“Mos votoni Erjon Velinë” / Nga Rexhep Mejdani

Home » Kryesore » “Mos votoni Erjon Velinë” / Nga Rexhep Mejdani

By Redaksia on May 8, 2015. No Comments

“Mos votoni Erjon Velinë” / Nga Rexhep Mejdani
Ish-presidenti Rexhep Meidani e cilëson Rilindjen një slogan elektoral. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zoti Meidani shprehet se edhe premtimi elektoral për përkujdesjen shëndetësore, apo për 300.000 vende pune, kanë qenë vetëm premtime elektorale dhe në shumë raste të paargumentuara.

Ish-presidenti i kërkon qeverisë të jetë më afër qytetarit, më e ndjeshme, më sociale, më humane e tolerante, tërësisht e drejtë, dinjitoze dhe e kujdesshme, sepse në të kundërt sipas tij, përmasat e eksodit mund të jenë në të ardhmen shumë herë më të mëdha.

Në lidhje me dekriminalizimin, ish-presidenti në analizën e tij kërkon të gjejë përgjegjësit që kanë çuar në përfshirjen në politikë të personave të inkriminuar, ndërsa e shesh përzgjedhjen e tyre, por dhe të kandidatëve për kryetarë bashkish, tërësisht zgjedhje personale të kryetarëve të partive, duke injoruar forumet dhe format demokratike “një anëtar, një votë”. Për ish-presidentin Meidani, mungesa e zgjedhjeve në PS dhe mbledhja e forumeve drejtuese është një ecuri jo demokratike. Ai shpreh habi për pozicionin që po mbajnë në PS drejtuesit e vjetër të saj, të quajtur “senatorë”, të cilët vetëm heshtin ndaj çdo shkeljeje të statutit. Sipas tij, statuti tashmë e ka humbur peshën e tij, ndërsa e cilëson të pandershme pretendimin e Kryeministrit që në vend që t’i përgjigjet statutit, tregon “novela” alla britanike, alla gjermane etj.

Lidhur me sulmet që i bëhen Ben Blushit se nuk ka gjetur kohën e duhur për të shprehur shqetësimet e tij për qeverisjen, zoti Meidani shprehet që “kjo tregon se mungon forca, guximi e kuraja për të analizuar shqetësimet dhe të vërtetat e tij, që në shumicën e tyre janë dhe shqetësime të qytetarëve”. Sipas tij, debati për mendime të ndryshme mund të bëhet në çdo kohë, pavarësisht fushatave zgjedhore.

Ish-presidenti Meidani i cilëson zgjedhjet e 21 qershorit, më shumë si zgjedhje politike se sa me karakter vendor. Duke folur për dy kandidatët që garojnë për bashkinë e Tiranës, zoti Meidani vlerëson kandidatin e opozitës Kosova si person që nuk njihet për deklarata të mëdha, ndërsa për kandidatin e maxhorancës, Erion Veliaj, vlerësoj përpjekjet e tij pak vite më parë për të përfshirë dhe emigrantët shqiptarë në votim, përpjekje që sipas tij në këto dy vite nuk është përmendur asnjëherë.

Zoti Meidani, kemi hyrë de facto në fushatën zgjedhore për pushtetin vendor. Si i vlerësoni kandidatët në përgjithësi dhe ata për Tiranën, Erion Veliaj dhe Halim Kosova?

Mesa shihet, po tentohet, sot, që të kalohet nga zgjedhje vendore apo administrative në zgjedhje politike. Në fakt, në rastin e zgjedhjeve vendore, ka një vlerë të dorës së parë personaliteti i kandidatit, morali dhe respekti i tij për fjalën dhe veten, vetë integriteti i tij. Sepse, për mendimin tim, ai duhet të shfaqet si udhëheqës, që duhet të bëjë gjërat e duhura në bashkëpunim me segmente opozitare apo me prirje të kundërta në bashki e këshillin e saj; ai duhet të jetë frymëzuesi i ndryshimit pozitiv në zbatimin e programit të votuar. Por, ai, si menaxher, duhet t’i bëjë dhe gjërat siç duhet, që të jetë i aftë që të sjellë përmirësime në cilësi e sasi për shërbimet ndaj qytetarëve. Për më tepër, duhet të mishërojë kapacitete konkrete, si vizion për të ardhmen, aftësi planifikimi e buxhetimi, komunikim, administrim e organizim stafi, motivim e frymëzim, monitorim në zgjidhjen e problemeve.

Pra, udhëheqja dhe menaxhimi janë dy tipare të ndryshme dhe plotësuese të njëri- tjetrit, madje që një kryetar të jetë i suksesshëm, ai duhet t’i mishërojë të dyja këto aspekte.

Nisur nga ky konceptim vetjak, orientimi im konkret, në rastin e pyetjes suaj, nuk është fare politik e partiak, por thjesht njerëzor e intelektual. P.sh., dr. Halim Kosovën e kam njohur shumë kohë më parë. Me të kam pasur kontakte, por dhe vlerësim të plotë të punës së tij si profesionist i talentuar dhe si administrator korrekt gjatë ushtrimit të mandatit tim si kryetar shteti. Megjithëse tepër i suksesshëm në kryerjen e detyrës së tij, ai nuk u dallua asnjëherë në atë kohë, për llafe e “pompë”, as për ndonjë fanatizëm e servilizëm ndaj ndonjë individi apo grupimi. Edhe futja në politikë (në radhët e PD-së), e z. Kosova nuk duket se e ka prekur apo e deformuar atë, aq më pak ta përkulë karakterin e tij ndaj ndonjë urdhri të gabuar politik. Të paktën, ky është perceptimi i sotëm publik. Ndërsa, për z. Veliaj, kontaktin e parë e kam pasur disa vjet më parë, në një aktivitet të organizuar nga “Mjaft”, ku së bashku me z. Moisiu morëm pjesë për të dhënë mbështetjen tonë në një projekt të kësaj OJQ-je për të mundësuar përfshirjen e shqiptarëve në emigracion, në procesin zgjedhor. Ai, në atë kohë, shfaqej si tepër entuziast për diçka të tillë. Por, tani, në këto dy vjet qeverisje, ai e kishte mundësinë që ta realizonte atë ide, nëse ajo ishte realisht bindje e tij. Nuk e di nëse ai e humbi atë entuziazëm, apo ai u përpoq, por nuk u dëgjua nga shefi i tij. Dhe, së fundi, mesa ndijohet nga media, sidomos nga ajo sociale, ai duhet të bëjë përpjekje serioze për përmirësimin e perceptimit të tij publik…

Intervistën e plotë e lexoni sot në “Panorama”

Leave a Reply