Politikanët? Më i miri është për 10 vjet burg

Home » Kryesore » Politikanët? Më i miri është për 10 vjet burg

By Redaksia on May 7, 2015. No Comments

Në një intervistë ekskluzive për “Telegram”, biznesmeni dhe kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Eduard Ndocaj, tregon zhgënjimin e tij nga Kryeministri Rama dhe projekti i dështuar i Rilindjes. Gjithë gabimet që kanë çuar në dështimin e qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Pse u tërhoq biznesmeni nga gara për kryetar të bashkisë së lezhës dhe ambiciet e tij politike.

Z. Ndocaj! Ju jeni shfaqur në politikë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, në krah të zotit Rama. A mund të na rrëfeni shkurtimisht se çfarë është politika për ju dhe si e vlerësoni politikën shqiptare në veçanti?

Po. Është e vërtetë se isha kandidati i Partisë Socialiste në Lezhë. Programi i atëhershëm ishte shumë ambicioz dhe për këtë iu bashkova kësaj force politike. Këtë e bëra jo se kisha përkatësi të njëjtë politike, por për fat të keq Shqipëria akoma nuk ka një parti të djathtë ku të përfaqësojë të persekutuarit dhe kategori të tjera që janë aleatë natyrorë. Në Lezhë kjo situatë u bë edhe më problematike kur Rama promovoi dhe mbështeti sheikun e Ilir Metës, kryebashkiakun Tusha. Në këto kushte, nuk pashë emrin e Partisë Socialiste, por më pëlqeu ambicia politike që kishte ish-lideri i opozitës, Edi Rama. Por me bashkimin me LSI-në çdo gjë morri fund. Ne bëmë aleancë me të korruptuarit e qeverisë Berisha, të cilët morën 50% të pushtetit. Aty vdiq Rilindja dhe shpresa. Unë isha kundër këtij sekti politik, kundër këtij bashkimi me një forcë politike që si bazë ka shitblerjen e votës së lirë, pra blerjen e lirisë së çdo individi.

Keni qenë kritik ndaj qeverisë Rama gjithë këto muaj. Ku po gabon kryeministri?

Kryeministri po gabon në çdo aspekt. Gaboi më 2 prill me Aleancën e Turpit, gaboi me Lezhën ku ia shiti totalisht atë forcës më të korruptuar siç është LSI dhe e “shpërbleu” me një karrige ministrie të zonjës Kodheli. Ajo shiti gjithë lezhjanët që i besuan dhe që atë ditë që vuri këmbën në ministri, veç 1000 thasë bosh në përmbytje i ka sjellë Lezhës. Gaboi tek njerëzit që i dhanë qeverinë siç jam unë që investova 600 milionë lekë dhe as që bëhet fjalë të jenë mirënjohës këta “çunat e Bllokut”, po gabon me socialistët e vjetër që nuk i pyet për asgjë, gaboi edhe në ndarjen territoriale ku më i diskriminuar është Veriu dhe Mirdita. Në fillim ishte Enveri që e ndau në vitin 1949 Mirditën në 5 rrethe dhe Rama ia plotësoi amanetin pas kaq vitesh, e rindau edhe një herë në 2014. Gaboi me CEZ-in ku i njohu 100 milionë euro debi asaj firme fantazmë që për 6 vjet vodhi gjithë shqiptarët dhe Berisha e përzuri, por ky e ripruri prapë dhe i dhuroi edhe qindarkat e fundit të shqiptarëve që ua morri me dhunë nga xhepi. I futi njerëzit nëpër burgje, i detyroi të vrasin veten, të shesin lopën apo tokën për të larë një borxh qe nuk e kishin krijuar ata, por qeveria Berisha dhe ky vetë. Emëroi në disa qytete njerëz me precedentë penalë, ku opozita tashmë ka dhënë edhe provat e saj. Madje edhe ndërkombëtarët sot nuk janë të kënaqur as me PS-në dhe as me PD-në. Shqiptaret edhe më 21 qershor janë në udhëkryq për të zgjedhur njeriun e tyre, duke qenë të detyruar të zgjedhin jo njeriun e tyre, por njeriun e krimit, njeriun e përzgjedhur e të komanduar nga një lider, ndryshe e kanë të hapur derën e burgut po nuk iu nënshtruan liderit të ri shpirtëror. Pra, Rama është në sens unik kundër programit të vet.
Në Lezhë, Rama promovoi njeriun që i përgatiti dosjen për ta arrestuar për abuzime me lejet e ndërtimit. Janë 129 leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin mbi zonën arkeologjike që ka dhënë Viktor Tusha.

Pas pak javësh Shqipëria do të përballet sërish me një proces zgjedhor me një ndarje të re territoriale. A kanë shqiptarët ofertë për të zgjedhur?

Jo, do të jetë totalisht në dëm të qytetarëve kjo ndarje, sepse i largon zyrat dhe shërbimet edhe pse janë aktualisht të dobëta si shërbime. Ndarja territoriale ka diskriminuar Veriun në çdo aspekt, të parën Mirditën. Turp për ata deputetë mirditorë që votuan së bashku me pasardhësit e diktatorit Enver Hoxha për të ndjekur rrugën e Enverit. Shqipëria u nda totalisht gabim. Jugu me 30% të popullsisë mori 36 bashki, ndërsa Shqipëria e Mesme dhe e Veriut, me 70% të popullsisë, morën 25 bashki. Ky është një gabim trashanik i bërë mbi bazën e interesave politike.
Ambicia ime është të përfaqësoj lezhjanët duke administruar qytetin tonë si kryetar bashkie. Ideali im është që Lezha të ecë përpara, të zhvillohet, të lulëzojë dhe te ketë një stabilitet ekonomik. Ky rezultat ideal jam i bindur se mund te arrihet me djersën, aftësinë e eksperiencën e një sipërmarrësi të vëna në shërbim të rezultatit. Por eksperienca më ka mësuar në radhë të pare të jem realist.
Politika e fëlliqur e partive jo vetëm ka helmatisur idealet, por ka larguar qytetarët nga ata që i përfaqësojnë. E unë, deri sot, kam qenë tepër i përzierë me partitë, duke besuar krerët e tyre. Sot është e qartë që lojërat e partive politike e kanë mbytur shpresën për një ndryshim. Ja përse unë jam i bindur se kryebashkiaku më i përshtatshëm për Lezhën është një kandidat i pavarur, por vendos të mos jem unë, sepse kandidimi im do t’i jepte një fitore të sigurt LSI-së dhe kryetarit aktual.
Kam vendosur të sakrifikoj këtë herë ambicien time për idealin tim, duke mos i bërë keq dy herë Lezhës me një fitore të majtë të sigurt ne rast kandidimi: duhet të fitojë Lezha, jo partitë.
E për këtë arsye do të mbështes në zgjedhjet e Bashkisë së Lezhës mikun tim Fran Frrokaj, jo si kandidat i Partisë Demokratike, por si një burrë mirditor fisnik dhe punëtor, që e ka demonstruar më së miri në komunën ku ai drejtoi mbi një dekadë më së miri. Prandaj ftoj votuesit e mi e çdo lezhjan të vërtetë të votojnë Fran Frrokaj. Për Lezhën.
Kisha disa oferta në këtë qeveri, por asnjë nuk mora për bazë, sepse kjo qeveri kishte dështuar në misionin e saj që ditën e parë dhe vendosa të largohem nga PS.

Z. Ndocaj! Ju keni qenë në mbrojtje të kauzës demokristiane në Shqipëri. Pse ka kaq shumë parti dhe ndarje mes kristiandemokratëve? Si e shikoni të ardhmen e kësaj alternative? A janë në gjendje ta bëjnë bashkimin kjo kastë e drejtuesve të partive të këtij segmenti?

Sot jemi në kohë fushate elektorale ndaj dhe unë nuk dëshiroj të shpjegoj gjithë problematikën, me prirje për shëndoshje e me të ardhme progresiste për demokracinë kristiane. Vendosa te bashkohem me PDK-në, pasi e shoh si një parti të pastër, edhe pse e vogël, por ka vlera të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shoh se edhe kjo parti ka të metat e saj, ka disa individë që e përdorin partinë për qëllimet e tyre personale, disa të tjerë kriojnë rryma të ndryshme, siç ka ndodhur shpesh në këto 24 vite, duke krijuar përçarje dhe disa partiçka të tjera pa sens. Gjithë këtë përçarje e kanë krijuar dy partitë e mëdha, PD dhe PS, duke qenë se të dyja këto parti me bindje janë komuniste. Ato e urrejnë filozofinë demokristiane. Unë mendoje se demokristianët
duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe t’i bashkohen një ideje, jo një lideri, pra t’i bashkohen filozofisë demokristiane. Dhe kjo duhet të ndodhë sa më parë, sepse ka nevojë Shqipëria për një Parti Demokristiane të fortë dhe që kjo të jet poli i tretë i partive politike, jo të jetë një sekt monetar siç është LSI sot. Pra, PDK duhet të zëvendësojë patjetër këtë të keqe që i është ngjitur politikes si m… në këpucë.
Familja demokristiane sot është e vogël dhe jo për fajin tim apo edhe të një pjese të mirë që më zgjodhën mua si zv/kryetar, por dikush është padyshim fajtor e përgjegjës. Gjithsesi duhet menduar për rrugën tonë të re dhe duhen shikuar individët që janë ish-komunistë apo me prejardhje komuniste, ndërsa ish-sigurimsat nuk duhen futur në derën tonë.

A do të merreni me politikë? A keni ndonjë projekt politik?

Po, do të merrem me politikë sepse mendoj se i shërbej vendit tim duke bërë politike evropiane, jo politikë fashiste e komuniste siç kanë bërë këto 24 vite këta pseudo politikanë ku më i miri është për 10 vjet burg, jo më për të qeverisur. Projekti im për politikën e ardhshme është që të arrijmë të përfshijmë edhe popullsinë shqiptare në politikë. Të merren me politikë me seriozitet, jo me tifozllëk siç e bëjnë sot ku dikush thotë se jam me Berishën deri në vdekje, tjetri thotë unë jam me Ramën. Kjo duhet të marrë fund, sepse asnjë lider s’është i pazëvendësueshëm.

Ju keni ndarë shumë kohë në Lezhë gjatë dy viteve të fundit dhe keni denoncuar varfërinë e zonave veriore. Çfarë roli duhet të luajnë sipërmarrësit shqiptarë në emigracion si ju për zhvillimin e vendit?

Kam 2 vjet që pas 23 qershorit që vazhdoj të investoj në disa zona të Lezhës dhe Mirditës, në disa rrugë që mungonin, në disa monumente të kulturës. Shteti nuk ekziston dhe kam bërë gjithçka vetëm me fondet e mia. Kam investuar mbi 200 mijë euro. Unë ju bëj thirrje gjithë emigrantëve kudo që ndodhen t’i kthejnë sytë nga Shqipëria, sepse ajo është toka jonë dhe e të parëve tanë që me gjak e kanë mbrojtur ndër shekuj dhe ta mbrojmë nga disa horra dhe kriminelë të veshur me petkun e pushtetit që po e vjedhin, po e shesin dhe po na poshtërojnë varret e të parëve tanë . Duhet të investojmë të paktën një herë në 4 vite, të kthehemi dhe të bashkohemi, sepse jemi mazhoranca. Mbi 60% e popullsisë jetojmë jashtë. Të bashkohemi dhe të vendosim njerëzit tanë që jetuan, studiuan dhe u rritën në Europë, Amerikë dhe Angli, të investojmë një herë në 4 vite 1000 euro bileta dhe 10 ditë kohë për ta nderuar këtë vend, sepse vetëm emigrantet do të sjellin demokraci në Shqipëri. Por gjer atë ditë kur ne të vendosim ta bëjmë këtë, horrat në Shqipëri po pasurohen po kthehen në sheikë në një vend të varfër siç është tani Shqipëria ku 140 deputetët janë 140 sheikë dhe kriminelë. nga Albert Gjoka

Leave a Reply