Ruci: Kandidatet per Ambasadoret duhet te dine kush jane interesat e Shqiperise

Home » Aktualitet » Ruci: Kandidatet per Ambasadoret duhet te dine kush jane interesat e Shqiperise

By Redaksia on September 15, 2014. No Comments

gramoz-ruci-3
Ruçi: Kandidatët për Ambasadorë, duhet të dinë kush janë interesat e Shqipërisë
Kryetari i Grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm parlamentar me kandidatët për ambasadorë të Shqipërisë në Katar dhe Spanjë, është treguar i ashpër në kritika, ndërsa është shprehur se nuk është aspak e mjaftueshme fakti që ato dinë gjuhën e vendit ku do të shkojnë. Ruçi tha se vendit i duhen përfaqësues që janë të aftë të sjellin investime.

“Unë kam pasur rastin të vizitoj me Kryetarin e parlamentit para pak muajsh Kuvajtin dhe është për të ardhur keq që Shqipëria është inekzistente me projekte në Kuvajt. Unë do të kërkoj nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë që duhet të zgjedhim ambasadorë jo vetëm ata që dinë gjuhët përkatëse të vendit përkatës, rëndësi ka që të dinë shqip, të dinë kush janë interesat e Shqipërisë dhe çfarë duhet të realizojë Shqipëria. Ky është misioni juaj . Gjatë gjithë vizitës në Kuvajt kishte vetëm një fjali: ku janë projektet? Është për të ardhur keq që Fondi i Zhvillimit Kuvajtian ka miliarda e miliarda investime në dhjetëra qindra vende në të gjithë botën, në Shqipëri jo. Dhe kjo ndodh se nuk ekzistonin pikërisht këto projekte.

Dhe është për të ardhur keq që një vend si Bosnja thith miliona euro dhe dollarë nga Kuvajti investime dhe projekte. Është për të ardhur keq që një vend si Bosnja brenda vitit thith njëqind mijë turistë , Shqipëria jo, pasi kishin marrë vetëm dy masa, liberalizimin e vizave edhe një linjë avioni , që kishte ardhur nga Kuvajti edhe ajo. Ku jemi…. Thjesht që shënojmë ne CV që kemi qenë 10 vjet ne Arabinë Saudite që kemi bërë shkollën e mesme e të lartë, që kemi mësuar gjuhën kemi mësuar anglishten, arabishten etj. Kjo është e pamjaftueshme! Hajde të krijojmë një universitet këtu , t’iu vëmë të jepni arabisht, në rregull. Ndërsa kur marrim detyrën e përfaqësuesit diplomatik, atëherë jemi përfaqësues atje të këtij vendi dhe duhet të bëjmë punën”, u shpreh Ruçi.

Në seancë dëgjimore për kandidatë për ambasadorë ishin Edmond Caca, Kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Katarit, si dhe Ridi Kurtezi, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Marokut dhe në Republikën Islamike të Mauritanisë.

Leave a Reply