Pse ikin shqiptarët? 7 arsye dhe më shumë…

Home » Opinione » Pse ikin shqiptarët? 7 arsye dhe më shumë…

By Redaksia on May 9, 2015. No Comments

alfred-lelaNga Alfred Lela

Ka shumë arsye. Mund të jenë 7, për simbolikë, ose më shumë se kaq. Por që ikin është keq. Ndoshta në vend të një shkrimi mund të bëhej një antishkrim dhe të listoheshin 7 mosarsye të ikjes. Pse ata nuk duhet të ikin.

Dihet me siguri për shembull se nuk ikin për mungesë aspiratash dhe as për turizëm siç është kumtuar, arsyeja e parë madje, nga kryeministri Rama.

Historiku i eksodeve është mbushur me shtysa mjerimi e persekutimi, duke ia filluar në daç që nga eksodi i madh biblik e për t’u shtyrë më vonë në histori tek eksodi i irlandezëve, i njohur si ‘Zia e patates’. E me radhë.

Nëse ‘gugëllojmë’ në historinë tonë, eksodet më të mëdha kanë qenë në prag apo pas pushtimesh të mëdha. Ose hapjesh të mëdha. Lajmëtare të hapjes. Eksodi i Arbrit për shembull, që erdhi në dy valë të mëdha pas rënies së Krujës dhe Shkodrës, ose pas epokës së artë të Skënderbeut.

Të shpërngulurit e dikurshëm i kemi sot përballë me Adriatikun në mes. Janë arbëreshët e Italisë që kanë ruajtur gjuhën, fenë, mallin e shumëçka.

Eksodi i dytë i madh, ai moderni, i përket vitit 1991 dhe ishte lajmëtari i parë i madh i rënies së murit të Berlinit edhe për ne. Një zgalem në detin e historisë shqiptare.

Po sot, pse ikin shqiptarët?

Shpresa? Shpresa e shqiptarit nuk është më vija e horizontit imagjinar për gjërat që do të shkojnë më mirë një ditë, por një dorëzim eksplicit para mundësisë për barazi. Jo për barazitizëm, por për barazi përpara ligjit për shembull. Institucionet e këtushme janë një paradë mesjetare e inkompetencës dhe limontisë.

Ekonomia? Krahasimisht, me të shkuarat e saj të mjera, Shqipëria e ka provuar tashmë lulëzimin e saj ekonomik. Në mënyrën e saj. A ka qenë kjo e gjitha? A është ky kapitalizmi? Edhe sëmbimet ideologjike për një dështim edhe të këtij sistemi (kapitalizmit) po artikulohen ndërkohë. Shqiptari e mat me xhep, jo me ideologji ndërkohë, ekonominë e vet.

Politika? A është aq e keqe klasa politike shqiptare, apo është ajo asgjë më shumë se një shumatore e të gjitha veseve apo cilësive tona si popull? Juria ende nuk e ka marrë një vendim për këtë, por një gjë është e sigurt. Pakkush ose askush në Shqipëri i hyn politikës për të përmirësuar jetën e të tjerëve.

Jeta tjetër? Për një jetë më të mirë, për të filluar një jetë tjetër. Poeti Preç Zogaj ka te libri “Vera pa kthim” episodin e takimit me një të njohur, i cili do të shpërngulej për në Perëndim ‘për një jetë tjetër’. ‘Të shkretëve shqiptarë. U shkoi jeta duke filluar një jetë tjetër!’, konkludon Zogaj.

Go West? Nuk ka vdekur ende pandehma se bari është më i gjelbër në kopshtin e tjetrit. Është një predispozitë njerëzore. Por shqiptari është futur edhe ndërmjet dy bishave: televizionit që e sulmon 24 orë me imazhin, dhe realitetit që i jep bruton e së përditshmes.

Ky vend nuk bëhet? Është kthyer në një lajtmotiv që e dëgjon shpesh. Mbi një kafe, thjesht për një shfryrje të vogël, apo mbi një dert të madh. Është interpretimi i ri postmodern i së famshmes shprehje të Konicës ‘Shqipëri të kam dhjerë’.

Depresioni? Të gjitha shenjat më lart të çojnë te kjo e fundit. Kur preket fundi thonë…Elez Biberaj një shqiptaro-amerikan, studiues i tranzicionit të këtushëm, këtë tezë hodhi para pak javësh në Konferencën Ditët e Studimeve Shqiptare. Tranzicioni ka mbaruar, tani duhet një lëvizje për lart për të dalë nga pezullia. Një ndryshim. Change we can believe in.

Leave a Reply