Ditë Pavarësie me ndasi politike

Home » Aktualitet » Ditë Pavarësie me ndasi politike

By edi on November 29, 2015. No Comments

12246672_915413338539956_2196252800127946838_nDita e Flamurit ose siç njihet ndryshe Dita e Pavarësisë është dita më e rëndësishme e Kombit dhe është datëlindja e shtetit bashkëkohore, sepse jam i bindur, se shteti modern lindi nga Skënderbeu me formimin e Besëlidhjes së Lezhës.

Dita e Pavarësisë së Shqipërisë erdhi në një moment të veçantë, në fillimin e Luftës Ballkanike e në pragun e nisjes së Luftës I Botërore ose siç njihet ndryshe Lufta e Madhe. Kombi shqiptarë ishte lodhur shumë nga 500 vite pushtim osman. Megjithatë, Rilindja shqiptare ishte shkëndija më e madhe kulturore, gjuhësore, patriotike e shtet formuese që përgatiti terrenin për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Intelektual e kolloz të mëdhenj shqiptar, me bindje e vizione të ndryshme u bashkuan pa mëdyshje për interesat kombëtare dhe të gjithë ishin të një mendje se Shqipëria duhet të ishte e Pavarur, sepse vetëm kështu do të shpëtonte nga rrënimi dhe nga fundosja e anijes osmane.
Rilindësit dhe vizionarët e shpalljes së Pavarësisë ashtu si Skënderbeu zgjodhën Perëndimin si model dhe si orientim gjeostrategjik dhe këtë e bënë për dy arsye:
Së pari, ne ishim pushtuar prej 500 vjetësh nga lindja dhe nga modeli despotik i lindjes.
Së dyti, për të dëshmuar se shqiptarët janë autokton, europian dhe familja e shqiptarëve është Europa.
Ahmet Zogu, mbreti i Shqiptarëve, një figurë e rëndësishme e modernizimit të shtetit shqiptar, jo vetëm nuk e dobësoi apo cenoi Aktin e Pavarësisë, por e vlerësoi vazhdimisht duke e festuar me nivelin e duhur e të kërkuar. Ahmet Zogu, nuk sulmoi as Ismail Qemalin e as figurat e tjera të pavarësisë, por i respektoi dhe i lartësoi ato.
Pas Zogut, edhe me ardhjen e Enver Hoxhës, diktatorit suprem, ai nuk e cenoi kurrë Ditën e Pavarësisë, nuk e vuri kurrë atë në hije e nuk e përdori kurrë politikisht. Enver Hoxha, edhe pse komunist, një diktator i pamëshirë, një lider i gjithëpushtetshëm, nuk e cenoi historinë ne kuptimin e simbolikës së 28 nëntorit 1912. As me propogandë nuk e cenoi Ditën e Flamurit. Ai realizoi filmin “Nëntori i dytë”, një ndër filmat më të bukur të Kinostudios “Shqipëria e Re” .
Data 29 Nëntor është një datë e Regjimit, por nuk ka asnjë gjë të keqe, përderisa nuk e cenon 28-tën, por e plotëson më shumë atë. Nëse 29 është dita e Çlirimit të Vendit, kjo nuk është asgjë negative, përkundrazi e pasuron akoma më shumë historinë tonë për liri e qëndrueshmëri.
Nuk di ndonjëherë, qe Enver Hoxha të ketë festuar 29 dhe të ketë lënë në harresë 28. Me ardhjen e pluralizmit dhe formimit të partive të para, ato në kërkim të një identiteti, të një historie, filluan të ndanin e të privatizonin ngjarjet dhe historinë. Kështu, të Majtët filluan të festojnë 29 dhe të djathtët 28.
Vit pas viti kjo ndarje u bë më e dukshme. Sa më shumë ndryshonin apo acaroheshin raportet mes të Djathtës e të Majtës, aq më shumë bëhej edhe ndarja e përçarja mes 28 dhe 29. Është e turpshme dhe e papranueshme që këto dy data kaq të rëndësishme, që plotësojnë njëra-tjetrën dhe lartësojnë qëndresën e shqiptarëve, të përdoren si mollë sherri për të përçarë shqiptarët për interesa politike.
Është e turpshme, antikombëtare që deputetët shqiptarë që përfaqësojnë sovranitetin shqiptar, interesat e qytetarëve ndahen mes veti mes 28 dhe 29. Ka ardhur koha që këto ndasi në dëm të Kombit të marrin fund. Nuk ka asgjë të keq të festohen bashkërisht 28 dhe 29, sepse siç thash të dyja janë plotësuese, lartësojnë qëndresën tonë e shkruajnë një kapitull të rëndësishëm të historisë kombëtare.
Nga Alban Daci

Leave a Reply