Tritolin e kanë vënë njerëzit që nuk mbajnë dot më

Home » Aktualitet » Tritolin e kanë vënë njerëzit që nuk mbajnë dot më

By Redaksia on February 16, 2015. No Comments

ljub9_4Fatos Lubonja

Ndër pistat e shumta që ka ngritur opinioni lidhur me atentatet me eksploziv, konkurrojnë për vend të parë ajo e maxhorancës, sipas të cilës kemi të bëjmë me një reaksion të krimit (me gjasë i nxitur edhe nga opozita), pasi ai po ndien darën e saj t’i shtrëngohet, dhe pista e opozitës, që e akuzon maxhorancën se këtu kemi të bëjmë ose me një luftë bandash brenda maxhorancës, ose me një paralajmërim që i bën krimi për prishje të paktit parazgjedhor (me qelbësirat).
Të dyja pistat kanë argumentet dhe kundërargumentet e veta sipas meje. Disa aksione antikanabis të qeverisë si ai i Lazaratit apo i Dukagjinit mbështesin argumentet e maxhorancës, por si këto aksione, ashtu edhe një numër ngjarjesh dhe lidhjesh të politikanëve të maxhorancës me botën e krimit, nuk të lënë pa dyshimin se mund edhe të kemi të bëjmë me segmente të kokainës të lidhura me maxhorancën, që reagojnë ndaj prishjes së ndonjë pakti– sigurisht të pashkruar. Personalisht kam qenë dhe mbetem i mendimit se në sistemin e pushtetit që ka ndërtuar politika jonë, edhe “biznesi” i drogës, si shumë “biznese” të tjera, ka lulëzuar në sajë të lidhjeve me të dyja forcat politike, por ndërrimi i pushteteve, gjithsesi, ka prishur ekuilibra dhe shkaku i eksplozivave,krahas rritjes së presionit nga jashtë mbi pushtetin, si dhe krizës ekonomike që ka kapur vendin, duhet kërkuar më së shumti në këtë prishje ekuilibrash.
Megjithatë, unë po guxoj të hedh në treg edhe një pistë alternative, që nuk para ma ka zënë syri në mediat tona: bombavënësi/it edhe mund të mos jenë nga ata trafikantët e thekur të drogës, as të lidhur me këtë apo atë forcë politike, por njerëz që s’mbajnë dot më pikërisht për shkak të një pushteti, që rrjep e varfëron paturpësisht shumicën për të pasuruar paturpësisht një pakicë.
E di që shumëkush që është mësuar ta shohë realitetin me lentet mediatike të binoklit PS– PD, duke mbyllur njërin sy madje, do ta skartojë këtë pistë duke më akuzuar si marksist. Nuk ngulmoj se kjo është pista e drejtë– por po e them derisa e mendova. Ju lutem! Po si nuk mund të mendosh edhe kështu kur lexon lajmin se PS dhe PD na qenkan marrë vesh në Bashkinë e Tiranës që ta grabisin edhe më tej pasurinë tonë publike, duke i dhënë me koncesion për 35 vjet klientelës së tyre parkimet në rrugët ku ecim- rast ky që, me aq sa di, nuk ka precedent në Europë, pasi kudo parkimet në rrugë administrohen nga bashkitë. Unë për vete u trondita dhe u shqetësova nga ky lajm, po aq sa nga eksplozionet e tritolit. Dhe, kur u trondita unë që i kam mëshuar prej vitesh tezës se këtu tek ne nuk ka as të majtë as të djathtë, por dy banda që luajnë poker me paret tona; se politikanët tanë janë kukullat në skenë që ua tërheqin fijet në prapaskenë interesat e kësaj loje, se konfliktet e tyre janë teatër për të mbuluar këta interesa, mendoni të tjerët që ndoshta ende besojnë tek njëra palë apo tjetra. Për t’u konsultuar edhe me mendime të tjera u vura, gjithsesi, të lexoj komentet poshtë lajmit dhe pashë se revoltimi kishte shpërthyer nëpër rrjete sociale. Lexoni se çfarë shkruajnë komentuesit anonimë:
Anonimous: “Kryeministrin jo vetëm që e paska kapur top mafia media për gryke, por e paska kapur dhe Lul Basha me atë rast. Mjerë ky popull
e mjerë ky vend që drejtohet nga rrugaçë.” (vazhdojnë disa sharje për pronarët e Topit dhe të Klanit dhe birin e Berishës me pyetjen: pse këta do të mbajë në kurriz ky popull naiv?). “Shumë mirë na e bëjnë. Shumë shpejt do shohim autobusë me rini që do të duan të zhduken njëherë e mirë që këtej, si autobusët e Prishtinës”.
Real: “Mos u shqetësoni njerëz. Rastin më të mirë e keni në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku futjen brenda dhe daljene menaxhojnë njerëzit e LSI. Kjo do të thotë se këta PADRINOT e Shqipërisë po mundohen dita ditës se si të gjejnë mënyra për të na rrjepur nga lekët”.
Pelasgian: “E TURPSHME DHE SKANDALOZE. NËSE APROVOHET KY KONÇESION TË GJITHË BANORËT E TIRANËS TË ÇOHEN NË PROTESTA. MOS VALLË DO KËRKOJNË TË JAPIN ME KONÇESION EDHE STOLAT E LULISHTEVE???”
Arjan: “Në vitet e para të ‘demokracisë’, të gjithë profesorët e mi u bënë pushtetarë. Kjo më bëri të jetoj disa kohë të shkurtra pushtetin nga “brenda”. Duke parë nga afër vjedhjen, mashtrimin, talljen me fukaranë, kazanin e qelbur të korrupsionit, pothuajse u tmerrova dhe u detyrova të largohem përgjithmonë nga Atdheu im i dashur. Ndoshta jam refugjat në vend të huaj, por mundësitë për të jetuar i qetë me fëmijët e mi me djersën e ballit janë më reale dhe sot po e kuptoj se sa shumë durim kam bërë që të mos kthehem kurrë në Albanistan. Jo nga njerëzit, jo nga varfëria, jo nga infrastruktura, por vetëm që të mos shtrij dorën tek njerëzit më të urryer në rruzullin tokësor, ‘POLITIKANËT’ shqiptarë, me veglat by… lëpirëse të tyre.”
E pra unë shtroj pyetjen: në një vend ku nuk lindin as lëvizje politike, as shoqëri civile, as kurrnjisend demokratik që t’u kundërvihet këtyre njerëzve kaq të urryer, a nuk vjen një moment kur ndonjëri nga këta arjanët, pellazgët, anonimët apo realët të vendosë të përdorë mjete të tjera jo ligjore siç janë p.sh. edhe eksplozionet?
PS. Edhe në mos qoftë e vërtetë kjo pistë, por ajo se bombat i kanë venë trafikantët, a nuk kanë të drejtë ata të mendojnë se tek e fundit tritolin po ua vënë të ngjashmëve të tyre, madje se moralisht qëndrojnë më lart se ata pasi, për t’u pasuruar vënë veten në rrezik, kurse këta rrufjanë duan të pasurohen duke mos rrezikuar asgjë, përveç jetës së atyre që u premtojnë përditë se po punojnë për lumturinë e tyre?
/panorama/

Leave a Reply