Te henen fillon mesimi. Vazhdon historia e mesimit me turne

Home » Aktualitet » Te henen fillon mesimi. Vazhdon historia e mesimit me turne

By Redaksia on September 11, 2014. No Comments

nxenes-klasa_1

Kanë mbetur dhe 4 ditë nga nisja e procesit mësimor në arsimin parauniversitar, ndërsa MAS duket tej mase e vonuar përsa i përket publikimit të situatës në të cilën ushtrojnë aktivitetin qindra shkolla e gjimnaze private në të gjithë vendin. Situata duket kaotike veçanërisht në kryeqytet, pasi këtu është përqendruar dhe numri më i madh i këtyre institucioneve fitimprurëse. Themi fitimprurëse, pasi duket se në thelb ky është dhe misioni i çeljes të tyre, kur në fakt duhet të ishte arsimimi me njohuri dhe dije, i fëmijëve që mësojnë aty. Por pavarësisht të gjithave, shkolla dhe gjimnaze të tilla të kudondodhura në kryeqytet kanë çelur dyert dhe prindërit kanë nisur regjistrimin e fëmijëve të tyre. Ndërkohë, Ministria e Arsimit duket se po qëndron qëllimisht jashtë loje, megjithëse kohë më parë pati siguruar një reformë gjithëpërfshirëse dhe se ashtu si arsimi universitar, edhe ai parauniversitar do ti nënshtrohej një kontrolli të rreptë para fillimit të vitit të ri mësimor. MAS mbylli pak kohë më parë afro 40 universitete private dhe tashmë po mbyllen të gjitha procedurat e fundit për sistemimin e studentëve të këtyre universiteteve deri më 20 tetor. Po me arsimin parauniversitar çfarë po ndodh? Zëvendësministrja Nora Malaj u shpreh pak ditë më parë edhe shkollat e gjimnazet po i nënshtrohen një inspektimi të përgjithshëm, dhe që para nisjes së procesit mësimor do të kulmojë me një raport, i cili do të jetë një siguri më shumë për prindërit që duan të shkollojnë fëmijët e tyre pranë këtyre institucioneve. Por kur kanë ngelur vetëm 4 ditë (bashkë me ditët e pushimit zyrtar), MAS nuk po publikon raportin mbi situatën e konstatuar në këto institucione arsimore. MAS nuk ka dhënë asnjë shpjegim mbi këtë vonesë, megjithëse raporti paraprak i saj mbi reformën në arsimin parauniversitar u publikua që në muajin maj.

Reforma e MAS

Grupi i punës për reformimin e sistemit arsimor parauniversitar është ngritur me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Sportit. Ai përbëhet nga studiues dhe nga specialistë të arsimit. Grupi i punës ka mandat që, në periudhën Nëntor – Gusht 2014, të hartojë raportin për politikat e reformimit të Arsimit Parauniversitar (APU), në funksion të zhvillimeve afatshkurtra dhe strategjike të vendit. Ky raport është publikuar dhe sipas prezantimit të ministres Nikolla, gjija më e rëndësishme këtu ka të bëjë me ndryshimin e kurikulave dhe përshtatja me atë të Kosovës. Raporti flet për gjithçka në përgjithësi; vizionin e MAS për këtë sistem arsimor, reformat që dëshiron të kryejë në të përsa i përket kurikulave, mësuesve etj., por më e rëndësishmja që është gjendja reale e shkollave dhe gjimnazeve, ku secili prej tyre të jetë i listuar me problematikat apo pozitivitetet e tij, nuk bëhet publike. MAS pretendon se qëllimi i kësaj reforme është krijimi i kushteve më të mira të mundshme që nxënëset/nxënësit tanë, pavarësisht mundësive dhe rrethanave vetjake, të përgatiten si qytetarë aktivë për të marrë pjesë në mënyrë krijuese dhe kritike në jetën ekonomike, shoqërore e kulturore të vendit dhe të aftësohen për t’iu përshtatur ndryshimit të rrethanave në shoqërinë demokratike të dijes. Por a mund t’i përfitojnë këto nxënësit shqiptarë, që megjithëse paguajnë me vështirësi tarifat e privatit, nuk gjejnë kushtet minimale të një godine në të cilën zhvillohet proces mësimor? Ministria e Arsimit, si institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit mësimor brenda kushteve që përcaktojnë ligjet, është institucioni që sot më shumë se kurrë duhet të përgjigjet para nxënësve, prindërve e mbarë opinionit publik, mbi gjendjen që ka secili institucion shkollor. MAS duhet të ndalë abuzimet nga pseudoshkolla, të cilat e kanë kthyer arsimin në biznes.

Leave a Reply