Çelet në Greqi Qendra Kulturore Shqiptare!

Home » Aktualitet » Çelet në Greqi Qendra Kulturore Shqiptare!

By Redaksia on November 28, 2014. No Comments

f7a2462114fb858a08727818e517197eAtë që nuk e bënë politikanët dhe shteti shqiptar për 24-vjet, e bënë shqiptarët!

Plot 24 vjet premtime për një nga çështjet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Greqi nga politikanë, ministra, ambasadorë dhe kryeministra shqiptarë. Ishte kthyer në një nga “karamelet” më pa kosto. Vinin dhe pa asnjë përgjegjshmëri premtonin hapjen e Qendrës Kulturore Shqiptare. Iknin dhe riktheheshin përsëri, sa herë që u nevojiteshin votat. Dhe kjo zgjati më shumë se dy dekada. Ata e dinin se plaga më e madhe, ajo që u dhembte më shumë qindra e mijëra shqiptarëve të shpërngulur në Greqi ishte vetë ruajtja e origjinës së tyre: gjuha, zakonet, tradita, këngët, vallet, etnokultura dhe gjithçka të vyer që ata kishin. E për këtë, mjaftonin vetëm premtimet!
Komuniteti shqiptar duhej të përballej me situatën tepër të vështirë në Greqi, ku e drejta nuk përfillej, madje konsiderohej si privilegj për emigrantët shqiptarë nëse u ofrohej. Kush tentonte, thjesht futej në listën e zezë dhe nuk kushtonte, paketohej dhe përfundonte në Kakavije sëbashku me shpërblimin e Komunitetit Europian që përfitonte shteti grek; emigrantë të paligjshëm – kthim nga erdhën!
Por, shqiptarët kurrë nuk u demoralizuan, kurrë nuk u zmbrapsën, kurrë nuk u dorëzuan dhe kurrë nuk harruan se kush ishin, nga erdhën dhe të reflektonin traditat e tyre, pavarësisht kushteve të vështira.
Mohimi i identitetit për një copë letër për të shkuar në atdhe për të parë nënën, babanë dhe familjen u kthye në fenomen shqetësues me përmasa alarmante. Shteti shqiptar, vazhdonte t’i shikonte shqiptarët e Greqisë si burim kolosal të ardhurash, si kontingjent shumë të madh votuesish dhe… kjo mjaftonte! I konsideronte si njerëz të huaj dhe të dorës së dytë, edhe pse lavdërohej për “rritje të ekonomisë” dhe zhvillim të madh të vendit…

Do të ishte e pahijshme po të mos përmendja demonstratat e panumërta të bashkatdhetarëve tanë në vitet ‘90-të e më pas për një copë letër… për pak dinjitet! Për drejtësi të mohuar që aq shumë e dëshironin! Për pavarësinë e Kosovës!

Për përfaqësim dinjitoz dhe për moralin e tyre që si shteti grek ua kishte rrënuar qëllimisht përtokë me lajme të rreme mediatike që kurrë nuk kërkoi falje për dizinformimin e publikut, po ashtu edhe shteti shqiptar që kurrë nuk u interesua për bijtë e tij!
Bijtë dhe bijat e shqipes u braktisën… Ishte pikërisht kjo braktisje që i frymëzoi ata, i mbushi me krenari dhe u dha fuqi që të bënin më të mirën për veten dhe fëmijët e tyre, e mbi së gjithash për kulturën tonë të vyer mijëravjeçare.

Sa më i ashpër ishte shteti grek me “fshesat” dhe me ngurtësinë e tij për t’i pajisur me dokumente, aq më e madhe ishte etja për dinjitet dhe krenari. Filluan organizimet e para, filluan të festoheshin fshehurazi festat tona kombëtare në lokale e vende të fshehta. Filluan përpjekjet e para për hapjen e Kurseve Plotësues të Gjuhës së ëmbël Shqipe. Vijonin tentativat dhe përpjekjet për përfaqësimin e komunitetit nga grupime të ndryshme, si dhe takimet me të dy palët shqiptare dhe greke. Premtimet, lëshoheshin nga të dy vendet, e sidomos nga pala shqiptare. Pa përgjegjshmëri, pa menduar se në ato premtime varej fati, krenaria dhe identiteti i më shumë se një milion shqiptarëve që jetonin në Greqi.

Dëshpërimi, zhgënjimi dhe indiferentizmi i palës shqiptare bëri që mijëra shqiptarë të Greqisë të ndjehen jetimë. U detyruan të ndryshonin emrat, fenë e shumë elementë të tjerë të vyer të asaj që u dhembte më shumë: Identitetin dhe origjinën!

Dhe Ne i thamë mjaft kësaj katrahure!
Etnokultura është shpirti e mendja e popullit, është mënyra e jetesës së tij, e krijuar, e zhvilluar në shekuj prej tij. Ajo shpreh vetorganizimin, kompaktësinë, sigurimin e ekuilibrit social ndër shekuj e në gjenerata të ndryshme. Kjo etnokulturë, na zbulon të kaluarën e pamësuar dhe të ardhmen. Etnokultura dhe gjuha jonë janë dy elementë, të cilët e kanë ruajtur dhe forcuar më shumë se çdo gjë tjetër identitetin tonë kombëtar.
Kështu, kryesia e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, bëri hapin e madh. U organizua si kurrë më parë, sensibilizoi mbarë opinion e gjerë të komunitetit shqiptar në Greqi dhe me shumë përpjekje dhe sakrifica ia arriti të hapë Qendrën Kulturore Shqiptare.

“Në këtë ditë historike për komunitetin shqiptar në Greqi, kam nderin të ndaj me ju ato emocione të veçanta që unë ndjeva pak ditë më parë. Nuk kishte kënaqësi më të madhe ndërsa hyra në ambientet e Federatës kur u ndesha me atë klime impresionuese e aq mbresëlënëse, ku në një sallë zhvillohej mbledhje, në sallën tjetër bëheshin prova teatrale, në tjetrën punohej intensivisht për jubileun e Federatës.
Pak më vonë, në të njëjtat ambiente pash të zhvillohej mësimi i gjuhës angleze, njëkohësisht të bënin provat grupi i valleve “Shqiponjat”, e nga ana tjetër punonte grupi i punës për përgatitjen e ekspozitës fotografike që ju shikoni sot këtu.

Është e njëjta qendër ku vogëlushët tanë mësojnë gjuhën e ëmbël shqipe, ku gërshetohen meloditë e çiftelisë me ison labe. Ku bëhen promovime librash, ekspozita pikture. Takime me specialistë të juridiksionit për çështjet e mprehta të emigracionit.

Është e njëjta strehëz ku drejtohen bashkatdhetarë tanë për informacione apo ndihmë për problemet e tyre.
Kjo është pra shtëpia e komunitetit shqiptar, shtëpia e të gjithë shqiptarëve.
Na e premtuan qeveritë për më shumë se dy dekada, por më në fund Ne ia dolëm mbanë ta ndërtojmë vetë folën tonë
Qendrën Kulturore Shqiptare!
Nga shqiptarët për shqiptarët!
Jeni të gjithë të mirëpritur!”, ishin fjalët e kryetarit të Federatës z. Etmond Guri në jubileun e 10-vjetorit të krijimit të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi.
 

 

 

Leave a Reply