Vizita e Papes/Bijte e Zotit ne Shqiperi jane vetem femijet e pushtetareve

Home » Aktualitet » Vizita e Papes/Bijte e Zotit ne Shqiperi jane vetem femijet e pushtetareve

By Redaksia on September 26, 2014. No Comments

vizita-e-papees

Entuziazmi i prezencës të Papa Françeskut në Shqipëri, duket sikur ka “mbuluar” palaçollëqet e bëra prej politikës e të shtetit shqiptar edhe në këtë ditë historike, por në fakt ato janë shfaqur me zë e me figurë në ekranet e televizioneve. Siç është vepruar në këto 22 vjet, ata që kanë uzurpuar shoqërinë, politikën, shtetin dhe botën mafioze ekonomike financiare, manifestuan tutorizmin dhe nepotizmin total edhe ditën e vizitës së Papa Franceskut. Ajo që ra në sy si një skandal i rëndë e i turpshëm zyrtar, ishte nepotizmi familjar i krerëve të politikës e shtetit edhe në protokollin e nderimit të Papa Françeskut. Po e nisim me fakte nepotizmi, nga pritja në Rinas, ku veç kreut të qeverisë ishin edhe të afërm në dikasterin qëndror dhe aparatin e tij apo zyrat e OJF-ve. Përse duhej të ishte në pritje, p.sh., Ministrja e Kulturës dhe jo Kreu i Parlamentit, apo kreu i Komitetit të Kulteve, kur kjo nuk ishte vizitë kulturore e as turistike, por vizitë zyrtare fetare! Thjeshtë, për të mbetur e preferuara e kryeministrit, në “historinë” e pritjes së Papës. Përse njeërzit e ngushtë të familjarëve, duhej të ishin në takim në dhomën “VIP” në Rinas, për të “sajdisur” Papa Françeskun me “detyrën” e ngarkuar për t’u kujdesur për dhuratën e Kryeministrit e për t’i ofruar atij ujë e kafe (nëse do të dëshironte)? Thjesht, për t’u regjistruar si personazhe në këtë ngjarje historike. Tjetër fakt nepotik nga protokolli zyrtar. Vajza që i dhuroi lulet Papa Françeskut në Rinas, ishte vajza e një deputeteje. Përse duhej të ishte fëmija e një politikaneje e të mos ishte psh., mbesa e një e kleriku të pushkatuar, apo dënuar në burgjet e diktaturës, apo fëmija i një invalidi, minator, sharretari nga Puka, Mirdita, Dibra, Laçi, apo fëmija e një intelektuali, e një punëtori të thjeshtë, apo qoftë edhe e një varfanjaku që “gërmon” mëngjes e darkë nëpër kosha plehrash për bukën e gojës, që nuk japin politikanët mëkatarë që puthën dorën e Papës? Përse psh., vajza që i dha lulet Papa Franceskut të mos ishte vajza e ish-besimtarit pasionant katolik Aleks Nika, vrarë në 21 janar 2011 në sheshin ku Papa përshëndeti dhe bekoi shqiptarët, por duhej të ishte vajza e shtetareje që deklaroi se, Aleks Nikën dhe protestuesit e tjerë të 21 janarit, do t’i varte te palma e Kryeministrisë, në shenjë urrejtje ngaqë protestuan për atë që meshoi Papa: për lirinë, anti-varfërinë dhe padrejtësitë?! Vazhdojmë më tej me fakte të tjera nepotizmi, pjesë e protokollit të pritjes së Papa Françeskut. Në protokollin zyrtar, ishte caktuar që titullin “Qytetar Nderi” dhe “Çelësin” e qytetit të Tiranës në emër të qytetarëve të kryeqytetit, ta dorëzonte Lulzim Basha dhe bashkëshortja. Ndoshta do ishte më e drejtë që përveç Kreut të Bashkisë të ishte edhe Kreu i Këshillit Bashkiak, një “Qytetari Nderi”, apo një qytetari model? Nuk e kemi fjalën, ngaqë e shoqja nuk është shtetase shqiptare, por e kemi fjalën për nepotizmin që u shfaq edhe në të tilla raste. Vazhdojmë më tej. Në pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, salla ishte mbushur me njerëz të rrjetës nepotike të politikanëve e shtetarëve, konkretisht me familjarë, shokë e miq të tyre e të ftuarve të tjerë. P.sh, në rreshtin e zyrtarëve të Presidencës, me të cilët Presidenti Nishani bëri pritjen e nderit për Papa Françeskun, ishin futur në protokoll edhe motra, vëllezër, krushq, baxhanakë, kunetër, dhëndurë, mbesa e shokë të zyrtarëve të Presidencës, të cilët nuk janë punonjës të presidencës, por që ishin në pritjen zyrtare! Nepotizmi deri edhe qesharak e banal i shtetit shqiptar në protokollin e nderimit të Papa Françeskut, u manifestua në pritjen e madhe organizuar prej Presidenti Bujar Nishani. Salla, ku u prit Papa Francesku e ku Presidenti mbajti fjalën përshëndetëse, ishte mbushur me politikanë e bashkëshorte të tyre. Kjo është e pranueshme. E papranueshme dhe tallëse për personalitetin e shtetit e të mikut Papa Françesku, ishte fakti që në listën protokollare që kishte mbushur sallën, përveç politikanëve e qeveritarëve ishin edhe familjarë të tyre, deri tek mbesat e nipërit, kunetërit, baxhanakët, ortakë biznesesh, roje të familjeve të ministrave e kryeministrit, shokë e shoqe të fëmijëve të politikanëve e deri tek shoferë ministrash e deputetësh, të futur në protokoll zyrtar, së bashku me gjyshet e gjyshërit. Madje, skandali me pritjen e Atit të Shenjtë, u katandis deri në atë derexhe turpi e banaliteti, sa në protokollin e nderimit ishte përfshirë edhe një nëpunëse e nivelit të ulët, kushërirë e Zonjës së Parë, futur në listën protokollare bashkë me burrin, dajon, xhaxhanë, komshijen, vajzën dhe vjehrrin. Në protokollin Presidencial të pritjes së Papës, ishte përfshirë edhe shefi tenderave në një komunë të Tiranës, edhe sekretarja e një rektori, edhe shoferi i një pronari të medias, edhe punonjësja e shtëpisë e një ministri, edhe katër shokë e shoqe të fëmijëve të Presidentit të Republikës me prindërit e tyre, edhe bashkëjetuesja e një këshilltari të një pushtetari të lartë, edhe shoqe të bashkëshortes së presidentit me familjet e tyre, edhe disa ortakë biznesi ministrash e ish-ministrash dhe deputetësh. Madje, në protokollin e pritjes ishte edhe përfshirë edhe një inspektore tregu ushqimor! Ndërsa përbërja e të ftuarve të ulur në karriget në sheshin “Nënë Tereza”, kishte një nepotizëm total. Çdo ministri e institucion i lartë shtetëror, kishte një numër të caktuar ftesash, por që titullarët ua kishin dhënë familjarëve, bodigardëve e shoferëve të tyre, shokëve e miqve, duke i paraqitur si zyrtarë të lartë të shtetit! Nuk e dimë, se cilët e kanë bërë listën protokollare, por siç e pamë nga transmetimet televizive edhe në nderimin e Papa Françeskut, nepotizmi politik, familjar e shoqëror ishte veprues e fuqiplotë. Kishte nga ata që ishin në avion dhe të tjerë që i prisnin sa zbrisnin në tokë. Ndoshta do ishte mirë që Papës t’i ofrohej për bekimin e tij dhe të mbarë fëmijve, një i porsalindur atë ditë. Kjo ndoshta do ishte edhe më kuptimplote…

Përse p.sh., vajza që i dha lulet Papa Françeskut të mos ishte vajza e ish-besimtarit pasionant katolik Aleks Nika, vrarë në 21 janar 2011 në sheshin, ku Papa përshëndeti dhe bekoi shqiptarët, por duhej të ishte vajza e asaj që deklaroi se, Aleks Nikën dhe protestuesit e tjerë të 21 janarit, do t’i varte tek palma e Kryeministrisë, në shenjë urrejtje ngaqë protestuan për atë që mëshoi Papa: për lirinë dhe anti-varfërinë?! Ndoshta mund të ishte edhe mbesa e një e kleriku të pushkatuar, apo dënuar në burgjet e diktaturës, apo fëmija i një invalidi, minator, sharrëtari

Përparim HALILI

Leave a Reply