Lezhë, Kodheli: Votoni Viktor Tushën, për kokë të babit s’do vjedhi më

Home » Aktualitet » Lezhë, Kodheli: Votoni Viktor Tushën, për kokë të babit s’do vjedhi më

By Redaksia on May 23, 2015. No Comments

kodheliKandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj, zhvilloi një dëgjesë publike me arsimtarët e rrethit të Lezhës ku u njih nga afër me problematikat e tyre.

Z. Viktor Tushaj shoqërohej në këtë takim nga Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli i cila mori mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare në Qarkun e Lezhës.

Në fjalën e tij, z. Tushaj shprehu bindjen se do të vijojë puna për zbatimin e projekteve në modernizimin e Bashkisë së re të Lezhës në standardet evropiane.

Duke i cilësuar arsimtarët si themeli i dijes dhe i shoqërisë që nuk ndalon asnjëherë së zhvilluari, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” e vlerësoi si një privilegj takimin me arsimtarët.

“Nëse institucionet shkollore nuk do të funksiononin, shoqëria do të vdiste. Kjo na bën të reflektojmë dhe të kuptojmë mësuesit dhe kompetencat e tyre. E kemi parë mësuesin më herët të kishte më shumë dinjitet në raportin me nxënësit. Kishte një raport aq ideal mes tyre, saqë sot vështirë të imagjinohet. Kjo marrëdhënie sot ka degraduar së tepërmi, e ndërsa janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar, që ia kanë zbehur autoritetin mësuesit, i cili shpesh herë është ndier i pafuqishëm për shkak të rrethanave ku është ndodhur”- theksoi z. Tushaj.

Në vijim të fjalës së tij, z. Tushaj prezantoi dhe projektin më të ri ku theksoi se me qasjen e re të qeverisë, në Lezhë do të ngrihet një Korpus Universitar i cili do të fokusohet në studimet albanologjike, kjo për vetë vlerat që ka Bashkia e re e Lezhës. “Arsimi ka nevojë për ndryshim të standardeve, por ne nuk mund të lejojmë që standardet e reja të vendosura tashmë në Lezhë të jenë të ndryshme me ato të zonave përreth. Shkollat e rrethit të Lezhës,

ose të bashkisë së madhe të ardhshme, do të jenë në standardet e duhura infrastrukturore, ashtu siç janë tashmë edhe në Lezhë”, u shpreh kandidati z. Viktor Tushaj.

Në fjalën e saj, znj. Mimi Kodheli shprehu vlerësimin maksimal për arsimtarët dhe se me reformën e re në arsim, mësuesit do të përfitojnë më shumë. “Të gjithë këtu jemi falë mësuesve tanë, të cilët na edukuan për vite për t’u bërë këta që sot jemi. Misioni juaj nuk ndalet vetëm tek mësimdhënia, por është të qënit pjesë e një reforme, e ndërgjegjes së lartë qytetare, që sigurisht më shumë se askush, ju e dispononi. Që ta kryeni plotësisht këtë detyrë, ju ashtu siç jeni pjesë e pandashme e shoqërisë, duhet të jeni edhe pjesë e politikës. Besoj shumë se duke votuar “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, ju bashkë me ne do t’i jepni shtysë vijimit të reformave në arsim, të cilat tashmë po i japin frytet e veta”, u shpreh znj. Kodheli.

Znj. Kodheli ftoi arsimtarët që të votojnë koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane dhe kandidatin për kryetar Bashkie të Lezhës, z. Viktor Tushaj.

Sipas saj rruga e kësaj aleance është pa kthim, ashtu siç është pa kthim dhe e sigurtë edhe fitorja e z. Viktor Tushaj.

Znj. Kodheli siguroi të pranishmit se projektet për zhvillimin e Lezhës së vuajtur nga tranzicioni do të vijojnë pa reshtur.

Leave a Reply