Pasaportat biometrike shqiptare njëlloj si letra higjenike

Home » Aktualitet » Pasaportat biometrike shqiptare njëlloj si letra higjenike

By Redaksia on February 18, 2015. No Comments

pasaporta-biometrike-shqipetare
Shkruan: Gjergj Thanasi

Pasaportat biometrike shqiptare të reklamuara para dhe gjatë “epokës” së Rilindjes si ndër më të sigurtat në botë faktikisht po prodhohen false nga sistemi me një lehtësi të paparë pak a shumë njëlloj sic del letra higjenike nga rotativat në fabrikë. Problemi me këto pasaporta nuk qëndron te mungesa e elementëve të sigurisë. Absolutisht jo! Pasaportat shqiptare nga kjo pikëpamje janë realisht në avangardë. Te ne çalon komponenti njeri i sistemit. Që kur u prodhuan pasaportat biometrike e deri më sot, kanë ndërruar 2 herë nën Berishën dhe një herë nën Ramën drejtorët e përgjithshëm të gjendjes civile shqiptare. Avazi i prodhimit të pasaportave biometrike ka vazhduar d.m.th.prodhimi i tyre false nga sistemi. Koncesionari franko-shqiptar ka mbetur i njejti. Favoret, që Berisha dje dhe Rama sot, i kanë bërë atij janë të njejtat. Me sebepin e modernizimit dhe të futjes në Shqipëri të praktikave avangardë në shkallë ndërkombëtare, pasaportave biometrike ju shtuan elementë sigurie me lejen dhe firmën e dyshes Rama-Tahiri. Rezultati: shqiptarët do të paguajnë më shumë para për to dhe për kartat e identitetit. Kompania koncesionare do fitojë më shuëm para për këtë arsye, por edhe sepse dyshja në fjalë i zgjati edhe afatin e koncesionit. Po, po të atij koncesioni, që e kishte anatemuar në opozitë. Kuptohet, që normalisht vazhdon prodhimi i pasaportave biometrike false po nga sistemi. Pra na rruatë me gjithë elementët e rinj të sigurisë, që kanë këto pasaporta dhe kartat e identitetit.

Tashmë me të tilla pasaporta të prodhuara false nga sistemi mund të pajiset kushdo, që nga terroristët jemenitë e deri te vrasësit e hajdutët, drogaxhinjtë e “menaxherët’ e prostitucionit, të dëbuarit nga vendet Shengen, që marrin një identitet të ri të falsifikuar e kushdo tjetër. Të vetmit, që nuk mund të pajisen me pasaporta biometrike shqiptare janë vëllezërit tanë kosovarë, që i kanë mbyllur në geton me emrin Republika e Kosovës, geto kjo pak a shumë si një Theresienstadt i shekullit XXI. Policitë e vendeve europiane thuajse cdo javë sjellin shembuj të kapjes së pasaportave biometrike shqiptare të prodhuara false nga sistmi. Ka edhe raste, që shkojnë në kufijtë e komikes. Në Angli NCIS arresoi Ndricim Sadushin ish anëtar i bandave kriminale të v.1997 në Elbansa. Atij ju kapën 4 pasaporta false një e vjetër e skaduar jo biometrike dhe tre të tjerat biometrike të lëshuara në kohë të ndryshme, normalisht të prodhuara false nga sistemi. Për ironi të fatit të tre pasaportat false ishin prodhuar secila gjatë “mbretërimit” të një drejtori të ndryshëm të gjendjes civiel shqiptare. Sadushi e kalon kohën nga Burgu Belmarsh në Spitalin psikiatrik Broadmoor, por sa “Sadushë” të tjerë bredhin të lirë me pasaporta biometrikeshqiptare false?!

Rasti më i fundit ndodhi në Peruxhia. Karabinierët arrestuan dy shqiptarë të shpallur në kërkim, që në majin e vitit 2012. Shqiptarët atëhere kishin rrahur për vdekje një magrebian anëtar i një bande rivale tunizianësh. Këta të fundt organizuan protesta në qendrën historike të Peruxhias duke thyer vitrina dyqanesh, duke u vënë zjarrin makinave. Madje u përleshën me policët e karabinierët duke i goditur me gurë, shishe, sende të forta dhe bomba Molotov. Në atë kohë policia italiane arriti të prangosë në Trieste Redajn Salkurtin, 27 vjec njerin prej shqiptarëve të përfshirë në rrahjen për vdekje të drogaxhiut tunizian.Të afërm të Salkurtit të shpallur në kërkim arritën t’ia mbathnin duke I shpëtuar arrestit. Ata u arrestuan vetëm këtë të dielë më 15 shkurt 2015. Gjatë tre vjetëve ata kishin hyrë e kishin dalë në Itali për shtatë palë qefe duke përdorur pasaporta biometrike shqiptare të prodhura false nga sistemi me emra të ndryshëm nga ato, me të cilët i kërkonte policia italiane. Përkatësisht u arrestuan: Fatmir Salkurti lindur në Qarkun Dibër në 13 shkurt 1988, që përdorte pasaportë biometrike të prodhuar false nga sistemi me Emrin Erind Cara lindur po në 13 shkurt 1988 dhe Indrit Salkurti lindur në Qarkun e Dibrës më 20 korrik 1992, por me pasaportë biometrike të prodhuar false nga sistemi me emrin Rexhep Ilnica lindur më 20 korrik 1992.

Ky fakt i kapur nga italianët është jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo se u kapën pasaportat biometrike false të rradhës, por sepse dy Salkurtët janë askushi në Shqipëri. Ata nuk janë kushërinj, miq, shokë, ortakë të ndonjë politikani të lartë shqiptar në pushtet apo në opozitë. Ata nuk kanë miliona euro pasuri, që fundi i fundit me kaq para edhe blihen 2 pasaporta biometrike. Jo këta të dy ishin keqbërës të zakonshëm. Me një logjikë të thjeshtë, kur këta “hajdutë pulash” i prokurojnë pasaportat biometrike false sipas dëshirës, po trafikantët e fuqishëm po… sa të lehtë e kanë këtë punën e pasaportave false?! Në mënyrë figurative mund të shprehemi se, po të ishte gjallë Bin Ladeni me siguri mund të pajisej me pasortë biometrike shqiptare sikur të kishte lindur në Shupenzë të Peshkopisë jo në Gadishullin Arabik. Pasportat e dy Salkurtëve janë prodhuar në data të ndryshme, por njëra prej tyre është nga këto të rejat e pas 1 janarit 2015. Ky fakt për specialistët do të thotë shumë. Pasaportat e reja biometrike me element shtesë sigurie për të cilat shqiptarët po paguajnë më shumë lekë dhe firma koncesionare Aleat- Shafran-Sagem po fiton më shumë para nuk janë hiç të sigurta dhe po të blesh njerëzit e duhur brenda sistemit mund t’i sigurosh po aq lehtë sikur të bësh pazarin sipas sistemit: “Cash and Carry”.

Deri dje, kur Al Kaeda nën goditjet e Amerikës dhe aleatëve të saj ishte në zbythje të vazhdueshme, Shqipërisë mund t’i toleroheshin deri diku të tilla mistrecllëqe me pasaportat biometrike. Sot kur Kalifati Islamik është në ekspansion jashtë zonës së Mesopotamisë (Siri-Irak), kur ka arritur në Sirte vetëm 270 Km larg avanpostiti europian të Lampeduzës, lodrat me pasaporta biometrike super të sigurta, që prodhohen false nga sistemi mund të përfundojnë keq. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me kënaqësi estetike të munguara, që i kupton aq mirë Kryeministri ish-artist, por me çështje të sigurisë kombëtare shqiptare dhe të aleatëve tanë euro-atlantikë. Në rast se kjo puna e pasaportave false nga sistemi del vajzë, faturën nuk do ta paguajë Armand Telit “rilindaso-mavi’ i radhës, por shumë më lart, shumë më lart. Sa për kujtesë në të tilla raste çmimi i paguar rritet se përfshin edhe TVSh-në! Mjer kush do ta pagujë atë ëmim të kripur.

Leave a Reply