj heroi pozitiv bajat, që kërkonte të bëhej zëdhënës i diçkaje që nuk e besonte por vetëm e propagandonte.

E kur teprohet, gjithçka mund të të kthehet kundër. Dasma e ministrit të të varfërve, mund të mos kishte të njëjtin efekt, sikur dhëndër të mos ishte njeriu që nuk rresht së foluri në emër të tyre. A është Erion Veliaj një politikan i majtë që beson tek ideali që ka shpallur, apo është një shartim i gauche caviar që tjetër jetë bën e tjetër model promovon? Nëse do t’i qëndronim besnik frymës së populizmit të Erionit, atij sot mund t’i bëhen shumë pyetje- akuzë si ato që ai vetë i interpreton me aq pathos sa herë i jepet mundësia. Kështu njëri Erion, ai si shërbëtor i popullit do ta pyeste Erionin tjetër, atë të serialit dasmor: Pse ishte e nevojshme një martesë glamour dhe jo një ceremoni e rezervuar? A është ky shembulli që jep shërbëtori i popullit në një vend ku ka papunësi, familje që jetojnë me asistencë, minatorë në kushte të rënda etj., etj. A do ta bënte një gjë të tillë një ministër në Europë, po në vendin më të varfër të saj a duhej ta bënte? Për këto pyetje sigurisht që dikush tjetër mund të jepte edhe përgjigje dalëse, por jo Erioni i parë që e ka kultivuar mendësinë populiste me një zell të pashoq. Ai shumë shumë mund të kërkonte falje dhe të tërhiqej nga pozicioni që tashmë i rri ngushtë.

Mirëpo deri tani nuk e ka bërë. Populizmi është fenomen që ta humb personalitetin dhe mendimin. Vetëm kjo e shpjegon guximin e ministrit Veliaj që të manipulonte mediat duke u shitur një lajm për takim në shkollën profesionale të Gjirokastrës sikur e kishte bërë një ditë pas dasmës. Me një tjetër shtirje populiste, të tipit të dielën u martove të hënën në punë shkove, ka menduar të mbulojë efektet e dasmës në kala. Erioni nuk di të veprojë ndryshe, është jo vetëm mishërim i populizmit por edhe produkt i tij. Edhe ky rast qesharak do të kishte mjaftuar që ministri të kërkonte falje apo të tërhiqej nga pozicioni i tij. Për të mos folur për pyetje të tjera që tashmë jo Erioni i parë do t’ia bënte Erionit të dytë, por qytetarët ministrit të tyre. Pyetje se përse restaurimi i kalasë së Gjirokastrës u bë përpara dasmës dhe me fonde private, kush ishin donatorët dhe pse ministri i Punës (dhe jo i Kulturës, Bashkia apo Instituti i Monumenteve) bashkë me zonjën e tij u morën personalisht me këtë projekt? Sa ishin dhe kush i pagoi shpenzimet e darkave të dasmës në Gjirokastër e Pezë? Pse përsëri ministria e Velisë do të merret me organizimin e festës së Pezës? A janë deklaruar dhuratat e dasmës, kontratat e qerasë dhe pagesat për organizatorët e eventeve, muzikantët etj? Një ministër shërbëtor i popullit duhet të japë përgjigje për këto pyetje, dhe cilado qoftë përgjigja, ajo nuk lë vend që ministri të qëndrojë aty ku është. Edhe nëse përsëri do të flasë në emër të popullit.

Por tërhiqet ose jo, kjo është çështje personale e ministrit Veliaj. Pas kësaj që ka ndodhur një gjë është e sigurt: ai nuk mund të jetë më ingranazhi i vlefshëm i makinerisë së Edi Ramës. U thye nga shpejtësia me të cilën xhiroi populizmin e tij. Ajo që vetë ndërtoi, tashmë i është kthyer kundër./mapo/

Leave a Reply